Dashuria dhe urrejtja – lufta në mes

Mar 23, 2024 | 8:23
SHPËRNDAJE

NGA BEHAR GJOKA behar gjoka

Romani me titullin befa sues “Dashuri në detin e urrejtjes” i autorit Xhevat Mustafa, menjëherë na kthen me kohën e luftës së tmerrshme, të gjenocidit serb të Millosheviçit, të viteve 1998-1999, për të përzënë shqiptarët nga trojet e veta të Dardanisë. Atmosfera e një lufte, të pabarabartë dhe absurde, sillet e gjallë në të gjitha dimensionet e përjetuara, madje e shpallur si dëshmi e një urrejtje shtazarake, nga ana e serbëve, për ta fshirë nga faqja e dheut gjenin arbnor.

Nga njëra anë, që zbulon praktikën e një luftë shkatërrimtare në kohën moderne, sikur të ishim në motet e mesjetës, në faqet e romanit, paraqiten serbët e tërbuar, që vrasin, dhunojnë dhe përdhunojnë vajza, gra, fëmijë dhe pleq, në format më makabër të mundshme, gjë që ngjet në Europën Juglindore. Në anën tjetër, avionët e NATO-s, nga fundmarsi i 1999, bombardojnë mbi hordhitë e paramilitarëve, mbi ura e dhe ndërtesat qeveritare, madje një bombë e forcave të aleancës bie mbi ambasadën kineze, në Beograd. Pra, varësisht rrethanave të sugjeruara në tekst, kuptojmë që lufta e NATO-s, në këtë rast është një luftë tipike ajrore.

Pjesë e sfondit, të luftës së atyre viteve, janë edhe njësitet e UÇK-së, luftëtarë të lirisë së Kosovës. Pamja e trefishtë, e gjurmëve të luftës së egër, në hapësirën tekstologjike vjen si një kronikë e gjallë, e shoqëruar me aksione të shumta, nga palët ndërluftuese, të cilat sjellin të plotë klimën e një lufte absurde, ku ravizohet ikja biblike e shqiptarëve nga vatrat e tyre, e cila ndërkaq e kapërcen kronikën e zakontë të shtjellimit linear dhe më së shumti shpërfaqet si një pikë referenciale, që lufta nuk duhet harruar, si një e keqe që bën plojë në jetët e civilëve të pafajshëm, e sidomos ajo që ndodh me fatin e qenies, ose marrëdhënia me kujtesën, që e përmend M. Kundera, se e keqja përsëritet në forma më të shëmtuara, nëse harrohet.

Ngjarjet e këtij romani janë vendosur në një fshat në rrethinat e Mitrovicës, ku theksohet pasoja, dhuna çnjerëzore, mbi gratë dhe vajzat shqiptare. Në përfundimet e R. Barthes: “Romani është Vdekje; ai nga jeta bën një fat, nga kujtimi një akt të dobishëm, e nga zgjatja një kohë të drejtuar dhe domethënëse. Por ky shndërrim mund të përmbushet vetëm në sy të shoqërisë. Është shoqëria ajo që imponon Romanin…”. Sqarimi i rrethanës së ekzistencës së romanit si zhanër, varësisht kontekstit të ndikimit të shoqërisë, të natyrës së këtyre ngjarjeve epokale, është një nga idetë që ndihmon për të kuptuar vijimësinë e tij. Realiteti letrar i tekstit të librit, projektohet mbi bazën e realitetit konkret, që ke ndjesinë se kapërcen secilën përvojë shkrimi, e cila shpalohet si një dëshmi e fiksuar, e ngrirë në memorien e qenies shqiptare, e cila atëbotë përjetoi rrezikun e shfarosjes.

URREJTJE DHE DASHURI

Faqet e romanit “Dashuri në detin e urrejtjes” ofrojnë një gjendje të pazakontë, ku vihen përballë dy ndjenja përjashtuese, dashuria dhe urrejtja, e cila ndërkaq bie në rrethakun e luftës së radhës. Vihen përballë njëra–tjetrës, urrejtja e madhe, gati atavike, e ngrirë nëpër shekujt e përleshjeve, në mes serbëve dhe shqiptarëve, ku historikisht padrejtësia është e serbëve dhe dashuria në mes të rinjve, që shkon kundër paragjykimeve ndërkohore. Amullia e luftës, e tmerrit të përjetuar, në vitet e gjenocidit serb, ndërkaq shpërfaq mesazhin qendror, që e përçon teksti i romanit, që edhe në detin e pa anë të urrejtjes ka dashuri, kuptohet në detin e urrejtjes shumëshekullore në mes shqiptarëve dhe serbëve, realisht shënjon një befasi, që natyrshëm të vë në mendime.

Pavarësisht përleshjeve dhe urrejtjes së shfrenuar, midis serbëve dhe shqiptarëve, si një dritare katarse, me shumë gjasa si një pasqyrë ku vështrohemi, por pa pranuar shoshojnë, avitet dashuria, e cila rrëzon muret ndarëse, e në këtë tekst ka një sipërmarrje të pazakontë me tejkalu malin e lartë të urrejtjes, në mos e zbeh ashpërsinë e tmerrshme. Ka pasur raste me herët, në bashkëjetesën e shqiptarëve dhe serbëve, që nga dashuria janë zbehur makthet e urrejtjes, janë kapërcyer muret ndarëse, pavarësisht se paragjykimet kanë qenë aty, në gjithherë të një fqinjësie armiqësore.

Mjafton të sjellim në mend lidhjen e aktorit me famë botërore, Bekim Femiu, me një grua serbe, për të kuptuar sadopak, paradoksin e universit të qenies, vijimësia e së cilës është e varur nga dashuria, ndjenja më e bukur njerëzore, duke kërkuar ndjesë për përmendjen e këtij fakti, por e solla në vëmendje për të kuptuar se muret që ngrihen ne mes qenieve, nuk janë të pakapërcyeshme. Këtu, pra në hapësirën tekstologjike të librit, si një urë që shemb muret ndarëse të popujve, jemi në një situatë të pazakontë, jemi te rasti i dashurisë në kohë lufte, e prandaj duket e pabesueshme, gati–gati e pamundshme, që të ngjasë një marrëdhënie dashurie në mes një shqiptareje dhe një serbi.

Megjithatë, fatet njerëzore, janë të habitshme dhe jo pak të ndërlikuara, sepse Teuta, një vajzë shqiptare, në moshën më të bukur dhe Mirosllavi, një djalosh serb, të cilët i kanë shtëpitë kaq pranë, kanë kaluar bashkë fëmijërinë, adoleshencën, e në kohën e luftës, me shumë gjasa të pragfillimit të saj, me sa duket, si një mister enigmatik, një mister gjithsesi i bukur, në zemrën e tyre, pavarësisht rrethanave, ka shpërthyer dashuria në mes tyre, si një urë për të zbutur urrejtjen, ndonëse lufta e mallkuar, e plagosi për vdekje.

Duke parë situatën e kësaj marrëdhënien të pazakontë, ku prekim përmasat e dashurisë dhe të lirisë, në mend vjen pohimi të Hippolyte Taine: “…shkrimtarët janë psikologë dhe arrijnë të tregojnë jo vetëm të gjitha variacionet, por edhe të gjitha pasojat…”, si një pohim e rrethanave të pazakonta jetësore, të luftës që zbulon urrejtjen e pakufi, por edhe praninë e dashurisë.

Linjat e pranishme në roman

Teksti i këtij romani tronditës dhe psikologjik, në materien e gjerë letrare, ngërthen dhe shpalon disa linja kryesore. Më mbizotërueset, ndërmjet tyre, madje të shtjelluara gjerësisht në materien e librit, janë dy linja:

A – Linja e luftës, që ka dy palë, serbët dhe shqiptarët, të cilët kanë jetuar pranë, në luftë dhe urrejtje të hapur, ku të parët, pra serbët, në format më çnjerëzore, duke vrarë, dhunuar dhe përdhunuar, janë vënë në sulmin më të egër për të përzënë nga trojet e veta shqiptarët e Kosovës, duke kryer një gjenocid të pastër etnik, pikërisht në kohët moderne. Nga ana tjetër, qytetarët e lemerisur, si dhe përpjekjet heroike të luftëtarëve të UÇK-së, me i dalë zot atdheut, vajzave dhe grave, që tanimë e zbulon të plotë, para botës, në të gjitha përmasat e saj, tragjedinë që u luajt në Kosovë, në mbarim të shekullit të kaluar. Në këtë përplasje epike, gjithsesi në një luftë të pabarabartë, të një terrori shtetëror nga ana e serbëve, si shpëtimtarë të qytetarëve të Kosovës, vijnë avionët e NATO-s, që përfaqëson një akt të pashembullt të qytetërimit të kësaj kohe.

B – Pikërisht në këtë sfond terri dhe lufte, në mënyrë të habitshme, futet linja e dashurisë, e cila shpaloset në praninë e shtrirë në gjithë tekstin e romanit, të dashurisë së Teutës, pra vajzës shqiptare, me Mirosllavin serb. Po ashtu, në zjarrin e luftës, skicohet dashuria e Ardianit me Albanën, që ka një fund të hidhur. Spektrin e kësaj linje të beftë në roman, e përplotëson dashuria e Marinës, serbe nga nëna, që në këtë luftë të llahtarshme humbi të fejuarin, Dragoljubi, një serbin etnik. Fundi tragjik i dashurisë, kuptohet i dashurisë së të tri çifteve, në rrethanat e luftës, është e pritshme dhe, teksti letrar, në këtë shpalim të ndjenjës më të bukur njerëzore, në kontekstet e luftës, vetiu i qëndron besnik, realitetit konkret, luftës shkatërrimtare, që vuri në zgrip vlerat njerëzore, e mbi të gjitha vrau dashurinë, si një lajm ogurzi, përgjithësisht i fatit të qenies, në kushtet e luftës asgjësuese të qenies njerëzore.

Krahas dy linjave, qendrore të zhvilluara në roman, të luftës dhe dashurisë, të cilat herë ecin paralel, herë tjetër shkojnë në rrugë të përveçme, ose në disa raste, ndonjëherë edhe përballëvihen si gjendje, në materien e tekstit, ndërkohë ndeshet edhe diçka më shumë:

C – Linja e prostitucionit, ka madje fati i Linditës nga Vlora, viktimë e krimit shqiptar, e cila në spital, takohet me Teutën, fati i të cilës ishte nëpërkëmbur nga bishat serbe që ditëve të luftës e kishin përdhunuar dhe shpërfytyruar si qenie njerëzore, duke evidentuar kështu ngjyrat e krimit që ka vënë në qendër shkatërrimin e fatit të femrës, në të gjitha hapësirat. Narratori i gjithëpranishëm

Narratori i gjithëpranishëm

Tipologjia e rrëfimtarit autor, si një atmosferë e gjithëdijes i ka dhënë dorë autorit, që brenda kohës reale, të harkut 1998-1999, që ndërkaq në shenjat identifikuese, pothuajse përkon me kohën letrare, mundësohet që të shpalojnë klimën e luftës, egërsinë e serbëve, ikjen biblike të shqiptarëve, qëndresën dhe sakrificën e luftëtarëve të UÇK-së, gjithnjë pa harruar bombardimet e NATO-s, sa shpesh herë autori fanitet si të ishte një kronikan që e njeh mirë terrenin, që madje sikur ka qenë dëshmitar i ditëve të zeza, kur shqiptarët dëboheshin nga shtëpitë e tyre, kur qytetarët masakroheshin dhe dhunoheshin pa grimën e mëshirës. Pranë rrëfimtarit të gjithëdishëm, ndonëse të padukshëm, që dëshmon dhe tregon vuajtjet, sakrificat, luftën e pabarabartë, shpesh shfaqet edhe si një narrator i brishtë, që skicon dhe shqipton linjat e dashurisë, me gjithë shkëlqimin dhe tragjiken, zbulimi i tyre, vjen në fjalën e përshkrimit të narratorit, por diçka më tepër shenjë zohet në dialogun e protagonistëve, që shqiptohet me kolorit të qartë identifikues, të palëve ndërluftuese, si dhe të niveleve të përfaqësimit social, ku madje pavarësisht rrethanave të pazakonta, me gjasë ekzistenciale, karakterizohen dhe plazmohen në të gjithë përmasat protagonistët, me gjuhën e personazhit, që zbulohet në ligjërimin e ngjyresave, të mjedisit ku luhen ngjarjet, realisht të pazakonta.

Për të hyrë në marrëdhënie me këtë botëperceptim narrativ, vlen sugjerimi Umberto Eco-s: “Në të vërtetë, si estetika e pranisë edhe ajo e mospranisë kthehen në përpjekje për të ruajtur në procesin konkret përmes të cilit njerëzit flasin mes tyre “një realitet të kulluar” të artit, i cili pastaj duhet të arsyetojë pashprehshmërinë, pasurinë e përcaktimeve që ruan vepra pa marrë parasysh asnjë anatomi strukturale dhe asnjë dhunim pozitivist…”, si një optikë që ndikon për të cekur kumtet e realitetit letrar. Po ashtu, edhe në projektimin e realitetit letrar, me shumë gjasa e skicuar si një ëndërr e pastër, ku narratoriautor, që më së shumti shpallet me gjithëpraninë për të sendërtuar hapësirën tekstologjike, me një model narrativ, të rrëfimtarit të gjithëdijshëm. Vetiu, prania e narratorit-autor, si një shenjë gjithëpranie, ka mundësuar vijimin e kushteve të luftës, e atyre rrethanave të pazakonta, njëherit duke skicuar edhe linjat e pranishme të dashurisë së protagonistëve kryesorë të romanit, si ngjyresë që e shpërfytyron dhe largon tmerrin e luftës, e po kaq rrjeta narrative, si shenjëzim gjithëprania, projekton dhe portretizon ëndrrat njerëzore, në portretizimin e tyre, si përshkrim dhe replika që shkëmbejnë ndërmjet personazheve, që dukshëm krijojnë atmosferën e luftës, por edhe e dëshirës për jetën, që afrohet nga prania kaq e gjerë e linjës së dashurisë.

REALITETI DHE ËNDRRA

Në faqet e librit ndeshim të shpallur realitetin konkret, luftën e tmerrshme dhe shkatërrimtare, për t’i larguar shqiptarët nga trojet e veta, nga gjiri i Dardanisë, me anë të egërsisë së paramilitarëve përdhunues dhe shkatërrimtar të jetës. Në sfondin e përgjakjes, e përdhunimeve makabër të serbëve, pra e një gjenocidi shtetëror, si një ilaç frenues, me shumë mundësi, si një amnezi shpirtërore, në sheshin e betejës, ndërkaq autori portretizon dashurinë njerëzore, në disa pamje. Pranëvënia e realitetit tronditës të vrasjeve, dhunës më të egër, si dhe të përzënies së shqiptarëve të Kosovës, nga trojet e veta dhe shqiptimit të ngjyrave të linjës së dashurisë, ndjenjës që shpërthen edhe në gur, ndjenjës që mundëson vijimësinë e ekzistencës së qenies njerëzore, është shenja befasuese e botës romanore. Nëse realiteti i luftës, pra koha konkrete dhe letrare, ndërkohë shpalohet qartësisht në disa pamje:

Së pari: Si një sulm i egër, kafshëror i paramiltarëve dhe ushtrisë serbe, që suksesin e luftimeve e bazojnë te egërsia, terrori, përdhunimi, pra duke shkatërruar gjithçka.

Së dyti: Veprimet e trupave të NATO-s, e cila zhvillon një luftë moderne, me sulme të befasishme nga ajri, të cilat në faqet e librit vijnë e shprazen si lajmëtar të lirisë së Kosovës.

Së treti: Në faqet e librit pjesë e klimës së realitetit të luftës, është po kaq edhe shfaqja dhe luftimet e UÇK-së, djemve dhe vajzave të Kosovës martire, që janë gati të japin jetën për lirinë e atdheut.

Sfondi i luftës, i tmerrit të përjetuar atëbotë, i cili përfaqëson të vërtetën e hidhur, të tragjedisë së përjetuar, ndërkohë që në faqet e romanit, autori ka pranëvënë linjën e dashurisë, që megjithatë zbut sadopak tmerrin dhe absurdin e luftës. Në humnerën e luftës, e urrejtjes patologjike, në mes serbëve dhe shqiptarëve, qysh në krye të romanit, rrezitet dashuria e Teutës, me serbin Mirosllav, që në pamje të parë duket si e pamundur, si jo normale, sikur të ishte e stisur. Teksti i romanit “Dashuri në detin e urrejtjes”, në hapësirën tekstologjike, ofron atmosferën e një dashurie, e cila ka lindur shumë kohë më parë se sa dëbimi i shqiptarëve nga trojet, e një dashurie të pastër, të cilën lufta vetëm sa e përforcon. Megjithatë, linja e dashurisë së dy fqinjëve, vjen e plot në realitetin e ndërthurjes së dy linjave, luftës dhe dashurisë, porse ndërkohë formësohet edhe në një mënyrë tjetër, sepse dashuria mbetet një ëndërr që shqiptohet në disa episode:

-Ëndrra e dasmës së Teutës me Mirosllavin, e cila zë fill në faqen 71 dhe shkon deri në faqen 78, ku narratori i gjithëdijes, e zbulon të vërtetën e linjës së dashurisë, kur shkruan: “Por zhurma e thyerjes së gotave, ia kishte bërë copë e çikë ëndrrën… (2023: 78), si tregues që dashuria e tyre mbeti ëndërr.

– Takimi i pazakontë, i Teutës me Mirosllavin, në bregun e liqenit të Ujmanit, që nis në faqen 105-111, e në fund të pasazhit, sërish ajo kthehet në realitet, kur narratori shprehet: “Teuta u zhgënjye dhe u dëshpërua që e gjitha kjo kishte qenë thjesht një ëndërr e bukur. “(2023: 110).

– Ngjarje brenda ngjarjes, ose një retrospektivë e gjetur, pra një kthim mbrapa, në kohën kur Bojko, ishte si ushtarak në Bosnje, ku madje sillen në kujtesë, përdhunimet e tij, si dhe tradhtitë e Radmillës, e cila zë fill në faqen 183-192, duke sjellë pranë lexuesit një anë të panjohur, por edhe të beftë, në sendërtimin e larmisë së romanit.

– Një ngjarje tjetër, ose “kujtimi i tradhtisë”, që kishte bërë Radmilla ne Hysenin, që fillon në faqen 193-204, ku zbardhet flirti i dikurshëm, që ka sjellë në jetë Marinën.

– Dashuria e përmbysur në zhgjëndërr, që zë fill në faqen 302 – 304, ku ndeshim frazën: “Fatmirësisht, po atë çast i ishte grisur edhe ëndrra!” (2023: 304), që vjen si një prelud që ul siparin e një dashurie të vrarë nga lufta, ndonëse lindi në rrënjët e urrejtjes së tmerrshme, që është ulur në marrëdhëniet në mes serbëve dhe shqiptarëve.

Romani “Dashuri në detin e urrejtjes” është një tablo e luftës, që sendërton magjinë e dashurisë në mes urrejtjes, si një qasje dhe sugjerim, i portretizimit të kohës së rropamave të luftës, të mënisë shekullore që brenë jetën dhe bashkëjetesën e shqiptarëve me serbët, duke plasuar një realitet letrar, ku lufta solli lirinë e Kosovës, por njëherit vrau shumë ëndrra, vrau ëndrrat e dashurisë, duke projektuar një tekst, ku jeta dhe imagjinarja, në sendërgjimin e botës romanore, janë shpallur në ekuilibër, etik dhe artistik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura