Dalin diplomat e Maturës, bum kërkesash për studime jashtë

Jul 18, 2016 | 20:16
SHPËRNDAJE

Disa javë pas përfundimit të provimeve me detyrim, prej disa ditësh maturantët kanë në dorë diplomat e Maturës bashkë me certifikatën e notave.

Universiteti i Vlores
Universiteti i Vlores

Me të marrë këtë dokument, shumë prej tyre janë dyndur në zyrat e Ministrisë së Arsimit për të njësuar dokumentin, me qëllimin e vetëm për të aplikuar për studime jashtë vendit.

Sipas burimeve në MAS, vetëm në tri ditët e para, në zyrat e njësimit të diplomave janë dyndur mbi 1 mijë maturantë, të cilët duan t’ia besojnë formimin e tyre të mëtejshëm një prej universiteteve të shteteve fqinje apo më tej.

Kjo ka bërë që punonjësit e ministrisë të detyrohen të punojnë me orë të stërzgjatura për të përmbyllur procesin e ekuivalentimit të notave për aplikuesit e shumtë.

Shifra shkon shumë më tepër nëse një mijë aplikuesve të parë u shtohen edhe ata që e kanë kryer njësimin e diplomave, që vitin e kaluar dhe aplikojnë sërish për të ndjekur studimet jashtë.

Gjithsesi, bëhet fjalë vetëm për ditët e para, pasi universitete të ndryshme lënë afat edhe për të paktën disa javë.

Vetëm ata që donin të studionin në Gjermani mund të thuhet se e kanë humbur shansin, pasi aplikimet u mbyllën që më datë 10 korrik.

Çdo vit, mbi 3 mijë maturantë zgjedhin të studiojnë jashtë vendit, por sivjet shifrat dukshëm janë më të larta. Shkak për këtë janë bërë edhe pakënaqësitë e shprehura vazhdimisht ndaj vlerësimit të provimeve të Maturës Shtetërore e madje gjithë skema e pranimeve për në universitete, që këtë vit u është nënshtruar ndryshimeve sipas ligjit të ri të arsimit të lartë.

Përveç këtyre të fundit, fluksi i lartë për njëvlershmërinë e diplomave është shtuar edhe nga të rinj që kanë përfunduar shkollën e mesme në një nga universitetet e huaja e duan të kthehen në Shqipëri.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura