“Coronavac”/ Shqipëria vaksinon personat mbi 60 vjeç, OBSH: Jo efektive nën këtë moshë

May 7, 2021 | 10:07
SHPËRNDAJE

Vaksina kineze “Coronavac” është efikase te të rriturit nën 60 vjeç, por nuk ka prova të mjaftueshme për mbrojtjen e personave mbi këtë kufi moshor.

vaksinimi i mesuesve (3)

Kjo është fjala (jo e fundit) e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pas analizimit të fazës së tretë të testimit të “Coronavac” në Kinë, Brazil, Indonezi dhe Kili. Handikapi qëndron në faktin se kufiri moshor i të gjithë atyre që janë vaksinuar deri më tani në vendin tonë janë pikërisht të moshuarit, te të cilët injektimi thuajse nuk bën punë.

Vlerësimi i ulët është pjesë e përfundimeve paraprake mbi efikasitetin e vaksinës që po përdoret për imunizimin masiv të popullatës në Shqipëri, ku OBSH-ja thotë se firma kineze nuk ka paraqitur të dhëna bindëse për efektet e rënda anësore që mund të shfaqë injektimi i kësaj doze te disa pacientë.

Efektiviteti i ulët i vaksinave kineze në përgjithësi është pranuar edhe nga zyrtari më i lartë i kontrollit të sëmundjeve në Kinë, i cili tha se po konsideron përzierjen me vaksina të tjera për të rritur efektivitetin.

Vetë ky shtet e ka nisur mbrapsht procesin, duke synuar imunizimin jo nga të moshuarit që janë më të rriskuar, por nga të rinjtë. Nga ana tjetër, shtete si Kili apo Turqia, që renditen në krye të listës botërore për vaksinimet, po përballen me shifra alarmante dhe janë drejt një tjetër izolimi.

VLERËSIMI PARAPRAK

Teksa shprehet besimi i plotë për efikasitetin për moshat deri në 59 vjeç, ekspertët e pavarur të OBSH-së thonë se firma kineze nuk ka paraqitur të dhëna bindëse për efektet e rënda anësore që mund të shfaqë injektimi i saj. Mungesë të dhënash ka sidomos për sigurinë te gratë shtatzëna dhe ata mbi 60 vjeç.

“Ne jemi shumë të sigurt se 2 doza të BBIBP-CorV janë efikase në parandalimin e COVID-19 te të rriturit (18-59 vjeç).

Ne kemi besim shumë të ulët në cilësinë e provave që dëshmojnë se rreziku për efekte të rënda anësore, pas një ose dy dozash të BBIBPCorV-së te të moshuarit (60 vjeç e sipër), është i ulët”, citohet në dokumentin e vlerësimit paraprak të OBSH-së.

Dy vaksinat kineze, ajo e “Sinovac” dhe “Sinopharm”, janë prej javësh në lupën e OBSH-së.

Prestigjiozja “Reuters” ka arritur të sigurojë raportin paraprak me një analizë nga grupi këshillimor teknik i OBSH-së, në të cilin ka rezerva të theksuara mbi përdorimin e kësaj vaksine. Por nuk përjashtohet edhe dhënia e dritës jeshile për përdorim emergjent, në kuadër të programit të COVAX, që synon të çojë sa më shumë vaksina, kryesisht në vendet e varfra. Po gjithashtu, një miratim i tillë do të siguronte një miratim thelbësor ndërkombëtar për një vaksinë të prodhuar në Kinë. “Sinovac” është autorizuar për përdorim në 32 vende, ndërsa janë shpërndarë mbi 260 milionë doza të saj.

Edhe Shqipëria me studim mbi efikasitetin e “Coronavac”

Me masivizimin e procesit të vaksinimit, Shqipëria ka nisur një studim për të matur, veç të tjerash, edhe efikasitetin e vaksinimit.

Këtë e ka zbuluar Iria Preza, specialiste e programit kombëtar të vaksinimit në ISHP, pa dhënë asnjë detaj më tepër, për shkak se studimi është në fillesat e tij dhe kohës së shkurtër që i bën të dhënat dinamike.

“Nga vaksina kineze nuk ka pasur efekte të padëshiruara madhore. Në interesin tonë është të shikohet në vazhdimësi edhe për të parë sa efektivitet ka kjo vaksinë. Ky do të ishte një studim shumë i rëndësishëm, pasi bëhet fjalë për të dhëna nga vendi. Duhet të keni parasysh se studime mbi efikasitetin e vaksinës, ashtu siç kanë bërë vendet e tjera, edhe Shqipëria ka filluar të bëjë. Jemi gjithë kohës duke punuar dhe ka të dhëna”.

Ajo që ka më tepër rëndësi në këtë mes, sipas saj, nuk është lloji i vaksinës, por shmangia e hospitalizimeve dhe fataliteteve. Duke qenë se janë krijuar një larmi dozash (“Pfizer”, “AstraZenenca”, “Coronavac” dhe “Sputnik”), Preza foli për më të sigurtën dhe të preferuarën, atë të “Biontech”, që nuk jepet për përdorim në masë, por për kategori të caktuara.

“Aktualisht me ‘Pfizer’ janë duke u vaksinuar një listë e gjatë personash që e kanë të gjithë mjekët e familjes, siç mund të jenë dializë, tumore e të tjera. Kjo për arsye se për këtë vaksinë ka më shumë të dhëna dhe tregon që këta persona mund të krijojnë njëfarë mbrojtjeje në qoftë se e kryejnë vaksinën”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura