Çfarë pritet pas gjuhës së ashpër

Jun 15, 2018 | 10:41
SHPËRNDAJE

leonidha-mertiri-150x150LEONIDHA MËRTIRI

Ditët e fundit, gjuha e liderëve të të dyja palëve, Serbisë dhe Kosovës, në momente të ndryshme është ashpërsuar më tepër, polemikat ndaj njëri-tjetrit vinë dhe shumëzohen. Duket se pas kësaj, procesit të dialogut i krijohet tërë hapësira e nevojshme që të mbetet në vend apo të vijë duke u zbehur e t’i duhet kohë të marrë veten për arritjen e marrëveshjes së nevojshme. Në një takim të kohëve të fundit me homologun në Qipro, Anastasiades, vendi i të cilit nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, së bashku me shtetet e tjera të BE-së, Greqi, Spanjë, Rumani, Sllovaki, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e mprehu më tej gjuhën.

Sipas saj, ajo i adresohet “cilitdo që Serbisë i drejtohet me gjuhë shantazhi, kërcënimi, ultimatumi për të pranuar atë çka është në interes ekskluziv për shqiptarët”. Dhe kjo është brenda atij konteksti të njohur në Serbi, që shfaqet në forma të ndryshme, diku si ambicie për ndryshim kufijsh e deri në legjenda të tjera të “madhështisë serbe”. Një gjuhë e tillë, edhe pse te presidenti serb nuk kanë munguar herë-herë dhe qëndrimet e moderuara, i bën të shëndetshme këto të fundit dhe ekstremistëve veç u jep zemër. Në fund të fundit, ajo nuk krijon një klimë pozitive, sidomos tani, për rifillimin e procesit të dialogut.

Në këtë mënyrë, vetëm e zvarrit procesin dhe situatën e komplikon më tej, në vend të normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve. Përballë kësaj tabloje, sikurse jam ndalur dhe në shkrime të mëparshme, luhaten dhe opinione, madje deri në bindje, rreth çështjes së Kosovës, brendapërbrenda politikanëve serbë, disi më larg polemikave të ashpra. Nënkryetarja e Partisë Socialiste Serbe (SPS), Slavica Gjukiç Dejanoviç, kryetar i partisë të së cilës është Ivica Daçiç, ministri i Jashtëm aktual, ish- kryeministër, i njohur për radikalizmin e tij, e shikon tejzgjatjen e konfliktit të ngrirë me Kosovën aspak në interes të njerëzve.

Për të duhet gjetur sa më shpejt zgjidhje kompromisi. “Duhet të jemi të vetëdijshëm,- pohon ajo këto ditë për Agjencinë Serbe të Lajmeve “Tanjug”, se çështja e Kosovës nuk mund të zgjidhet pa bisedime dhe kompromise dhe se është iluzion të mendohet se mund ta ruajmë Kosovën”. Qëndrime si ky nuk janë të vetmit. Çështja është ta shohësh realitetin më në sy. Sepse, së pari, nuk mund të vazhdosh të injorosh edhe tani, pas tetë vjetësh, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 22 korrik 2010, sipas të cilit, Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës është në përputhje me Ligjin Ndërkombëtar dhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKBsë.

Së dyti, ka një realitet të prekshëm: nuk mund të zhvlerësosh faktin që gjatë këtyre viteve 115 shtete e kanë njohur Kosovën. Së treti, nuk mund të mos merret në konsideratë fakti që, anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Europian është i lidhur me kushtin e BE-së për njohjen e Kosovës para këtij anëtarësimi, edhe pse diplomacia e ashpër e saj përpiqet të bindë vende të ndryshme për të ecur në këtë rrugë apo që të tjerët të tërhiqen nga njohjet e deritanishme.

Autoritete të larta të Kosovës, nga ana tjetër, kjo diku dhe për kapital politik, deklarojnë se refuzojnë në mënyrë kategorike dialogun me Serbinë, nëse, sipas tyre, nuk flitet për të gjitha marrëveshjet, se kërkojnë zbatimin e secilës prej tyre ose asnjerën. Polemika të tilla të ashpra, bërë nga të dy palët vetëm e mpijnë dialogun dhe u hapin udhë akuzave të ndërsjella. Zyrtarë të lartë të Serbisë dhe më tej nuk e kanë për gjë t’i etiketojnë homologët e tyre të Kosovës si “lordët e luftës”, që frenojnë dialogun, teksa këta të fundit u përgjigjen me të njëjtën monedhë.

Sikurse thamë, vështirë pas këtij lloji komunikimi dialogu të shkojë në kah pozitiv. Ndërkohë, sipas disa mediave, 27 qershori do të jetë dita e parë e fazës së fundit të dialogut, fazë që shikohet me “kompromise të vështira”, megjithëse kjo datë nuk është konfirmuar zyrtarisht. Çka bie gjithashtu në sy, Kosova ende nuk e ka ndarë mendjen për këtë proces. Kjo lidhet me atë që partitë në opozitë, por dhe në koalicionin qeverisës, kundërshtojnë pranimin e Hashim Thaçit për kryenegociator në bisedimet me Serbinë. Partitë politike vazhdojnë të mos gjejnë konsensusin për këtë problem, kur Thaçi është president dhe Kushtetuta ia jep këtë të drejtë.

Por, me sa duket, dialogu dypalësh mund të vazhdojë pa miratimin e Kuvendit. Sakaq, platforma e këtij dialogu është tërhequr nga Kuvendi. Kosova kërkon ekipin e ri që do të negociojë. Kush do të jetë pjesë e këtyre bisedimeve? Pakënaqësitë ndaj njëri-tjetrit fryhen e bëhen kacekë. Të mbetesh në të marrurit me veten, do të thotë të vonosh çka kërkohet. Me fjalë të tjera, produktivitet zero. Është kjo arsyeja që e bën shefen e Zyrës Europiane në Prishtinë, Natalija Apostolova, të kritikojë për këtë kabinetin qeveritar të Kosovës, por edhe për ngathtësi në mosplotësimin e prioriteteve, të përfshira në Marrëveshjen e StabilizimAsociimit(MSA).

Ndërkohë, kjo mospërfillje apo inferioritet ndaj negociatave, nuk mund të mos favorizojë palën tjetër dhe simotrat e saj, të interesuara që vetëm të flitet dhe të mbeten larg realizimeve të nevojshme. Bashkimi Europian, nga ana e vetë, nuk mund të pajtohet me gjuhën e ashpër të cilësdo palë, pas së cilës vetëm rëndohen situatat. Ai duhet të jetë më unik ndaj këtyre qëndrimeve, nëse e ka seriozisht dhe se një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme duhet të vendoset për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, në rrugën drejt BE-së, siç raporton këto ditë dhe raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë, David McAllister.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura