Çfarë pasojash do të ketë në Shqipëri lufta në Ukrainë? Ja analiza e BSH për ndikimin tek bankat

May 3, 2022 | 12:43
SHPËRNDAJE

Banka e Shqipërisë vlerëson se bankat që veprojnë në Shqipëri nuk pritet të ndjejnë një ndikim të rëndësishëm nga zhvillimet e lidhura me luftën në Ukrainë.

Banka-e-Shqiperise-1-mars-2022-scaled (1)

Në vijim të agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe sanksioneve që po ndërmarrin vendet e Perëndimit ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, Banka e Shqipërisë ka kryer një analizë për të vlerësuar ndikimin e mundshëm të këtyre zhvillimeve ndaj bankave që operojnë në Shqipëri. Në teori, ky ndikim do të kishte si kanal transmetimi ekspozimet eventuale ndaj subjekteve ruse, ukrainase apo edhe bjelloruse.

Si ekspozim mund të konceptohet prania e bankave me kapital nga këto vende në Shqipëri, prania e aktiveve apo pasiveve që mbahen në bilancin e një banke që operon në Shqipëri, ndaj subjekteve ruse, bjelloruse apo ukrainase, prania e filialeve të bankave që veprojnë në vendin tonë, në shtetet e përfshira dhe ndërlidhja për shkak të marrëdhënieve të pronësisë me banka ose institucione të tjera financiare që kanë ekspozime në këto vende.

Në Shqipëri nuk veprojnë banka me kapital që kontrollohet nga subjekte juridike apo fizike me origjinë ruse, bjelloruse apo ukrainase. Mbështetur në të dhënat e plota të raportuara nga bankat deri në fund të janarit 2022 dhe në vijim të komunikimeve operative të ditëve të fundit, rezulton që sektori bankar kishte një ekspozim në anën e aktivit të bilancit, i cili llogaritet sa 0.34% e vlerës së aktiveve të sektorit bankar ose 3.4% e vlerës së kapitalit aksionar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, provigjionimi eventual i kësaj vlere nuk ndikon në mënyrë të rëndësishme gjendjen e kapitalit dhe atë të likuiditetit të sektorit bankar. Secila bankë që operon në Shqipëri nuk ka detyrime të përfillshme ndaj subjekteve ruse, bjelloruse apo ukrainase.

Bankat që operojnë në Shqipëri nuk kanë degë apo filiale të tyre në Rusi, Bjellorusi apo Ukrainë.

Ndërkohë, disa nga grupet bankare evropiane që kanë filiale në Shqipëri, kanë degë apo filiale në Rusi, Bjellorusi apo Ukrainë, por edhe ekspozime të bilancit apo marrëdhënie pronësore me subjekte fizike dhe juridike ruse. Megjithatë, analiza e Bankës së Shqipërisë tregon se aktualisht gjendja financiare e këtyre grupeve bankare europiane është mjaft e mirë, duke ofruar një rezistencë të fortë ndaj goditjeve eventuale që burojnë nga struktura e grupit.

Gjithashtu, struktura e kapitalit të këtyre grupeve bankare evropiane nuk duket se paraqet ndonjë varësi kritike ndaj aksionarëve me origjinë ruse apo bjelloruse. Instrumentet në dispozicion të autoriteteve mbikëqyrëse europiane mundësojnë ndryshimin e shpejtë të strukturës së aksionarëve në rast nevoje dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë financiare të institucionit.

Gjatë muajit mars 2022, vetë grupet bankare kanë dhënë vlerësime lidhur me ndikimet që mund të rrjedhin nga luftimet në Ukrainë dhe sanksionet e vendosura ndaj subjekteve ruse apo bjelloruse. Me gjithë vështirësitë objektive për të zhvilluar veprimtarinë në Ukrainë, grupet bankare vlerësojnë se ndikimi negative është aktualisht i përballueshëm. Arsyet lidhen kryesisht me vlerat e ulëta të ekspozimit neto të bilancit, mungesës së një ndërlidhjeje të rëndësishme duke qenë se filialet e zonës së konfliktit mbështeten thelbësisht në burimet vendase dhe veprimeve korrektuese që grupet bankare kanë ndërmarrë deri tani.

Për bankat që operojnë në Shqipëri dhe që janë filiale të këtyre grupeve bankare, ndikimet që mund të rrjedhin nga struktura e grupit vlerësohen të kufizuara. Këto banka janë të mirëkapitalizuara, gjenerojnë fitim, janë likuide dhe mbështeten në burime financiare të subjekteve juridike dhe fizike shqiptare.

Ndaj, në tërësi, vlerësohet se bankat që veprojnë në Shqipëri nuk pritet të ndjejnë një ndikim të rëndësishëm nga zhvillimet në Ukrainë dhe sanksionet e vendosura ndaj subjekteve juridike e fizike ruse dhe bjelloruse.

Gjithsesi, situata është ende në zhvillim, ndaj Banka e Shqipërisë shrehet se do të jetë e angazhuar maksimalisht për monitorimin dhe vlerësimin e ndikimit të zhvillimeve mbi sektorin bankar. Sipas Bankës së Shqipërisë, kuadri i instrumenteve monetarë, prudencialë dhe të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, mbetet i përshtatshëm për të ruajtur stabilitetin e sistemit financiar.

MONITOR

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura