Çështja Habilaj/ Edhe nga arratia lëshon prokurë për avokatin, ish-drejtori i Policisë së Vlorës kërkon mbylljen e hetimit

Sep 16, 2018 | 19:39
SHPËRNDAJE

I shpallur në kërkim nga drejtësia si person i përfshirë në trafikun e drogës të bërë nga grupi i “Habilajve”, Jaeld Çela, ish-shefi i Policisë Vlorë, ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për zgjatjen e hetimeve me tre muaj të tjerë.

Ankimimi është bërë nga avokati i tij dhe pritet që seanca për shqyrtimin e kërkesës të mbahet më 21 shtator. “Panorama” mëson se Gjykata e ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për zgjatjen e afateve të hetimit edhe me tre muaj rreth 10 ditë më parë për dy ish-komisarët e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela dhe Gjergj Kohila, të dyshuar për lidhje me bandën e Habilajve në trafikun e drogës. Të dy ish-komisarët janë ende në arrati. Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka shtyrë afatin deri më 20 nëntor 2018 për shkak të kohës që nevojitet për analizimin e tabulateve telefonike, por edhe për pyetjen e personave që mund të kenë dijeni për veprat penale.

Moisi-Habilaj

Urdhërarrestet për Jaeld Çelën dhe dy ish-zyrtarët e tjerë të Policisë së Vlorës, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode u lëshuan në nëntor të vitit 2017. Prokuroria përmend në dosje se për kryerjen e veprimtarisë kriminale, dy vëllezërit, Moisi dhe Florian Habilaj, gjetën mbështetjen e ish-shefit të Stacionit të Policisë Kufitare të Dhërmiut, Sokol Bode, i cili mbajti këtë detyrë nga dhjetori i 2013-s deri në maj të 2016- s.

Jaeld Çela

Dyshohet se ish-zyrtari Bode i siguroi grupit zhvillimin e lirshëm të aktivitetit, përmes shmangies së kontrolleve policore, thuhet më tej. Në këtë aktivitet kriminal, shefi i Policisë Bode, krahas implikimit me trafikantët e grupit, ka bashkëpunuar edhe me dy ish-zyrtarë të tjerë të Policisë, drejtorin Jaeld Çela dhe shefin kundër Drogës dhe Trafiqeve, Gjergji Kohila.

Ish-drejtori i Policisë ka mbajtur në përdorim 3 numra telefoni, në të cilat rezulton se ka komunikuar me Florian Habilajn dhe Gentian Cekën, që është shoferi i ishministrit të Brendshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura