“Call center” në Shqipëri, Ekonomi: 95% nuk mbyllen

Dec 13, 2016 | 9:20
SHPËRNDAJE

Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, deklaroi dje se 95 për qind e kompanive “call center”, që operojnë në Shqipëri, nuk do të mbyllen nga miratimi i ligjit italian.

16-10-22-04-23-06banner_ekonomi

Ministrja Ekonomi tha se ligji ka si qëllim të rregullojë aktivitetin informal në Itali, ndërsa për kompanitë që operojnë jashtë vendit, afati për zbatimin e rregullave të reja është 90 ditë. “Ligji i ‘call center’- ave është pjesë e ligjit të buxhetit në Itali dhe, në fakt, ai kërkon të rregullojë aktivitetin informal të ‘call center’- ave në Itali.

Duke dashur të rregullojë këtë gjë, mund të ketë një pasojë edhe në Shqipëri, por jo aq sa ne po e dëgjojmë së fundmi, pasi ai rregullon më shumë ato që kanë të bëjnë me ‘inbound’, me shkëmbimet telefonike që bëhen brenda territorit. Në Shqipëri funksionojnë më shumë ‘outbound’, ndërkohë që ligji u ka lënë kohë këtyre ‘call center’ave që të kenë mundësi të raportojnë për gjendjen e biznesit të tyre për një periudhë prej 90 ditësh.

Nga të dhënat zyrtare, deri tani në Shqipëri punojnë 804 kompani, të cilat kanë të punësuar rreth 25 000 veta. Nga këto, pjesa më e madhe, më shumë se 95%, japin shërbim të ‘outbound’-it. Pra 95% nuk kanë për t’u prekur nga ndryshimet ligjore që po ndodhin në Itali”, shpjegoi Ekonomi. Sipas ministres së Ekonomisë, edhe 5-përqindëshi që preket nga ligji, ka afat 90 ditë për zbatimin e kërkesave të ligjit.

“Për pjesën tjetër, është një diskutim lidhur se si kanë për t’i plotësuar kërkesat e këtij ligji që vjen sot nga Italia. Në Shqipëri funksionojnë më shumë ‘outbound’, ndërkohë që ligji u ka lënë kohë këtyre ‘call center’-ave që të kenë mundësi të raportojnë për gjendjen e biznesit të tyre për një periudhë prej 90 ditësh”, tha Ekonomi.

Ministrja e Ekonomisë shpjegoi se nuk është në kompetencat e qeverisë kthimi i ligjit në gjendje e mëparshme, ndërsa situata do të zgjidhet vetëm mes raporteve që bizneset do të kenë mes tyre. “Ata janë duke parë ligjet e tyre, pra ligjet e vendit të vet. Ndërkohë në këtë moment, marrëdhëniet janë biznes me biznes. Nuk janë marrëdhënie shtet me shtet. Kjo situatë do të zgjidhet mbi një raport që bizneset do të kenë mes tyre. Besoj se edhe ‘call center’-at në Shqipëri janë bërë gati për të ndjekur kërkesat sipas ligjit të miratuar në Itali”, tha Ekonomi.

Më herët, në një intervistë për “Corriere della Sera”, zv.ministrja italiane e Ekonomisë, Teresa Bellanova, shpjegoi se për operatorët “call center” do të jetë detyrim të thonë vendndodhjen fizike të qendrës nga telefonojnë. Më pas do të jetë klienti ai që do të vendosë nëse do të pranojë shërbimin nga një operator nga Shqipëria, brenda Italisë, apo nga një vend tjetër i Bashkimit Europian. Në rast të kundërt, nëse nuk njoftohet vendndodhja, kompania gjobitet 50 mijë euro në ditë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura