Buxheti për Gardën, Braho: Noka, je kalama. Deputeti i PD akuza Tahirit

Nov 26, 2015 | 11:30
SHPËRNDAJE

Dje Komisioni i Sigurisë Kombëtare vendosi që t’i propozojë Qeverisë rritjen e fondeve për buxhetin e Ministrisë së Brendshme, në mënyrë që të paguhen orët jashtë orarit dhe dietat e 1700 efektivëve të Gardës së Republikës.

Saimir Tahiri
Saimir Tahiri

Ministri Saimir Tahiri deklaroi dje në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë se në buxhet janë parashikuar fonde për dieta dhe pagesa për punë jashtë orarit vetëm për Policinë e Shtetit. Por deputetët e Partisë Socialiste kanë këmbëngulur që të bëhej trajtim i barabartë dhe për efektivët e Gardës, të cilët prej kohësh nuk marrin dietat dhe pagesat e shërbimeve për orët shtesë.

Deputeti i PS-së, Paulin Sterkaj, kërkoi dje nga Tahiri që të marrë masa dhe të mos bëjë trajtim të diferencuar.

“Shqetësim kam Gardën, janë 1700 forca që kanë punuar jashtë orarit. S’i kanë marrë lekët jashtë orarit, kanë dalë në punë dhe për dieta u llogaritet e gjithë dita, por me ligjin e dietave, jane pengesat jo 95 kilometra, jo filan orë dhe gardistët dalin pa dieta. Të vlerësohet Garda në këtë projektbuxhet, orët dhe dietat jashtë orarit t’i rishikohen”, tha deputeti Sterkaj.

Ministri i Brendshëm tha për Gardën se nuk ka rritje pagash, por po bëhet një studim që në të ardhmen të barazohen pagat e policisë me ato të gardistëve. Tahiri kërkoi nga Komisioni i Sigurisë që të propozojë shtimin e fondeve për ministrinë e tij.

“Jam dakord me deputetin në rast se Komisioni e vlerëson që t’i propozojë Parlamentit që t’i shtohet buxheti Ministrisë së Brendshme për të përfshirë edhe Gardën, unë jam tërësisht dakord”, tha Tahiri. Kjo kërkesë u pranua dhe nga kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, i cili tha se do të negociohet me Ministrinë e Financave.

DEBATI

Saimir Tahiri: Në qoftë se Policia ishte e nënpaguar disa herë, gjë që vështirësonte kapacitetin e punonjësve të Policisë për të bërë siç duhet detyrën dhe shtronte rrugën për praktika korruptive apo shkelje të ligjit nga punonjës të Policisë, ne zgjodhëm të rrisnim me 25% pagat e punonjësve të Policisë dhe mbi të gjitha pagat e punonjësve të Policisë në nivelin bazë.

Flamur Noka: Zoti kryetar, nuk është thërritur për buxhetin faktik, është buxheti i vitit 2016. Të flasë për buxhetin e ri.

Spartak Braho: Bëj durim tashi… Kur të vish te vendi im, drejtoje ti.

Flamur Noka: Të flasë për buxhetin e ri, se s’kemi kohë…

Spartak Braho: Atë e di ai çfarë do të thotë…

Flamur Noka: Jo nuk e di ai, atë e dimë ne se çfarë duhet të thotë. Mos të na tregojë vjersha, se nuk kemi kohë.

Spartak Braho: Ti nuk di gjë, ti bëj vërejtje kur të mbarojë ai.

Saimir Tahiri: Rritëm pagat, sepse ishin shumë herë më shumë të nënpaguar dhe ndërkohë paguam detyrimet, borxhet…

Flamur Noka (i rrëmben mikrofonin Spartak Brahos): A ka mundësi të flasësh për 2016-n? Nuk je në 2014-n këtu, oooo… Nuk kemi kohë për llogje këtu.

Spartak Braho: O Flamur, në qoftë se nuk ke kohë, ik nga mbledhja. O kalama fare nga mendja. Ore, lëre të flasë ministri!

Flamur Noka: Ore s’të ka thirr kush me bë historikun e dy vjetëve. Edhe historinë e drogës, edhe historinë e krimit. Të thërrasim herë tjetër, por fol për buxhetin, atë xhevahirin që ke…

Saimir Tahiri: Nuk dua përsëri këtu të bezdis kërkënd, duke përsëritur derexhenë në të cilën e gjetëm, qoftë Rezervat e Shtetit, për nga mungesa totale e kapacitetit për të përballuar çdo lloj emergjence, edhe fasulet ishin zhdukur…

Flamur Noka: Ty për çdo emergjencë që ndodh, po të vdes ndonjë njeri. Problem është ky apo jeta njerëzve…? Po ti merresh me fasulet, po njerëzit po ikin.

Saimir Tahiri: Mbase duhet të korrigjohem unë, i nderuar kryetar, nuk kisha fare ndërmend të thosha që i hëngri zotëria apo përfunduan në duar jo të duhura fasulet…

Paulin Stërkaj: Çfarë është parashikuar në projektbuxhet për orët jashtë orarit, sepse policia me dinamikë që është sot do të ketë ngarkesë pune. A është parashikuar gjë në buxhet për orët jashtë orarit, për dietat apo gjithë fenomenet që mund të dalin? Sepse sot, policët ngarkohen me gatishmëritë maksimale dhe janë në dispozicion të punës dhe ata duhet të shpërblehen!

Saimir Tahiri: Për Gardën nuk është parashikuar rritje e pagës. Lidhur me punën e punonjësve të Gardës, jemi në fazën e studimit për barazimin e pagave.

Paulin Stërkaj: Shqetësim kam Gardën, janë 1700 forca që kanë punuar jashtë orarit. Si i kanë marrë orët jashtë orarit, kanë dalë për dieta, u llogaritet e gjithë dita, por me ligjin e dietave, jo 95 kilometra, jo filan orë. Dalin pa dieta… Të vlerësohet Garda në këtë projektbuxhet, orët dhe dietat jashtë orarit t’i rishikohen.

Saimir Tahiri: Jam dakord me deputetin. Në rast se Komisioni e vlerëson që t’i propozojë Parlamentit t’i shtohet buxheti i Ministrisë së Brendshme për të përfshirë edhe Gardën, unë jam tërësisht dakord..

Spartak Braho: Gjatë diskutimit që do t’i bëjmë buxhetit të Ministrisë së Brendshme, nen për nen, specialistët tuaj të sjellin nevojat konkrete për sa fonde ka nevojë, me qëllim që të mbështesim Gardën me këto benefite financiare që janë të nevojshme.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura