Buxheti, paratë për pagat, pensionet dhe koncesionet

Nov 29, 2016 | 16:00
SHPËRNDAJE

Me buxhetin e ri, fatura që financon rritjen e pagave dhe pensioneve, investimet në rrugë dhe kontratat e koncesioneve llogaritet rreth 91 miliardë lekë. Qeveria parashikon të shpenzojë 6.2 miliardë për rritjen e pagave, e cila nis nga 1 marsi dhe 2.9 miliardë lekë për rritjen e pensioneve.

Për financimet e projekteve në rrugë do të përdoren 74.4 miliardë lekë, ndërsa për 8 kontratat e koncesioneve mbështetja e buxhetit llogaritet 7.2 miliardë lekë.

Qeveria

PENSIONET

Pensionet për pensionistët në fshat dhe qytetet do të rriten 3 për qind. Fondi që do të vihet në dispozicion nga buxheti llogaritet në vlerën e 2.9 miliardë lekëve. Përfitues do të jenë 635 mijë pensionistë në të gjithë vendin. Në 2017 do të shtohet edhe numri i pensionistëve që përfitojnë pension social. Pensioni social është vendosur 6700 lekë në muaj për të moshuarit që nuk plotësonin kushtet. Në vitin 2015 përfituan pension social 1175 qytetarë. Në 2017, numri i qytetarëve përfitues të pensionit social do të jetë 5070 qytetarë.

PAGAT

Nga 1 marsi, pagat e punonjësve të administratës do të rriten 10 për qind. Me buxhetin, qeveria do të alokojë fondin në masën 6.2 miliardë lekë për një periudhë 10-mujore. Ndërsa fondi vjetor për rritjen e pagave llogaritet 7.5 miliardë lekë. Nga rritja do të përfitojnë 110 mijë punonjës të administratës, ku 81 mijë punonjës janë buxhetorë dhe rreth 29 mijë punonjës të tjerë janë mjekë, infermierë, punonjës të policisë, mësues dhe pedagogë. Pagat e ulëta për buxhetorët do të rriten 36.3 për qind, ose me 8 mijë lekë në muaj. Përfitojnë 6.900 punonjës të administratës dhe fondi për rritjen është 1 miliard lekë. Ndërsa pagat për nëpunësit e administratës do të rriten 7 për qind. Paga për mësuesit dhe pedagogët do të rritet 10 për qind.

Numri i përfituesve është gjithsej 38 mijë punonjës të arsimit. Fondi i parashikuar për t’u akorduar për këtë qëllim arrin në 1.8 miliardë lekë. Edhe pagat e 18.500 mjekëve dhe infermierëve do të rriten 10 për qind. Fondi i parashikuar do të jetë 1.5 miliardë lekë. Rritjen e pagës së 10 mijë punonjësve të Policisë së Shtetit do të jetë 10 për qind. Fondi i parashikuar për rritjen arrin 800 milionë lekë.

RRUGËT

Me buxhetin e ri, investimet publike janë planifikuar të jenë 74.4 miliardë lekë. Për investimet me financim të brendshëm janë planifikuar 46.2 miliardë lekë dhe 27.2 miliardë lekë financim i huaj. Prioritet mbetet financimi i projekteve në vazhdim. Me planifikimin e bërë për vitin 2017, qeveria parashikon të mbyllë 29 kontrata për projekte rrugësh. Konkretisht për rrugën Qukës–Qafë-Plloçë do të përdoren 2.7 miliardë lekë, për rrugën Tiranë–Elbasan 1.2 miliardë lekë, Fushë-Krujë- Milot-Morinë, 1.2 miliardë lekë.

Për vazhdimin e punimeve në bypass-in e Fierit do të përdoren 250 milionë lekë, për bypass-in e Vlorës, 900 milionë lekë dhe për bypass-in e Rrogozhinës, 31 milionë lekë. Paratë do të shkojnë edhe për financimin e rrugës Lin-Pogradec, fondi për 2017 do të jetë 1.3 miliardë lekë, ndërsa për rrugën Elbasan–Banjë do të financohen 1 miliard lekë. Për punimet e Unazës së Re Të Tiranës nga buxheti do të financohen 726 milionë lekë.

KONCESIONET

Për koncesionin e kontrollit mjekësor “check-up”, për hidrocentralin mbi lumin Devoll, për përpunimin e mbetjeve urbane në Elbasan dhe skanimin e kontejnerëve në dogana në 2017, qeveria do të shpenzojë 7.2 miliardë lekë.

Në fuqi janë 6 kontrata koncesioni që marrin mbështetje nga buxheti. Në 2017 do të startojnë edhe dy kontrata të reja. Do të jetë koncesioni për shërbimet laboratorike në spitale, ku nga buxheti do të mbështetet me 886 milionë lekë dhe koncesioni për përpunimin e mbetjeve urbane në Fier, me 675 milionë lekë. Sipas tabelës së buxhetit, paratë që shkojnë për koncesionit kapin vlerën e 2 për qind të ardhurave faktike tatimore të 2016-s.

rruget buxheti

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura