Buxheti i ri mbart probleme të vjetra

Nov 6, 2018 | 12:03
SHPËRNDAJE

AGRON HAXHIMALI/

Agron Haxhimali
Agron Haxhimali

Buxheti i shtetit për vitin 2019 parashikon që transferta e pakushtëzuar  për pushtetin vendor, sipas relacionit të Ministrisë se Financave, të përbëhet nga: a) Pjesa e Përgjithshme që rezulton nga zbatimi i pikës 2 të nenit 23 të Ligjit nr. 68, datë 27.04.2017, “Për Financat e Vetëqeverisjes Vendore”, i cili përcakton se madhësia e transfertës së pakushtëzuar për vitin 2019 është 1% e Produktit të Brendshëm Bruto të parashikuar për vitin 2019, që rezulton të jetë 17.5 miliardë lekë; b) Pjesa Sektoriale prej 7.4 miliardë lekësh nga shtesa që rezulton si pasojë e zbatimit të pikës 3 të nenit 95 të Ligjit nr. 139, datë 17.12.2015, “Për Vetëqeverisjen Vendore”, për përfundimin e periudhës tranzitore për financimin me transferta specifike të funksioneve të decentralizuara nga ky ligj dhe zbatimi i pikës 4 të nenit 23 të Ligjit 68 datë 27.04.2017 “Për Financat e Vetëqeverisjes Vendore”, që rregullon konvertimin e transfertave specifike për funksionet e decentralizuara rishtazi në nivel vendor në transfertë të pakushtëzuar sektoriale.

Në përfundim, në transfertën e pakushtëzuar të parashikuar për vitin 2019, që rezulton nga përcaktimi ligjor i madhësisë minimale prej 1% të PBB-së ose prej 17.5 miliardë lekësh, do të shtohen edhe fondet prej rreth 7.4 miliardë lekësh, për financimin e funksioneve të reja, të cilat për periudhën 2016-2018 janë financuar nëpërmjet transfertave specifike. Duke filluar nga 1 janari 2019, transfertat specifike kthehen në transferta të pakushtëzuara sektoriale, të cilat përdoren në autonomi nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Në përfundim, për vitin 2019, transferta e pakushtëzuar do të jetë 24.9 miliardë lekë. Por e parë në evolucion dhe në dinamikën që kërkohet për cilësi dhe sasi shërbimesh komunale, ky buxhet nuk u përgjigjet nevojave dhe mbetet sërish larg normave dhe raporteve pushtet vendor me pushtetin qendror. Por sa kohë niveli i borxhit të përgjithshëm është shumë më i lartë sesa kapaciteti për ta mbartur në një nivel të tillë për të dyja nivelet e pushtetit qendror dhe vendor, ecuria dhe zhvillimi ekonomik nuk pritet të shfaqen me tregues pozitivë. Referuar tabelave zyrtare të Ministrisë së Financave, stoku i borxhit të qeverisjes qendrore rezulton në vlerën 1, 091, 684 milionë lekë, ndërsa stoku i borxhit të qeverisjes vendore është 1, 153 milionë lekë.

Por pavarësisht shifrave, buxheti i bashkive për vitin 2019 ka sërish një seri dobësish si:

1-Ky buxhet, edhe me ketë nivel, nuk promovon akoma një model të ri të decentralizimit post reforme territoriale.

2- Buxheti 2019 nuk zgjidh problemin e shlyerjes së plotë të detyrimeve të prapambetura të trashëguara të njësive të qeverisjes vendore, pavarësisht faktit se janë alokuar 1.153 miliardë lekë më shumë transfertë e pakushtëzuar.

3-Sektori i arsimit nuk merr financimin e projektuar në programin e qeverisë prej 5% të PBB, por qëndron në nivelin diku te 3.4% të PBB për 2018.

4- FZHR (fondi i zhvillimit të rajoneve) sërish nuk bëhet pjesë e transfertës së pakushtëzuar të NJQV dhe se ky fond sërish kontrollohet nga interesat politike dhe të njëanshme nga qeveria

5-Funksionet e reja mbeten përsëri me buxhet të pamjaftueshëm për t’u realizuar në kushte optimale.

6- Buxheti 2019 nuk siguron decentralizimin e shpërndarjes së shërbimeve për shtresat në nevojë dhe familjet e varfra.

7-Ky buxhet sërish nuk u përgjigjet nevojave dhe domosdoshmërisë për modernizimin e pushtetit vendor dhe reformave të sektorit publik me fokus në shërbimin administrativ dhe publik vendor.

Këto dobësi të integruara në tërësinë dhe specifikat e tyre tregojnë se zhvillimi ekonomik vendor do të mbetet pezull sa kohë nuk u jepet buxhet i mjaftueshëm bashkive nga njëra ana dhe nga ana tjetër, buxheti i pamjaftueshëm imponon një nivel të ulët të demokracisë vendore si dhe qeverisje vendore jo e shëndetshme sa ajo duhet të jetë. Decentralizimi dështon kur nuk decentralizohet mjaftueshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura