Buxheti, Cani: Ulim borxhin, Bode: S’ka rritje pensionesh

Nov 24, 2015 | 8:25
SHPËRNDAJE

Prezantimi i draftit të buxhetit të ri nga ministri i Financave Cani dje në Komisionin e Ekonomisë u shoqërua me debat. Për deputetët e opozitës, buxheti nuk sjell rritje pagash, pensionesh dhe investimesh.

caniPër ministrin e Financave buxheti sjell ulje të taksave, të borxhit, sjell rritje ekonomike 3.4 për qind, e bazuar tek investimet e huaja, te përmirësimi i bilancit tregtar dhe kreditimi.

BODE PËR PAGAT DHE PENSIONET

Deputetët e opozitës thanë se ky buxhet braktis ekonominë dhe konfirmon varfërinë e qytetarëve. Deputeti i Partisë Demokratike, Ridvan Bode, tha se buxheti 2016 nuk parashikon rritje pagash dhe pensionesh dhe ul konsumin.

“Buxheti abandonon ekonominë dhe presim që rritja ekonomike të bëhet me frymën e shenjtë, kurse për qytetarët buxheti konfirmon një varfëri. Zero rritje pagash për 2016-n. Inflacioni do të jetë 2.5 për qind dhe ky është viti i tretë që nuk ka rritje pagash. Kjo gjë sjell ulje të konsumit dhe prandaj konsumi ka rënë në ato parametra si në ’97-n, një tremujor rritet 3 për qind, tremujorin tjetër ulet 6 për qind. Nuk ka rritje të reja pensionesh. Ka indeksim të tyre. Fondi i kondigjencës për rritjen e pensioneve është 1.1 miliard lekë përballë një fondi që është 120 miliardë lekë. Pra qeveria kompenson me rritjen e çmimeve pensionistët vetëm me një të tretën e inflacionit”.

CANI NUK FLET PËR SHKURTIMIN E SHPENZIMEVE

Deputetët u përfshinë dhe në debate për shkurtimin e shpenzimeve. Deputeti i opozitës, Sherefedin Shehu, i kërkoi kreut të Financave argumentet për shkurtimin e shpenzimeve, që sipas tij nuk janë reale.

Cani u përgjigj që buxheti konsolidon më së mirë politikat e qeverisë, në atë të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura dhe uljen e deficitit. “Me buxhetin janë pasur parasysh dy faktorë kryesorë. Në buxhetin e vitit 2016 ishin trashëguar 17,5 miliardë lekë shlyerje të detyrimeve të prapambetura, të cilat nuk janë. Së dyti, ne ulim deficitin nga 4,4 për qind, në 2 për qind”.

PËRPLASJA PËR TABELAT E INVESTIMEVE

Projektbuxheti i ri nuk ka një listë të projekteve, në të cilat do të investohet vitin e ardhshëm. Shqetësimi u ngrit nga opozita, ku deputetja Liljana Elmazi i kërkoi ministrit të Financave listën e projekteve konkrete ku buxheti do të kryejë financimet.

Cani u tha deputetëve se investimet drejtohen nga Ministri i Ekonomisë ahmetaj dhe i cili do t’i prezantojë në një seancë të posaçme, pasi janë përgjegjësi e tij. Në këtë debat ka ndërhyrë edhe kreu i Komisionit Braçe i cili sqaroi deputetët se lista e projekteve do t’i kërkohej ministrit para raportimit të tij në komision.

Cani: Ku ikin 7264 të punësuarit

Ministri i Financave shpjegoi dje për herë të parë uljen e numrit të administratës qendrore. Cani tha se 7264 punonjësit transferohen në pushtetin vendor dhe nuk kemi të bëjmë me shkurtim punonjësish.

“Vetëm pushtetit lokal, për arsimin parashkollor dhe parauniversitar, i janë shtuar 7101 punonjës, sa gati e zeron gjithë shifrën e uljes, se kemi bërë një transferim. Kemi edhe transferime të tjera, si të punonjësve të kalimit të sistemit të pyjeve, 172 veta. Ka të zjarrfikësve. Pra në total, ky transferim e kalon shifrën më lart, prandaj them se janë 416 punonjës që shtohen”. Ministri i Financave shpjegoi se numri i administratës në vend nuk është i kritikueshëm.

“Shqipëria është një vend që nuk ka një numër të kritikueshëm të administratës, por edhe po të ulej, nuk do ta quaja ndonjë shqetësim të madh”. Për vitin 2016 numri i punonjësve të administratës qendrore do të jetë 81,600, ose rreth 7230 punonjës më pak, që sipas ministrit transferohen në pushtetin lokal, për shkak të delegimit të kompetencave të reja.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura