“Bunkerët nuk duhen zhdukur, por transformuar”

Jan 11, 2017 | 10:00
SHPËRNDAJE

Ardhja e saj e pare në Shqipëri ishte për të takuar njeriun e zemrës, i cili kishte vendosur ta linte Italinë për të investuar në vendin e tij. Elena Pagani, gazetarja italiane që nuk është ndarë dot ende përfundimisht nga vendi i saj, u tërhoq menjëherë nga historia e vendit të ri që po vizitonte nga jugu në veri! Si shumë të huajve të tjerë, edhe asaj, gjëja e parë që i bëri përshtypje të veçantë ishin bunkerët.

Në fillim e nisi si një studim diplome, por rrugës informacionet u pasuruan, takimet e intervistat sollën aq të dhëna, sa nuk kishte pse të mos i përmblidhte në një libër… 

Elena Pagani me bashkëshortin
Elena Pagani me bashkëshortin

Si jeni njohur me Shqipërinë dhe çfarë ju ka sjellë këtu?

E njoh Shqipërinë që prej vitit 2008, kohë në të cilën bëra udhëtimin e parë në vendin tuaj, falë Marjanit, tim shoqi. Jemi njohur në Itali, ku ai gjatë asaj kohe jetonte e punonte, por kishte ndërmend të kthehej në vendin e tij. Dy javë pasi Marjani ishte larguar nga Italia, preva biletën dhe erdha ta takoj. U nisa pa e ditur se çfarë më priste. Kisha një ide në kokë, por asgjë konkrete.

Më çoi në Shkodër dhe më pas në vendin e tij, më në veri, në Malësi të Madhe. Nga viti 2008 kemi udhëtuar vazhdimisht. Ai për të më takuar në Bergamo, ku jetoja, dhe unë në Shqipëri, ku jetonte ai. Në kohët e para qëndroja në Shkodër, por më pas u transferuam në Tiranë. Kam vizituar shumë vende, nga jugu në veri, kam sjellë këtu edhe miq e familjarë të mitë. Në një mënyrë, sot e ndiej Tiranën si qytetin tim të dytë. Më pëlqen shumë!

Bunkerët janë një pjesë e njohur dhe e trajtuar e historisë së komunizmit, pse u morët pikërisht me çështjen e tyre?

Kam bërë dy punime diplome mbi Shqipërinë. I pari ka qenë në vitin 2012, mbi lindjen dhe zhvillimin e gazetarisë televizive shqiptare. Kam intervistuar Tefta Radin, Kiço Fotiadhin. Puna e dytë ishte në vitin 2014, dhe i kushtohej pjesës historike. Bunkerët më kanë kuriozuar gjithmonë: janë gjithandej dhe përpara se të vija në Shqipëri, nuk i kisha parë asnjëherë me sytë e mi. Në shumë libra kam lexuar për këtë mani të Enver Hoxhës që t’i ndërtonte për të mbrojtur popullin.

Më dukej një lloj skizofrenie. Sot mendoj që janë simbol i historisë suaj jo shumë të largët, i një të shkuare ende të afërt. Sipas meje, nuk duhen shkatërruar, por transformuar: ja pse lindi ideja e titullit “Ku bunkerët bëhen nuse pashke”. Transformimi është i mundur.

Si i keni parë bunkerët, dhe pse vendoset t’i trajtoni në një libër?

Libri ishte vazhdimësi e punës së diplomës. Nuk kisha arritur të gjeja një libër në gjuhën italiane që të përshkruante, pa rënduar shumë lexuesin, historinë e Shqipërisë në mënyrë të thjeshtë dhe konkrete. Mendoj që ne italianët duhet ta njohim historinë tuaj për lidhjet e shumta që na bashkojnë. Së pari, sepse jemi dy popuj që jetojmë kaq afër njëritjetrit; kushërinj që i ndan vetëm deti.

Shtëpia botuese “Besa” më propozoi që ta botonim librin dhe isha vërtet e lumtur. Realizoja ëndrrën time për të bërë një libër (më pëlqen shumë të shkruaj qysh kur kam qenë fëmijë) dhe për të njohur më shumë Shqipërinë përmes historisë së saj, vërtet interesante, nga këndvështrimi im; kapitulli i fundit është parë pikërisht nga përvoja personale.

Gazetarja italiane, Elena Pagani
Gazetarja italiane, Elena Pagani

Çfarë dhe sa ju është dashur të studioni për të botuar një libër rreth historisë së një vendi që nuk është i juaji?

Kam studiuar shumë, siç është e drejtë të ndodhë për një punim diplome, që as drejtuesi yt i punës nuk e njeh. Kam lexuar libra në italisht dhe anglisht, kam përkthyer artikuj nga shqipja, kam dëgjuar shumë vendas shqiptarë që më kanë treguar përvojat e tyre dhe, në fund, kam shtuar edhe unë përvojën time, atë që jetoja dhe që po jetoj ende sot. Ishte një punë vërtet e bukur.

Pse i keni krahasuar bunkerët me nuse pashkën?

Nuse pashka është një insekt shumë i bukur; thonë që është fatsjellëse! Ndryshe nga bunkerët që simbolizojnë luftën, që mbrojnë nga armiku, që janë të zymtë e të fikur. Ideja në fakt nuk ishte e imja, por pashë një bunker që ishte pikturuar si të ishte një nuse pashke e madhe në parkun e agroturizmit të mikut tim. Altin Prenga, te “Mrizi i Zanave”. Në vend që ta zhdukte bunkerin, Altini e kishte transformuar dhe tani ka pamjen e një nuse pashke, ndërsa tjetri atë të një breshke.

Mbeta pa fjalë kur i pashë! M’u duk një realizim kaq i thjeshtë për të shprehur një ide kaq të madhe: fuqinë për të ndryshuar gjërat, fuqinë për të parë përpara, drejt një të ardhmeje më të mirë, të ndryshuar, me ngjyra! Di që në Shqipërinë e Enver Hoxhës dominonte ngjyra gri, ndërsa sot Shqipëria ka shumë ngjyra!

Kopertina e librit
Kopertina e librit

Ç’marrëdhënie keni aktualisht me Shqipërinë dhe ç’elemente të historisë apo rite tonat ju tërheqin, përtej bunkerëve?

Shqipëria është për mua një vend magjik. Kam qenë shumë e lidhur me Bergamon, por nëse qëndroj larg Shqipërisë për një kohë të gjatë, më mungon. Më mungon ushqimi, vendet, mënyra e jetesës. Im shoq jeton këtu dhe po realizon një projekt mjaft ambicioz. Unë mendoj të transferohem së shpejti dhe të merrem me një aktivitet aty. Jam gazetare dhe aktualisht shkruaj për një revistë femërore, tek e cila kam bërë një speciale dedikuar Shqipërisë.

Për momentin unë jetoj me prindërit e mi në Bergamo dhe ende nuk jam gati t’i lë, ndoshta më vonë transferohen edhe ata me mua, sepse ju pëlqen shumë. Nga historia juaj më bën përshtypje se si pavarësisht gjithë gjërave që keni kaluar, vështirësive të shumta, populli ka mundur të ruajë identitetin. Çdo shqiptar, kudo ku jeton nëpër botë, nuk i harron kurrë rrënjët e tij. Lidhja juaj me tokën është një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura