“Bufeja e madhe”, “Artisti”, “Mekaniku”, kush e spiunoi piktorin Edison Gjergo? Shënimi i ish-të fejuarës: I paharruar në zemrën time

Aug 11, 2017 | 11:35
SHPËRNDAJE

Hapja e Muzeut Kombëtar “Shtëpia me gjethe”, ish-selia e përgjimit gjatë regjimit komunist ka sjellë në vëmendje edhe njëherë historinë e trishtë të piktorit Edison Gjergo. Dosja e plotë e tij, nga përgjimi te hetimi, e deri te dënimi është bërë publike për këdo që viziton muzeun.

Pseudonime spiunësh, biseda me Gjergon të riprodhuara prej tyre, rrëfejnë gjendjen në të cilën ndodhej piktori. “Jam i mërzitur se ashtu është edhe vetë natyra e njeriut, që nuk gjen rehat në këtë botë… Vullneti i njeriut është gjithnjë i kondicionuar në rrethanat në të cilat ndodhet… Të jetuarit e njeriut nuk vlen për asgjë. Këtë të vërtetë njeriu e konsumon kur vdes”, janë disa prej frazave që kish thënë Gjergo në vitin 1973, shkruhet të ketë thënë ai sipas dokumenteve të dosjes.

Edison Gjergo (ne rreth), me shoket gjate viteve te Institutit te Larte te te Arteve
Edison Gjergo (ne rreth), me shoket gjate viteve te Institutit te Larte te te Arteve

Çeljen e muzeut në maj e shoqëroi publikimi në media i dosjes, dokumenteve, ndërsa ndër vite, miq të tijtë kanë rrëfyer njohjen me të, bisedat me të, trishtimin e tij, artin e tij, natyrën e tij si edhe kanë interpretuar veprat që la pas, duke u nisur nga më e njohura “Epik e yjeve të mëngjesit”.

Muzeu është vizituar edhe nga ish-e fejuara e Gjergos në kohën para arrestimit.

Pas vizitës, në librin e përshtypjeve, ajo ka shënuar me pak radhë, historinë e saj, historinë e tyre.

“Përjetova momente tejet emocionuese nga vizita, për faktin se jam viktimë e këtyre përgjimeve të tmerrshme, që më shkatërruan çastin më të bukur të jetës”, shkruan Shpresa Leka, sipas “GSh”.

Më tej, ajo shton: “Isha e fejuar me Edison Gjergon, në maj 1974 deri në momentin kur u arrestua në janar 1975. Edisoni ishte një piktor i talentuar, modern që përjetoi ferrin komunist me burgosjen në Spaç për 8 vjet, për të vetmen arsye se ishte i talentuar dhe njeri me mendime të lira”.

Sipas Lekës, Gjergo “i fali Shqipërisë jetën e tij nëpërmjet veprës së mrekullueshme dhe vuajtjes si askush tjetër”.

Në fund, ajo shënon se mbetet ende emri i tij i lartë, kur thotë: “Edisoni mbetet në altarin e artit figurative shqiptar. I paharruar në zemrën time. Shpresa Leka”.

Spiunët që e përgjonin dhe raportonin për të mbanin pseudonimet “Bufeja e madhe”, “Artisti”, “Plani”, “Fatmiri”, “Dëshira”, “Mekaniku” etj., apo “Gjethja e mollës”. Ende nuk kanë dalë emrat e tyre, dihen sërish vetëm pseudonimet. “E vërteta është se unë dashuroj një vajzë që punon në bibliotekë në Pallatin e Pionierëve. Ajo më shfaqi simpati për punën time”, i kish thënë Gjergo një spiuni, pa e ditur që është spiun.

ARRESTIMI E DËNIMI

Edisoni arrestohet më 13 janar 1975. I gjithë rrethi miqësor i Edisonit, njerëz të njohur të artit, vihen në përpunim të detajuar. Në burg Edisonit i thuhet se ky rreth miqësor është i gjithi i arrestuar. Edison Gjergo dënohet me vendimin e 29 prillit 1975 të Gjykatës së Tiranës me 8 vjet burg me akuzën e agjitacionit e propagandës. Dënimin Edisoni e vuan në burgun e Spaçit. Është interesante se edhe në burgun e Spaçit për të pati disa denoncime nga të burgosur po për të njëjtat gjëra. Dëshira për të rrënuar shokun e qelisë i kishte vënë një pseudonim të veçantë: “Dëshira”, që shkruante në vitin 1980 se Edisoni zhvillonte veprimtari të dendur armiqësore brenda burgut.

Pas lirimit nga burgu nga më 15 nëntor 1982 nuk ishte e thënë që ta linin të qetë. Teksa punonte bojaxhi në ndërmarrjen e mjeteve mësimore “Hamit Shijaku”, afrohet këtë herë bashkëpunëtori “Mekaniku”, i cili merr vesh se Edisoni kishte thënë se punonte si skllav për të fituar bukën e gojës, se e kishin çuar aty për ta poshtëruar. Vijnë edhe të dhëna të tjera për t’i rezervuar një dënim të dytë, i cili nuk ndodhi, pasi më 1989 Edison Gjergo ndahet nga jeta.

 Lajmin e plote e lexoni duke klikuar linkun

http://www.gsh.al/2017/08/11/dosja-e-plote-rrefehet-ish-e-fejuara-e-piktorit-edison-gjergo-me-shkaterruan-jeten-mbetet-i-paharruar-ne-zemren-time/

GSH.al

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura