Britania e Madhe: Si Rusia po përpiqet të anashkalojë sanksionet përmes vendeve të treta

Dec 6, 2023 | 22:20
SHPËRNDAJE

Britania ka paralajmëruar se Rusia po përpiqet të anashkalojë sanksionet pasi njoftoi 46 masa të reja kundër individëve dhe bizneseve nga vende të tjera të përfshira në zinxhirët e furnizimit ushtarak rusë.

AP23277584149108

Subjektet e fundit që do të sanksionohen përfshijnë biznese që operojnë në Kinë, Turqi, Serbi, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Uzbekistan, tha në një deklaratë Ministria e Jashtme Britanike.

Ambasada kineze në Londër njoftoi se dënon këtë veprim dhe do të kundërshtojë çdo gjë që cenon interesat e saj.

Britania, e cila ka qenë një mbështetëse e vendosur e Ukrainës që kur Rusia pushtoi atë vend në shkurt 2022, ka njoftuar se po synon furnizuesit e vendeve të treta për të frenuar aftësinë e Rusisë për të anashkaluar sanksionet për të marrë produkte që i nënshtrohen atyre.

“Ne do të vazhdojmë të rrisim presionin ndaj Putinit dhe të ndërmarrim veprime më të ashpra kundër palëve të treta që promovojnë produkte dhe teknologji të sanksionuara në Rusi, kudo që të jenë,” tha zëvendëssekretari i shtetit për vendet e Oqeanit Indian dhe Paqësor. Anne Marie Trevelyan.

Britania ka sanksionuar 31 individë dhe subjekte që lidhen me projektimin dhe prodhimin e avionëve dhe komponentëve të raketave dhe importet e komponentëve elektronikë, katër subjekte nga Emiratet e Bashkuara Arabe që lidhen me tregtinë e naftës ruse dhe të tjerë që kishin lidhje me organizatën mercenare Wagner.

Sanksionet përfshijnë gjithashtu një industri bjelloruse të mbrojtjes që prodhon teknologji ushtarake që Minsk e përdor për të mbështetur përpjekjet luftarake të Rusisë.

Kina ka njoftuar se është kategorikisht kundër sanksioneve . “Ne paralajmërojmë qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar që të korrigjojë menjëherë gabimin e saj dhe të heqë sanksionet ndaj kompanive kineze”, tha në një deklaratë ambasada kineze në Londër.

“Qeveria kineze do të marrë masa drastike dhe efektive për të mbrojtur të drejtat dhe interesat legjitime të ndërmarrjeve kineze.”

Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) njoftoi se kishte lëshuar një paralajmërim për bankat dhe institucionet e tjera financiare dhe anëtarët e sektorit rregullator të Britanisë mbi përpjekjet e Rusisë për të marrë produkte të sanksionuara përmes vendeve ndërmjetëse .

“Sanksionet e vendosura ndaj Rusisë si rezultat i pushtimit të saj në Ukrainë kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në aftësinë e saj për të blerë produkte, duke përfshirë pajisje ushtarake, në tregjet ndërkombëtare”, tha NCA në një deklaratë.

“Megjithatë, në një përpjekje për të anashkaluar këto kontrolle, Rusia përdor zinxhirë komplekse furnizimi dhe rrugë alternative furnizimi për të marrë produkte të sanksionuara.”

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, Britania ka vendosur sanksione ndaj më shumë se 1600 individëve dhe 250 subjekteve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura