Brishtësia e aleancës Turqi-Rusi

Mar 5, 2020 | 11:00
SHPËRNDAJE

DRITAN HOTI dritan hoti

Në historinë botërore, rasti i shthurjes progresive të Perandorisë Otomane mund të konsiderohet si i veçantë. Pikërisht historia, e cila recetat e saj i ofron nëpërmjet analogjisë dhe joidentifikimit, na mëson se përgjatë saj dominimi i një perandorie të caktuar i korrespondonte një shtrirjeje të caktuar kohore, si dhe një procesi ciklik. Kështu, Perandoria Romake, pasi mposhti atë kartagjenase, i imponoi botës për më shumë se 7 shekuj dominimin, e bashkë me të fizionominë e saj. Shkëputja e qendrës nga periferitë luajti një rol vendimtar në dezintegrimin e saj. Shiizma politike, pra, shkëputja e pjesës perëndimore si dhe transformimi i saj në Perandorinë Bizantine, shëmbëllente se i shërbente përzgjatjes së influencës së mëparshme, nëpërmjet një version tjetër perandorak, Perandorisë Bizantine. Rënia e kësaj të fundit rezultoi si rrjedhojë e inkursioneve të pareshtura të luftëtarëve ambiciozë, që ishin turqit selxhukë. Ndërkohë që agonia e perandorisë të ndërtuar nga këta të fundit, ajo otomane, përbën një rast specifik dhe interesant të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Kjo perandori, dikur përfaqësuese e konceptit të një perandorie të vetme, u shndërrua gradualisht në sklerotike dhe si rrjedhojë u përfshi në sistemin multipolar europian, të cilin ajo e kishte luftuar aq shumë. Ky sistem paradoksalisht po kontribuonte në jetëgjatësinë e saj politike përkundrejt perandorisë cariste ruse, e cila gjakftohtësisht shqyrtonte likuidimin e perandorisë së sulltanëve. Në këtë drejtim kontribuuan fuqitë kryesore europiane përgjatë shekullit XIX. Franca, me kërcënimin e saj për ndërhyrje përgjatë luftërave napoleoniane, 1812, imponoi Traktatin e Bukureshtit. Në pjesën e dytë të shekullit XIX ishte radha e perandorisë britanike në këtë rol. Si rrjedhojë e rivalitetit të saj me perandorinë e carëve, që përfshinte perimetrin që shkonte nga Azia Qendrore e Persi e mandej në drejtim të ngushticave të Bosforit e Dardaneleve e përfundonte në Mesdhe, u ruajt një lloj Statusquo-je. Së fundmi, rivaliteti i Rusisë me perandorinë austriake në Ballkan, jo vetëm rrezikonte praninë e Turqisë në Ballkan, por nëpërmjet pansllavizmit, edhe zotërimet e Vjenës në Ballkan, si dhe strukturat e brendshme politike të Perandorisë Habsburgase. Në këtë kontekst, intensifikimi i aksionit të diplomacisë së Vjenës përshpejtoi e mundësoi edhe shfaqjen e shtetit të pavarur shqiptar.

Shtet-menteshë në gjeostrategjinë amerikane në Lindjen e Mesme, por edhe më gjerë në Mesdheun Lindor dhe Azinë Qendrore, Turqia, përgjatë 7 dekadave të fundit, si anëtare e NATO-s (1952), strehonte me dhjetëra instalacione ushtarake amerikane, ajo vazhdon ende ta disponojë këtë status, megjithëse projeksionet kanë pësuar një metamorfozë. Modifikimet e herëpashershme në politikën e jashtme të Turqisë nga Presidenti Erdogan, nën moton e një diplomacie të pavarur të saj në funksion të rritjes të gamës së veprimit të saj në fushën e shahut të lojës së diplomacisë botërore dhe për rrjedhojë të peshës së saj si aktor i rëndësishëm ndërkombëtar. Mirëpo, ky ndryshim, i cili shkon në drejtim edhe të përforcimit të linjave të brendshme të pushtetit personal të presidentit turk, duke përligjur kësisoj një tendencë të botës sonë, atë të individëve të ndryshëm me orientime autoritariste, të cilët, në një botë pothuajse të njehsuar teknologjikisht, por të çoroditur politikisht, priren, në mos të përmbysin, të modifikojnë qëndrimet historike të kombeve të tyre. Në këtë logjikë, nga shtetikyç për një influencë të maturuar e sekularist, po transformohet në një version ideologjik të Islamit. Dhe jo vetëm kaq, konsideratat e herëpashershme dhe reciproke ndërmjet Erdoganit dhe Putinit gjeneruan në mos një aleancë direkte midis dy vendeve, por një situatë koekzistence politike e shoqëruar me një bashkëpunim ekonomiko-teknologjik e ushtarak. Veçmas periudhës e pasrrëzimit nga ushtria turke e një avioni rus që pasoi me mësymjet përreth ambasadës turke në Moskë nga protestuesit, raportet përgjatë një dekade midis Turqisë dhe Rusisë kanë njohur momente domethënëse bashkëpunimi. Duke qenë anëtare e NATO-s, Presidenti Erdoan, megjithë kërcënimet e ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk u tërhoq nga blerja e sistemit rus të mbrojtjes kundërajrore, S400, ndërkohë që zgjeroi edhe gamën e kooperimit me Rusinë në fushë e energjisë, që përkoi me vizitën e Vladimir Putinit, pikërisht në Turqi rreth 1 muaji më parë.

Mirëpo, përtej momenteve të bashkëpunimit, të cilat i detyrohen gjithashtu edhe një lloj ngjashmërie në stilin e lidershipit si dhe perceptimit të pushtetit nga ana e të dyve; që të dyja vendet gjenden në pozita antagonizmi për sa u përket 3 rajoneve, në dy prej të cilave, Ballkanin dhe Azinë, rivalizonin në të shkuarën që të dyja perandoritë e dikurshme. Në rast se Rusia mbështet drejtpërdrejt mareshalin Haftar, forcat e të cilit kontrollojnë pjesën më të madhe të territorit libian, Ankaraja i jep përkrahje të fuqishme rivalit të tij, kryesuesit të qeverisë së Unitetit kombëtar libian, Fayez Al-Sarraj. Edhe në Europën Juglindore, vektorët e interesave si dhe skemave diplomatike të dy vendeve janë larg të qenit konvergjues. Në Siri, që përbën edhe sprovën e madhe aktuale të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe konkretisht në krahinën veriperëndimore, atë të Idlib-it, kufitare me Turqinë me tërheqjen pak muaj më parë nga konflikti sirian i forcave ushtarake amerikane, i cili vazhdon pothuajse prej gati një dekade dhe ka shkaktuar mbi 350 mijë viktima, Rusia dhe Turqia gjenden tashmë si aktorët kryesorë ndërkombëtarë përkundrejt kësaj krize.

Rusia, me triumfin përfundimtar të Bashar Al-Assadit e kthen Sirinë plotësisht në një vend satelit në funksion të gjeostrategjisë së saj për Lindjen e Mesme. Turqia, në ndryshim me të, fitorja definitive e Bashar Al-Assadit ngreh përballë saj një rival problematik, jo vetëm për sigurinë kufitare, për të cilën ajo aktualisht po lufton kundër formacioneve ushtarake siriane, por edhe për sa i përket dinamikës gjeopolitike në Lindjen e Mesme, rajon në të cilin një influencë të saj Turqia tashmë e pretendon. Në këtë kontekst, tensioni midis Rusisë e Turqisë në çështjen siriane nuk mungon, për këtë të fundit edhe solidariteti i SHBA-ve dhe i NATO-s. Megjithë zigzaget qe kanë pasur raportet e viteve të fundit midis Turqisë dhe Amerikës, kjo e fundit vazhdon ta shohë ende Turqinë siç shprehen edhe diplomatë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit: “Si aleate e Amerikës në të shkuarën si dhe në të ardhmen”. Dilemat që lidhen me politikën e jashtme aktuale të Turqisë nuk mund të jenë veçanërisht produkt i ndodhive bashkëkohore, por më tepër ato janë trashëgimi e një procesi historik që ka formësuar ato. Sfida, me të cilën po përballet Presidenti aktual i Turqisë, Erdogan, është e një rëndësie po aq sa ndërkombëtare, sa edhe kombëtare. Pranimi i hyrjes në marrëveshje me Moskën për një stabilitet të Sirisë, do të përkthej se rregullat e lojës do të diktoheshin më tepër nga një perspektive e interesave të rëndësishme strategjike të Rusisë, duke e lënë Turqinë disi në pozita inferioriteti përkundrejt staturës së një aktori të rëndësishëm për Lindjen e Mesme, që Turqia mëton.

Për më tepër, imazhi i Rexhep Erdoganit, si lider ku kombinohen tiparet e autoritaristit me atë të nacionalistit, do të minohej në sytë e elektoratit konservator turk, duke e shkëputur atë nga një bazë e fuqishme e mbështetjes së tij të brendshme politike.

*Pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura