Botuesit: Mediokriteti komunist po hyn në biblioteka

Jul 7, 2011 | 10:01
SHPËRNDAJE
Shoqata e Librit Shqip, dje në konferencë shtypi

Mediokritet dhe korrupsion. Çuditërisht, të dyja lidhen me librin. Çudia bëhet edhe më e madhe kur bëhet fjalë për institucionet e dijes, shkollat. Shoqëria e Librit Shqip zbardh aferat korruptive që po ndodhin në kurriz të fondeve publike e më së shumti mbi dijet dhe formimin e të rinjve shqiptarë. Dje, në një konferencë për shtyp, SHLSH e përfaqësuar nga drejtuesit e disa prej shtëpive botuese anëtare në këtë shoqatë, si “K&B”, Ardian Klosi, IDK, Pirro Misha, “Dudaj” Arlinda Dudaj dhe Irena Toçi për shtëpinë botuese “Toena”, vunë në dispozicion të mediave materialet që dëshmonin një abuzim të tillë. Në një deklaratë për shtyp të lexuar nga Ardian Klosi, bëhej me dije se Ministria e Arsimit dhe Shkencës akordon shuma të mëdha parash për pasurimin e bibliotekave të shkollave publike me libra artistikë dhe profesionalë. Për këtë vit, kjo shumë është 70 milionë lekë të reja, e cila i është shpërndarë Drejtorive Arsimore të Rretheve, të cilat, mbështetur mbi një listë të hartuar nga MASH, porosisin një listë kërkesash mbi bazën e nevojave të tyre. Por, historia nuk është kaq e thjeshtë, çështja është se si bëhen këto listë-kërkesa, çfarë titujsh autorësh dhe shtëpish botuese i botojnë këto libra të kërkuar. Sipas SHLSH, në të gjithë Shqipërinë sundojnë vetëm katër shtëpi botuese, duke lënë mënjanë shtëpitë më të mëdha botuese në vend. “Problemi dhe shqetësimi kryesor i shoqatës sonë është që me fondet e vëna në dispozicion nga MASH, një numër drejtorish rajonale dhe zyrash arsimore i bëjnë porositë për bibliotekat e shkollave përmes një sistemi klientelist dhe korruptiv të qartë. Po të vëreni në listat e porosive nga dy rrethe që do t’u shpërndahen mediave, janë dy botues që mbizotërojnë në pjesën dërrmuese në këto porosi. Njëri prej tyre madje nuk njihet si botues, por është thjesht shtypshkronjë. Nga 84 titujt që porosit DAR Librazhd, 68 janë nga vetëm një botues. E ngjashme është gjendja edhe në listën e porosive të DAR Lezhë”, lexoi Klosi. Nga listat e vëna në dispozicion, që i përkasin përkatësisht Lezhës, Librazhdit dhe Mallakastrës, del qartë se pretendimi i SHLSH nuk është i pabazë. Pjesën e luanit e kanë 2 apo 3 shtëpi botuese, por më së shumti njëra, e cila figuron në ¾ e listës dhe titujve. “Porositë më të mëdha shkojnë për shtëpitë botuese “Uegen”, “Morava”, apo “Edualb”, në një kohë që lihen mënjanë shtëpitë më të mëdha botuese si “Onufri”, “Dituria”, “Toena”, “Skanderbeg”, që kanë eksperiencë të gjatë në fushën e botimeve dhe libra cilësorë. Në këtë mënyrë, prishet konkurrenca, por edhe bibliotekat”, thotë Irena Toçi. “Janë ca shtëpi botuese që i janë ngjitur si shushunja MASH-it”, thotë Pirro Misha, teksa i bën thirrje Kryeministrit të vendit të ndërhyjë dhe MASH-it, të anulojë tenderin për këtë proces, i cili sipas tij është një “vjedhje”. “Në këtë histori janë përfshirë nëpunës shtetërorë, njerëz që e quajnë veten të paprekshëm e që nuk i ndalon dot askush, në një kohë që MASH thotë se nuk mund të bëjë asgjë, pasi i është lënë në dorë drejtorive arsimore”, vazhdoi Misha, duke e quajtur skandaloze apatinë dhe indiferencën që tregohet në lidhje me këtë çështje. Ai u shpreh se për këtë çështje duhet të hyjë në lojë Kontrolli i Lartë i Shtetit.

TITUJ DHE AUTORË

Por, nuk bëhet fjalë vetëm për korrupsion, por edhe për dëm që i bëhet formimit të të rinjve. “Lista e librave që është hartuar nga MASH ka mungesa të tmerrshme dhe tituj librash që nuk e di se si mund t’i lexojnë nxënësit e gjimnazeve”, thotë botuesja Arlinda Dudaj. Botuesi Pirro Misha është edhe më i ashpër. Si një njeri i cili është marrë gjithë jetën me librin edhe gjatë diktaturës, i revoltuar ai thotë se “në listë ka libra të cilët duhen ndaluar që të hyjnë në shkolla. Janë autorë të cilët ne edhe në vitet e diktaturës i konsideronim si mediokër e tani ata po hyjnë sërish nga dritarja. Mediokriteti i komunizmit po zë vend në bibliotekat e shkollave”, vazhdoi Misha, duke u shprehur se nxënësve po u ofrohen emra autorësh tërësisht periferikë, të panjohur, vetëm e vetëm për të pastruar magazinat e aksh shtëpie botuese. Botuesit që bëjnë gjithfarë aferash me drejtoritë arsimore, Ardian Klosi i krahason me një prej personazheve të romanit “Frymë të vdekura” të Gogolit. “Janë bërë si Çiçikovi, që me çanta shkojnë e shesin libra të vdekur”, tha ai. Botuesit u shprehën të shqetësuar për atë çka u ofrohet të rinjve. U ofrohen libra të përshtatur, të shkurtuar, por jo vetë klasikët e mëdhenj. Listave u mungojnë autorët më të mëdhenj shqiptarë. Nëse në kërkesat e Drejtorisë Arsimore të Librazhdit figurojnë tre tituj të Ismail Kadaresë dhe dy të Dritëro Agollit, dy drejtoritë e tjera nuk e kanë këtë nevojë, ndërkohë që në lista ka gjithfarësoj titujsh e autorësh të njohur e të panjohur. “Gjithçka do të ishte më e qartë sikur listat të hartoheshin mbi bazën e një klasifikimi të letërsisë: antike, romantike etj., por këtu është një mish-mash i vërtetë”, tha Klosi, duke bërë thirrje për rishikim të listave të librave nga ana e MASH.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura