Bosnja kujton 20-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, të pranishëm Vuçiç dhe Bill Klinton

Jul 11, 2015 | 11:54
SHPËRNDAJE

Bosnja shënon sot 20 vjetorin e masakrës së Srebrenicës, masakra më e rëndë në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore. I pranishëm në ceremoni ishte edhe kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili ka lënë edhe një shënim në librin e kujtimeve të vendosur në hollin ku po zhvillohet ceremonia. I pranishëm ishte edhe ish presidenti amerikan Bill Klinton si dhe perfaqesuesja e larte e BE, Frederika Mogherini. Ndërsa zëvendës kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi njofton se nuk është lejuar të hyjë në Bosnjë pasi sipas tij është cilësuar si person i padëshiruar nga Republika Srpska.

 “Përkundër ftesës zyrtare dhe vizës së rregullt të lëshuar nga autoritetet e Bosnjës e Hercegovinës, në momentet e fundit nuk u lejova të udhëtoj për të marrë pjesë në komemoracionet në Srebrenicë me arsyetimin se jam person i padëshirueshëm nga Republika Srpska. Kosova dhe populli i saj me zemër e me mendje jenë me familjet që sot më në fund i varrosin familjarët e tyre që të prehen në paqe dhe me të tjerët që i përkujtojnë etërit, vëllëzërit, bijt e humbur në këtë tmerr. Kështu sot shënojmë 20 vjetorin e gjenocidit të forcave serbe në Srebrenicë dhe 16 vjetorin e gjenocidit të shtetit serb në Kosovë. Populli i Kosovës gjithmonë do të jetë përkrah atyre që promovojnë lirinë, barazinë, drejtësinë dhe pajtimin.”­ shkruan Thaçi ne facebook.

 

MASAKRA E SERBRENICES

Në korrik 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara. Rreth 15 mijë djem e burra arritën të shpëtojnë duke u larguar përmes pyllit, por shumë prej tyre u vranë nga ushtarët serbë që u zunë pritë të maskuar me uniforma të OKB­së. Lufta në Bosnje kishte shpërthyer në prill 1992. 20 vjet pas vrasjeve, ende vazhdojnë të gjenden varre masive. Identifikimi i viktimave është i vështirë, pasi trupat ishin copëtuar nga ekskavatorët që i hidhnin në varre. Dhe çdo vit më 11 korrik, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën përkujtimore të Potoçari. Pjesëmarrjen në këtë ceremoni e ka konfirmuar edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili pikërisht 20 vjet më parë kishte bërë thirrje publike për vrasjen masive të boshnjakëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura