Blushi: Dua garë në PS, kam projekt për të qeverisur më mirë

Mar 12, 2016 | 7:31
SHPËRNDAJE

Deputeti socialist Ben Blushi konkurron për një program qeverisës më të mirë nga ai aktuali. I ftuar në emisionin “Zonë e lirë” të gazetarit Arjan Çani, Blushi tha se nuk ka si qëllim të përçajë Partinë Socialiste, por ta bëjë atë më të mirë në qeverisje, duke parë në radhë të parë interesat e Shqipërisë.

bbb

Çfarë është ky debati që më shumë duam partinë se Shqipërinë?

Jam gati të flas për këtë me të gjitha mënyrat, edhe me humor, edhe seriozisht. Në fakt, në Elbasan e kam thënë për herë të parë fjalinë që mes partisë dhe Shqipërisë, unë zgjedh Shqipërinë. Kështu e kam mbyllur fjalimin tim atje. Kur njerëzit më thonë çfarë po bën, unë them se interesat e partisë nuk janë primare, ata më thonë që po cenon interesat e partisë. Interesat e Shqipërisë janë primare. Meqë aty, këta që hipën në trenin e gabuar për të më përcjellë mua dhe ikën vetë, dhe ecin me idenë e madhështisë së partisë dhe sukseseve të qeverisë, për shkak se kanë një nevojë biologjike për të më kundërshtuar mua, shkuan më kundërshtuan për një idiotësi që kështu është në të vërtetë. Nëse thashë që unë para partisë vendos Shqipërinë, çfarë ka këtu për të më kundërshtuar?! Ne në fillim jemi shqiptarë, para se të jemi socialistë, demokratë, apo monarkistë. A mund të ketë një dilemë mes Shqipërisë dhe partisë?!

Kush e ka këtë dilemë?

E ka gjithë ai takëm njerëzish që më kanë kundërshtuar përfshirë edhe Edi Ramën. Në vend që ta kundërshtonte, Rama tha se të dyja janë njëlloj, si mami dhe babi. Kush është babi Shqipëria dhe mami është partia. Kjo është marrëzi dhe jam në dilemë ta marr seriozisht, apo të tallem me këtë argument?!

Mbështetësit e Edi Ramës ju thanë pse nuk keni bërë mocion ndaj kryetarit? Edi Rama më kërkon mua t’i bëj një mocion një mandati që ka skaduar. Sepse mocion i bëhet një mandati që është në fuqi. Më thonë mua që ne nuk do të respektojmë statutin që është në fuqi, por do të respektojmë një statut që nuk është miratuar akoma, i cili parashikon një përcaktim laburist.

Spekulim i madh është dhe ky parimi laburist…

Kur vjen puna për koncesionet, janë si në Kili, kur vjen puna te partia, shkojnë me sistemin laburist, te borxhi janë me sistem grek, marrim borxh extra large, kur vjen puna për raportin me varfërinë, sillen si një qeveri e Perusë. Nuk i përmbahen asnjë parimi.

Do ta mbështesni Edi Ramën dhe në 2017-n që PS të fitojë zgjedhjet siç e keni mbështetur dhe në të shkuarën?

Unë kam mbështetur Partinë Socialiste dhe Edi Ramën. Por unë sot nuk po flas që Partia Socialiste të humbë zgjedhjet. Unë dua që PS të qeverisë më mirë Shqipërinë, të garantojë më shumë barazi, më shumë solidaritet për të varfrit, të mos i tradhtojë ata. Të garantojë taksim progresiv të vërtetë, jo si taksimi i sotëm. Arsyet për të cilat erdhëm në pushtet, nuk janë më.

Çfarë kërkon ti, Blush, se nuk besoj se me statut më të mirë ndryshon Shqipëria?

Sa më demokratike Partia Socialiste, aq më cilësore dhe më demokratike dhe qeverisja e saj. Unë po kërkoj që të votohet në PS, unë të votohem në PS, nuk po përcaktoj votën, le të votojnë anëtarësia si të dojë, pro ose kundër.

Ti kërkon votim se është shkelur statuti për kryetarin e PS, apo sepse po qeveriset keq?

E para është koha për zgjedhje. Meqenëse PS ka vendosur të ketë zgjedhje, unë marr pjesë në këto zgjedhje. Në momentin që them se marr pjesë në zgjedhje, më thonë që zgjedhje nuk ka. Unë kërkoj votim në PS, siç ka ndodhur edhe në 1999-n, edhe në 2009-n. Dua të ketë një fushatë zgjedhore ku të flas se si modernizohet kjo parti, se si ndryshohet një projekt qeverisës, i cili në tre vjet nuk ka dhënë rezultatet e pritura.

Pse nuk ka dhënë rezultatet e pritura?!

Ne sot jemi në deflacion. Pyetja bëhet, përse e bën këtë garë? Unë kërkoj të hyj në këtë garë jo për çështje karrigeje. Nuk është fare çështje karrigesh, unë kam lënë shumë karrige në PS. Është çështje projekti. Nuk më intereson mua nëse jam ose jo kryetar i PS, por mendoj se ky vend duhet të qeveriset më mirë. Edi Rama është kaotik dhe si i tillë, ka dy mundësi: ose të konkurrohet nga PD, e cila është një parti skarco, ose nga brenda nga PS. Ai mohon të dytën për t’i dhënë mundësi të parës. Konkurrenca nga brenda mund ta ndryshojë këtë lloj qeverisjeje. Dhe unë po i them hajde të shkojmë në një garë ku unë do të paraqes një projekt, për të ulur papunësinë, për të rritur pagat, pensionet.

Ku do t’i gjesh paratë? Ky buxhet ka humbur vitin e kaluar 400 milionë euro për shkak se është menaxhuar keq. Nëse këto do të hynin në buxhet, pagat dhe pensionet do ishin rritur me të paktën 10%. Unë kërkoj debat në PS për ekonominë dhe qeverisjen, ky është projekti im.

Çfarë ndodhi në mbledhjen e Grupit Parlamentar, a e hodhi gotën e ujit?

Çani, unë nuk dua të tregoj se çfarë ka ndodhur në mbledhjen e Grupit.

Pse i keni këto kode që nuk tregoni?

Jo, nuk kam asnjë kod. Ka qenë një ngjarje aq e shëmtuar sa nuk dua ta tregoj. Unë me Edi Ramën kam një histori të gjatë miqësie. Për shkak të miqësisë që kam pasur, nuk kam asnjë interes të tregoj se çfarë ndodhi atë ditë, sepse miqësia e dikurshme më pengon. Kjo është një çështje nderi dhe nuk dua të flas për disa gjëra, ishte një gjë shumë private për të cilën s’dua të flas. Por ishte një moment i dobët që nuk ia vlen të komentohet.

Pse nuk e tregon se çfarë ndodhi me gotën e ujit?

Mund të them një gjë, që atë ditë Edi Rama u mbyt në gotën e ujit.

Edi Rama nuk është i qetë dhe ti je shumë i qetë, pse ndodh kjo?

Edi Rama që thotë se ka bërë reforma të suksesshme, përse ka frikë të bëjë zgjedhje?! Kur je i suksesshëm, nuk ke frikë nga zgjedhjet. Edi Rama e ka zëvendësuar në këto 3 vjet PS me Rilindjen dhe, me sa duket, Rilindja nuk bën zgjedhje, por zgjedh një kryetar të përhershëm. Por kjo nuk është PS. Rilindja është një eksperiment i falimentuar si projekt politik që nuk ka sjellë asgjë. Meqenëse nuk ka sukses, Rilindja po e mban peng PS. Rilindja po kthehet në biznes privat që e drejton një njeri dhe bën çfarë do vetë. Dua të them dy vargje të Lasgush Poradecit: “Gjigand apo shkurtabiq, ju përshëndes me mall, or miq!”.

Në çfarë konteksti e thua këtë?

Në kontekstin tim nuk ka të bëjë me shkurtësinë e atyre që më kanë kundërshtuar, por shumë gjëra që kanë thënë kundër meje, i kanë bërë shumë shkurtabiq brenda partisë, me mendje të shkurtër dhe me miqësi shumë të shkurtra.

Blush, të është rikthyer buzëqeshja, përse?

Jam drejt lirisë sime, Çani.

Blush, s’të kishim parë si trim, në Elbasan ti rrezikove shumë, si shpjegohet?

S’keni parë gjë akoma.

Nëse të pyet një socialist që ti me këtë që po bën po përçan PS, si do t’i përgjigjeshe?

Nuk dua ta përçaj PS, por kam zgjedhur Shqipërinë dhe jo partinë, dhe këtë vendim nuk e negocioj dot.

Cili do të jetë fati yt, Blushi, do të ketë një parti të re?

Unë akoma nuk i kam hequr shpresat se brenda PS nuk do të ndryshojë diçka.

Nëse do të të nxirrnin jashtë partisë, çfarë do të bëje?

E mendoj pa dyshim një divorc që nuk varet nga unë, por unë nuk po përpiqem të shkoj në një divorc. Unë jam një anëtar i PS që mendon se të drejtat e tij po kufizohen çdo ditë e më shumë. Unë sot jam aty brenda dhe nuk besoj se po e dëmtoj PS, por po e ndihmoj. Unë nuk kam një vendim të iki nga PS.

Po nëse të heqin? Nëse më heqin, do të jem njeri i lirë të zgjedh se çfarë do të bëj. Po përpiqem të konsumoj lirinë time brenda PS. Nëse PS do të çmendet dhe do të më nxjerrë jashtë, jam një njeri i lirë, i cili u ndëshkua për shkak të të vërtetave që tha. Për këtë dua që të mbahem mend.



Ben Blushi per Ramen, i ftuar tek Arjan Cani by gazeta-panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura