Biznesi avancon Qeverinë, kërkon i pari rritje të pagës minimale

Apr 30, 2016 | 9:47
SHPËRNDAJE

Biznesi i fasonëve kërkon rritjen e pagës minimale në nivel kombëtar, nga 22 mijë që është aktualisht në 23 mijë lekë.

fasonDhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve kërkesën për rritjen e pagës minimale ia ka përcjellë në një letër Kryeministrit Rama, ministres së Ekonomisë, Ekonomi, dhe Këshillit Kombëtar të Punës.

“Situata në të cilën është duke u zhvilluar veprimtaria e biznesit në sektorin e regjimit aktiv dhe të eksporteve, konjuktura e tregut ndërkombëtar në fushën e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve, niveli i kursit të këmbimit dhe dëshira për të ndikuar në rritjen e konsumit dhe përmirësuar sadopak cilësinë e jetesës së të punë- suarve tanë, Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve i propozon Këshillit Kombëtar të Punës rritjen e pagës minimale në nivel kombëtar nga 22.000 lekë në 23.000 lekë.

Efektet e kësaj rritjeje të fillojnë nga 1 janari 2017”, thuhet në letrën që Dhoma e Fasonëve i ka dërguar Qeverisë.

Dhoma e Fasonëve i propozon Qeverisë që të marrë në konsideratë propozimin e saj, duke kujtuar që kërkesa është bërë prej kohësh. Në kërkesën për Qeverinë biznesi kërkoi që rritja e pagës minimale të jetë e përshkallë- zuar sipas sektorëve të ekonomisë.

“Rritja e pagës minimale në nivel kombëtar të mos bëhet në të njëjtin nivel për të gjithë sektorët e ekonomisë, por të jetë e ndryshme për sektorë të ndryshëm, sipas peshës që ajo zë në totalin e shpenzimeve të raportuara”, thuhet në letrën e biznesit.

Për sa i përket industrisë së fasonëve, biznesi shpjegon se 85 për qind të sektorit e zënë shpenzimet për paga.

“Sektori i prodhimit të veshjeve dhe këpucëve me material porositësi fason vlerëson se 75-85% e shpenzimeve të prodhimit i përbën pagesa e pagave dhe detyrimeve të tjera të taksës së punës, që do të thotë se çdo rritje e pastudiuar e pagës minimale, jashtë kapaciteteve të këtij sektori dhe të tregut në tërësi, e nxjerr jokonkurrues sektorin dhe sjell ulje të konsiderueshme të punësimit të të rinjve”, argumenton biznesi kërkesën për rritjen e pagës minimale.

Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve shprehet në kërkesën e saj se është e vetëdijshme se kjo rritje u përgjigjet kushteve reale të sektorit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura