Bisedimet për qeverinë e re në Shkup, larg syve të opinionit/ Partitë shqiptare vendosin vija të kuqe

Jul 29, 2020 | 17:56
SHPËRNDAJE

Liderët e partive politike vazhdojnë negociatat për shumicë të re parlamentare, por larg syve të opinionit.

Qeveria-1

Partitë nga blloku politik maqedonas thonë se janë në komunikim me të gjitha subjektet, ndërsa blloku politik shqiptar ka vendosur vijat e kuqe para ndarjes së mandatit.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka takuar ditë më parë kryetarin e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami me të cilin kanë diskutuar për procesin zgjedhor.

As Ahmeti dhe as Kasami nuk kanë shpalosur hollësi nga takimi. Ditëve në vijim, Ahmeti mësohet se pritet të takojë kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi, si deputet i vetëm i këtij subjekti në përbërjen e re parlamentare. Ahmeti shpreson të takojë edhe dy liderët e koalicionit “Tash është koha”, por duket se nga ana e tyre nuk ka një gatishmëri të tillë.

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi ka deklaruar se në koalicion ka mbizotëruar ideja për komunikim, por pas vendimeve të KSHZ-së dhe Gjykatës Administrative, Gashi thotë se negociatat me BDI-në më nuk kanë logjikë.

Ai ka shtuar se koalicioni që më 15 korrik siguroi 12 mandate është i gatshëm të votojë për kryeministrin shqiptarë. Sipas Gashit, në rast se BDI nuk siguron pozitën e kryeministrit, duhet tërhequr nga tentimet për të qenë pjesë e Qeverisë.

“Nuk do të kalojë aq lehtë votimi i Qeverisë pa kryeministër shqiptar edhe atë Naser Ziberi. Nëse bëhet ai, ne sigurisht që do ta flasim me Aleancën dhe mund ta mbështesim atë kryeministër. Por njëherë të vijë në rend dite në Kuvend me 61 vota dhe votat tona do t’i bashkohen. Në atë mënyrë BDI-ja do ta ketë legjitimitetin te shqiptarët, ndërsa në situata tjera e humb atë legjitimitet menjëherë”-pohoi Afrim Gashi, kryetar i Alternativës.

Tendencat e Ahmetit për t’i zgjatë dorën partive politike shqiptare me qëllim unifikimin mbi pozitën e kryeministrit shqiptar vinë pak muaj pasi kreu i integristëve liderët shqiptar i kishte quajtur “horra” me të cilët nuk pranon të ulet në një tavolinë.

“Me horra nuk ulem”-thoshte Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

BDI ka shpalosur edhe një plan me 5 shtylla mbi të cilat duhet organizuar aktiviteti politik shqiptar në Maqedoni të Veriut, pika këto të cilat nga partitë shqiptare nuk u përfillën aspak. Partia e Ahmetit në zgjedhjet e 15 korrikut garoi me idenë kryesore për pozitën e kryeministrit, ndërsa pak ditë pas zgjedhjeve kjo kërkesë u vendos në planë të dytë duke qartësuar se për BDI-në biletë hyrëse në negociata është respektimi i marrëveshjes së Ohrit, Prespës dhe asaj me Bullgarinë.

/Alsat/

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura