Biseda telefonike me dekoder, zbardhen masat për Admir Tafilin

Nov 24, 2021 | 12:08
SHPËRNDAJE

BURREL – Zbulimi i pajisjes elektronike të ndaluar në qelinë e tij dhe inicimi i protestës në Burgun e Sigurisë së Lartë në Burrel ka bërë që i dënuari me burgim të përjetshëm Admir Tafili të kalojë në “mbikëqyrje të veçantë”, në një nga qelitë e sektorit të sigurisë së lartë të këtij burgu.

Admir Tafili

Pas publikimit të lajmit se në qelinë e Tafilit Policia e Burgjeve dhe Prokuroria Speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit gjeti dhe sekuestroi një pajisje të modifikuar, e cila dyshohet të jetë përdorur nga ky i burgosur për t’u lidhur me video dhe zë me persona brenda dhe jashtë vendit, autoritetet kanë marrë vendim që të izolojnë Tafilin.

Ekspertiza e dekoderit të modifikuar me pajisje shtesë elektronike ndodhet në duart e ekspertëve vendas dhe të huaj dhe SPAK shpreson të zbulojë bisedat që ka zhvilluar Tafili me persona të inkriminuar, çka mund të çojë në zbardhjen e ngjarjeve kriminale.

Po ashtu, javë më parë Admir Tafili inicioi një protestë në qelitë e Burgut të Burrelit, duke kundërshtuar masat e reja të Ministrisë së Drejtësisë që ul ndjeshëm orarin e takimeve dhe të bisedave telefonike të të burgosurve me të afërmit.

Ai dhe të burgosur të tjerë nuk pranuan të ushqehen nga institucioni i vuajtjes së dënimit, duke ngritur dy probleme: zgjerimin e “rrethit” të personave që mund të takohen me to dhe shtimin e numrit të telefonave, me të cilët mund të komunikojnë nga brenda qelisë.

Burime pranë Burgut të Burrelit shprehen se këto dy ngjarje të rënda në gjykimin e komisionit disiplinor kanë bërë që Admir Tafili të kalojë në mbikëqyrje të veçantë. Shkeljet e kryera nga ana e Tafilit konsiderohen si mjaft të rënda pasi ato kanë cenuar sigurinë në Burgun e Burrelit.

Mbajtja e sendeve të ndaluara është bërë shkak që komisioni i sigurisë së burgut dhe Prokuroria e Posaçme pranë SPAK të kërkojnë izolimin e Admir Tafilit, gjë e cila mund ta çojë atë drejt qelive të “41-bis” në Peqin. Gardianë të Burgut të Burrelit u shprehën se Tafili është përjashtuar për tre muaj nga të gjitha veprimtaritë e përbashkëta të këtij institucioni.

Pra, nuk do të jetë në mjediset e ajrimit, kuzhinë, bibliotekë, xhami apo aktivitete sportive bashkë me të dënuarit e tjerë. Ai është izoluar në një qeli të veçantë dhe do të qëndrojë aty për 3 muaj, pa të dënuar të tjerë. Hetimet e pajisjes së veçantë do të jenë një provë e fortë për SPAK-un, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe ministrin e Drejtësisë nëse Admir Tafili do të kalojë nga mbikëqyrja e veçantë në “41-bis”, pra në izolim të plotë si një person me rrezikshmëri të lartë.

Admir Tafili është dënuar me burg përjetë, pasi u shpall fajtor për vrasjen e drejtorit të Policisë së Shkodrës Arben Zylyftari, ngjarje e ndodhur në vitin 2000, ku i përfshirë rezulton edhe vëllai i tij, Genci. Policia shkoi për të arrestuar babanë e tij, Bahri Tafilin, i cili akuzohej për vrasjen e Skënder Gecit.

Në operacion u vra, përveç komisar Zylyftarit, edhe Bahri Tafili. Në vitin 2015, pas një hetimi disamujor nga ana e Policisë, u zbulua se Tafili drejtonte nga burgu një grup të shpërthimeve me tritol kundrejt pagesave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura