Biblioteka Kombëtare, një udhëtim në qytetet e Kadaresë

Feb 12, 2016 | 13:55
SHPËRNDAJE

Me një vështrim të shkujdesur, duket sikur ata janë thjesht disa libra të ekspozuar nëpër vitrina. Ndoshta ka një rend kronologjik në vendosjen e tyre…

Por nuk është ashtu. Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, të merr përdore në një rrugëtim nëpër qytetet e Kadaresë. Janë ata të gdhendurit sokak më sokak e oda më oda, por edhe ata që nuk shihen e emri nuk u zihet ngojesh, por që ndihen, madje janë imponues edhe me mungesën e tyre.

“Qytetet e Kadaresë”, kështu titullohet ekspozita që hapet sot në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, si pjesë e kremtimeve të Vitit Kulturor kushtuar Ismail Kadaresë në 80-vjetorin e lindjes.

Ekspozita
Ekspozita

Një ekspozitë e veçantë, që, siç thotë Asllani, synon të ndërtojë përmes titujve, pasazheve, librave, por edhe imazhesh simbolike një nga tiparet më interesante të veprës së Kadaresë, “shkrimin e Qytetit”, shndërrimin e tij në një personazh të mirëfilltë letrar.

Dhe këto qytete na shfaqen “herë si qytetekujtesë, herë si qytete-mungesë, herë si qytete-pushteti, herë si qytete-rinie, e herë si qytete-lirie”. Te qytetet “personazhe” është pa dyshim Gjirokastra, qyteti i tij i lindjes, e cila rikthehet herë pas here në veprën e Kadaresë përmes përshkrimeve, por edhe në formën e kujtesës së fëmijës së dikurshëm. Një kryepersonazh është Gjirokastra në “Kronikë në gurë”, “Çështje të marrëzisë” apo “Darka e gabuar”.

Është po aq shumë e pranishme edhe te “Kukulla”, ku qyteti shpaloset përmes syve të nënës, ndërsa natyra e brishtë e kësaj të fundit mund të zbërthehet më mirë duke njohur qytetin. Herë të tjera ajo është nxitëse për lindjen e një romani, edhe pse vetë nuk është e pranishme.

Stambolli e Moska, kryeqendra pushtetesh, nuk shihen, por janë aty me peshën e tyre. Fermanët që shkojnë e vijnë, kumtet, ëndrrat, thashethemnaja, e bëjnë të pranishëm Stambollin, edhe pse ai nuk përshkruhet asnjëherë më vete. Ai është te “Pashallëqet e mëdha”, “Qorrfermani”, “Pallati i ëndrrave” etj., ku po aq i rëndësishëm sa teksti është edhe nënteksti.

Mbi bodrumet e Tabir Sarajit nuk ngrihet kryeqendra e Perandorisë Osmane, por një ngrehinë komuniste. Një mbivendosje vendesh e kohësh Thuajse me të njëjtën natyrë rishfaqet edhe Moska. Është qyteti i përjetimeve të rinisë, i Institutit “Gorki”, i provimit të sa e sa eksperiencave të para, ashtu si edhe kryeqendra komuniste, e cila të imponohet përmes një mbledhjeje, një fjalimi, një dimri të acartë…

kado-ekspo1“Muzgu i perëndive të Stepës”, “Dimri i madh” janë dy nga veprat ku mund “të njohësh” Moskën. Dhe hapat i ndal te Tirana, që nuk është thjesht një qytet, por më shumë një utopi. Të tillë e kanë vlerësuar këtë qytet studiuesit e Kadaresë, të cilët kanë lexuar në veprat e shkrimtarit shqiptar një kryeqytet që nuk ishte ashtu. Qyteti i dritave, i reklamave, i xhirove nëpër bulevarde, i dashurive, i netëve të vona… një qytet i përfytyruar, i ëndërruar, ku duhet shkuar me çdo kusht (“Shkaba”, “Rekuiem për Linda B.”).

Por siç thekson Persida Asllani, Tirana na del si një antipod i Moskës, por edhe i Pekinit në vepra si “Dimri i madh” apo “Koncert në fund të dimrit”. I përshkruar apo i nënkuptuar kryeqyteti shqiptar rrëfehet edhe te “Piramida” , “ Përbindëshi ” , “Kukulla”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” etj. Me të tjera ngjyrime vjen Parisi, vendi i lirisë së shkrimtarit.

kadareQysh se ishte i ri e shihte veten tek ecte buzë Senës, edhe pse do të kalonin shumë vite derisa ta shihte me të vërtetë. Ishte viti ’53, kur e shkroi. Rrezikoi censurën, por redaktori i kërkoi ta bënte edhe një vjershë për Moskën. Kështu u botua një vit më vonë në vëllimthin “Frymëzime djaloshare”.

E pastaj te “Hija”, “Koha e shkrimeve”, “Ftesë në studio”, “Mëngjese në kafe Ristand” etj. E për të plotësuar këtë rrugëtim nëpër qytetet e Kadaresë, çdo vitrinë “qyteti” shoqërohet me fotografi të vjetra apo gravura të përmasave të mëdha, të cilat u japin fjalëve forma, përmes rrugësh, sheshesh, institutit “Gorki”, një stoli parku, një tabori ushtarësh… Edhe pse Kadareja boll bukur i përshkruan në veprën e tij.

Leximi dhe interpretimi i veprës së Kadaresë

Edhe pse një konferencë nuk do të mjaftonte asnjëherë, për të përcjellë të plotë vlerat e veprës së Ismail Kadaresë, Biblioteka Kombëtare qëmton disa momente, në këtë 80-vjetor lindjeje.

“Ismail Kadare: leximi dhe interpretimi” mbledh sot në Tiranë Akademik Rexhep Ismajlin, Akademike Floresha Dadon, shkrimtarin Bashkim Shehu, Prof. Ardian Ndrecën, Prof. Persida Asllanin, Prof. As. Mark Markun etj., të cilët marrin në shqyrtim mundësitë e reja të leximit dhe interpretimit të veprës kadareane.

Nga romanet te poezia, nga dialogu te digresioni, nga shkrimi te teksti, nga fiksioni tek eseja, nga botimet kritike te leximet subjektive, tipar i kësaj konference mbetet në thelb sfida e përhershme e leximit dhe interpretimit të letërsisë.

“Një Kadare i studiuar është një Kadare i gjallë dhe pa shenja moshe, prandaj krahas interesit të leximit të veprës së tij, mbetet një shenjë tejet pozitive fakti që ky autor tërheq studiuesit e rinj dhe të vjetër, të cilët, në disiplinat përkatëse, hulumtojnë aspekte ende të panjohura të veprës”, shprehet prof. Ardian Ndreca.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura