Biblioteka ekspozon 50 dokumente që sollën pavarësinë

Nov 3, 2012 | 12:10
SHPËRNDAJE
Dje gjatë prezantimit të dokumenteve në Bibliotekën Kombëtare

“Koha e memorandumeve” hap aktivitetet.

Berisha: Dëshmi e zgjimit të shqiptarëve në të gjitha trojet e tyre etnike.

Ekspozimi i memorandumeve, që i shtruan udhën shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, hapi dje kalendarin e festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë.  Biblioteka Kombëtare ekspozon për herë të parë për publikun memorandume nga Lidhja e Prizrenit te Kongresi i Lushnjës. Bëhet fjalë për 50 ekzemplarë, libra, broshura, dorëshkrime, me memorandume, thirrje, protesta dhe kërkesa pranë Fuqive të Mëdha për çështjen kombëtare shqiptare, të drejta kulturore, etnike, autonomi, pastaj pavarësi dhe sovranitet të shtetit të ri shqiptar. “Kemi zgjedhur 50 ekzemplarë, pasi do të duheshin 100 metra salla për t’i ekspozuar të gjitha dhe shpresojmë që të ketë surpriza kërshërore historike”, tha drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari. Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së ekspozitës ishin edhe Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi. Berisha u shpreh se “nga një vështrim i shpejtë, ajo që bie në sy është një zgjim i madh i shqiptarëve në të gjitha trojet e tyre etnike, në diasporë e kudo që ndodhen. Kjo përbën një nga habitë e mëdha të kohës, pasi kombi shqiptar, për shekuj nën një perandori tjetër zgjohet me një ndërgjegje kombëtare që do ta frymëzojë dhe do ta udhëheqë atë në një betejë për pavarësinë”.
Ekspozita
Ekspozita hapet me një përkujtesë së Dora d’Istrias, lexuar në Shoqatën e Arkeologëve të Athinës më 8 maj 1869, për të vazhduar me faksimilen e memorandumit të Pashko Vasës, shkruar frëngjisht me dorën e tij, drejtuar Lordit Beaconsfield në 1878. Në këtë kolanë prej 50 ekzemplarësh, janë përfshirë edhe memorandumi i Abdyl Frashërit dhe Mehmet Ali Vrionit, delegatë të Lidhjes së Prizrenit, drejtuar qeverisë së Italisë, Francës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Austrisë etj., në maj 1879, origjinali i të cilit ndodhet në Arkivin Shtetëror të Vjenës. Duke përdorur argumente historike, ata dalin në mbrojtje të trojeve jugore shqiptare, përkundrejt pretendimeve të fqinjëve grekë. Një dëshmi, jo vetëm e përpjekjeve për pavarësi, por edhe e harmonisë fetare në Shqipëri, është edhe ai i vitit 1907, ku përfaqësues të të tria besimeve fetare paraqesin memorandumin e tyre në Konferencën Ndërkombëtare të Hagës. Gjatë vitit 1912 u hartuan një numër i madh memorandumesh, të cilat u paraprinë nga Memorandumi i greçës, i njohur si “Libri i kuq”, i hartuar nga Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, drejtuar qeverisë Turke dhe Fuqive të Mëdha për krijimin e një province autonome shqiptare. Ekspozita mbyllet simbolikisht me një ekzemplar të rrallë të memorandumit të delegacionit të shqiptarëve irredentë paraqitur Kongresi Ndërkombëtar i të Drejtave të Popujve, nënshkruar nga Bedri Pejani, në shtator 1921.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura