Berisha paralajmëron “grusht shteti”: Edi Ramës do t’i duket lule 1998-ta

Apr 30, 2016 | 7:39
SHPËRNDAJE

Ish-Kryeministri Sali Berisha i është rikthyer debatit për ngjarjet e vitit 1997 nisur nga thirrja e tij bërë në Kuvend për armatosjen e qytetarëve.berisha-2-2

Berisha pasi sqaroi se sipas tij, hapja e depove para rreth 20 vitesh u bë për të mbrojtur qytetarët dhe për të shmangur një luftë civile, pranon dhe faktin se depot u hapën dhe për të ndihmuar Kosovën.

Duke paralajmëruar Kryeministrin Rama se thirrja e tij nuk ka asnjë për t’u shqetësuar, Berisha shprehet se, opozita do të përgjigjet më keq se më 14 shtator të vitit 1998, kur pas vrasjes së Azem Hajdarit pati një grusht shteti.

“Ndaj dhe i them Edi Ramës se armët nuk duhet t’i ketë kurrë frikë një qeveri e një vendi të lire, por ta ketë të qartë se do ti duket lule 98-ta çfarë do mund t’i ndodhë nëse ndërsen bandat a armatosura të tij. Pse e them këtë…Sulmet ndaj institucioneve janë gjithmonë të papranueshme. Prandaj po dal aty. E them këtë se në 98-tën bëra gjithçka për ta kontrolluar, por nuk e kontrollova dot, por të jesh e sigurtë që nga 98-ta e mbrapa, kush më nuk mund t’i kontrollojë. Po them nëse përsëritet, nëse përdor bandat e veta kundër opozitës e kam fjalën. SE duhet ta ndajmë, qytetarët nuk i konsideroj opozitë, qytetarët kanë një interes, nuk kanë interesin e opozitës por kanë interesin e sigurisë së tyre ndërsa opozita ka interesat e veta”, tha Berisha.

Pjesë nga intervista për Abc News:

Ju e lexoni si pozitiv faktin se thuhet që në Shqipëri bëhet thirrje që qytetarët të marrin armët?

Thirrje për qytetarët, sepse qeveria nuk po i mbron qytetarët…

Jemi vend i NATO-s z.Berisha…

Vend i NATO-s? Vendi i sekretarit të përgjithshëm të NATO-s që ka qenë edhe kryeministër, ka përqindjen më të lartë të armëve në Evropë pas Zvicrës, Norvegjia, vend themelues i NATO-s…

Por nuk kanë një histori të 97-ës siç e kemi ne…

Jo. 97-a nuk është një histori që, çfarëdo që t’i japësh, është një histori malavite dhe bandash…

Dakord por ajo tregon se çfarë ndodh kur qytetarët marrin armët…

Absolutisht jo!  Ka dy gjëra. Armët me të cilat u vranë shqiptarët u sollën nga deti. Shqiptarët nuk duhet të gabojnë. Armët të cilat mbrojtën shqiptarët ishin armë të depove. Armët e depove ishin armë që mbrojtën Shqiptarët në Shqipëri, mbrojtën Shqiptarët në Kosovë…

Por u desh një forcë ndërkombëtare paqeruajtëse që të stabilizohej situata apo jo?

Ajo ishte qëllim tjetër. Ajo kishte qëllim tërësisht të politikës së jashtme, kërcënime të jashtme. Ishte një gjë tjetër, se duhet t’i analizojmë gjërat. Pra armë të cilat u morën nga depot. Depot u hapën. E kuptoni vetë d.m.th….

Gjithçka u fshi me marrëveshjen e 9 marsit, që bëtë ju si president…

U hapën jo pa qëllim depot. Shqiptarët nuk mund t’i merrnin bandat. Shteti kishte një alternativë: o t’u binte me armë këtyre dhe mund të krijonte një konflikt civil, ose të armatoste qytetarët dhe nuk kishte më konflikt civil dhe një pjesë e madhe e këtyre armëve do t’u shkonin shqiptarëve në Kosovë për t’u mbrojtur nga serbët.

Po thoni që shteti zgjodhi alternativën e dytë?

Absolutisht po! Pa asnjë diskutim, pa asnjë diskutim!

Kjo është deklaratë e fortë z.Berisha…

Jo, e kam thënë unë këtë. Kjo në mënyrë të padiskutueshme. Po qe se ti nuk siguron dot qytetarët, ti do t’u japësh mundësi atyre të sigurojnë veten e tyre, se përndryshe…Dhe kjo, kjo e qetësoi situatën. Kjo ndihmoi shumë shqiptarët si në Shqipëri edhe në Kosovë për t’u mbrojtur tek pragu i derës. Nuk luftuan shqiptarët kundër njëri-tjetrit. U mbrojtën tek pragu i derës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura