Berat, Këshilli Bashkiak e shpall Astrit Veliajn “Nderi i qytetit”

Nov 1, 2012 | 14:32
SHPËRNDAJE

BERAT – Qyteti i Beratit nderon me titullin “Nderi i qytetit” presidentin e “Albanian University”. Emri i Astrit Veliajt është një ndër 20 personalitetet që ka përzgjedhur komisioni i vlerësimit të figurave në Këshillin Bashkiak të Beratit me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, nisur nga kontributi i tyre dhënë në fusha të ndryshme, kryesisht në arsim e kulturë. Bashkë me kreun e këtij komisioni, Yzedin Hima, i cili është këshilltar i PD-së, iniciativën e ka marrë dhe këshilltari socialist Mensur Hoxha. Propozimi për të nderuar z.Veliaj u bë në mbledhjen e së martës të Këshillit Bashkiak, me motivacionin “Ngritja e nivelit arsimor dhe zhvillimit ekonomik të qytetit”. “Presidenti i “Albanian University”, Astrit Veliaj është një ndër figurat që do të nderohet me titullin “Nderi i Qytetit”, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë”. Kështu, vendosi këshilli bashkiak i qytetit të Beratit, në mbledhjen e tij të radhës ku një nga pikat e rendit të ditës ishte dhe miratimi i emrave të personaliteteve të cilët do të nderohen me titull. Në këtë propozimin e bërë, nënvizohej rëndësia komunitare që ka pasur iniciativa private e tij për ngritjen e Universitetit të Beratit. “Veliaj duhet të vlerësohet në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, pasi ka dhënë kontribut në arsimimin, humanizmin dhe gjallërimin e qytetit”, argumentuan këshilltarët e djathtë, çka u mbështet dhe me votë nga shumica e anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Më herët, presidenti i “Albanian University” është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” edhe nga Këshilli i qarkut të Beratit.             d.xh

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura