Behje Çela: Për rolin e Hajrijes takova vetë gruan e Prefektit

Dec 11, 2015 | 20:47
SHPËRNDAJE

Por Qazim Mulleti nuk mund të kuptohej pa Hajrijen. Falë interpretimit të aktores Behije Çela, roli i Hajrijes do të bëhej një nga më të goditurit e komedisë shqiptare. “Shito!.. Shito , mër t’qaftë jot amë!…”. Edhe sot mund të qeshësh me interpretimin e Çelës. E ndarë nga jeta në vitin 1999, aktorja vjen përmes një copëze bisedë, të realizuar në studion e Xhelil Aliut në maj të vitit 1993. Ajo tregon se si e ka realizuar rolin e Hajrijes, duke takuar vetë gruan e ish-prefektit, madje sipas saj, ajo kishte shkuar dhe e kishte parë shfaqjen në teatër, bashkë me të birin, Shitin, i cili do të shkulej së qeshuri.

hajrjije

Si e keni realizuar Hajrijen te komedia “Prefekti” e Besim Levonjës?

Për Qazim Mulletin unë shkova dhe takova Hajrijen e vërtetë. Herën e parë e pyeta: – Ku e ka shtëpinë një Zeqo? -Hik, mi ma, çere Zeqo?!-ma preu ajo. -Zeqo! Ku kimi Zeqo ne?!… Kur shkova herën tjetër m’u vërsul: – Moj, m’u bane gabër!… Hik mi anej… Hik mi budallaqe! Qeke budallaqe modhe ti!- tha. Ika prapë unë… Herën e tretë më çojnë haber ato të permanentit: “Hajde se ka ardhur Hajrija”. Shkova. Aty ishte edhe një nga motrat e Qemal Stafës. Mirëpo ato hynin pa radhë, se motra e Heroit, ma… Kur kjo… do mbante uzull (rregull): Pse e futni pa radhë atë… Kur i thotë njëra nga këto:-E di ti që këto do të të luajnë ty dhe burrin tënd atje në teatër?… Ajo u shpreh maaaa… vençe… Janë gjëra që s’thuhen. Nuk i erdhi mirë. Megjithatë, i çova biletë dhe e pa shfaqjen në rreshtin e dytë.

E pa shfaqjen?!

Oh, e pa!.. Çuni u shkri. E ka pas jashtëzakonisht të mirë çunin, tamam ashtu siç e ka përshkruar Besimi. Besimi më tregonte plot gjëra për Shitin. Se Besimi i ka njohur nga afër ata dhe pas çlirimit iu dhimbet shumë ky çuni, edhe aty në pjesë thoshte që i ka bërë Shiti këto, edhe trakte ka shpërndarë.

U takuat pas shfaqjes me Hajrijen?

Jo, jo. Qyqja! Të më kapte me ndonjë dru ajo mua! Do kishte thënë: – Qyqja! Pse mi, ku boj unë ashtu?! Ajo qeka sa i zgabonjë, pse, ashtu jam u?… Hik, mi se rren, ma, rren…- kishte thënë. Se dihet që në teatër ekzagjerohen një çikë gjërat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura