BE, paqja e çmimit të merituar

Nov 1, 2012 | 13:06
SHPËRNDAJE

ARBEN MALAJ

Pas shumë konfliktesh e luftërash midis vendeve europiane, pas dy luftërave botërore, e shkatërruar, e përgjakur dhe e varfëruar deri në dhimbje nga nacionalizmat e sëmurë, liderët europianë, themeluesit e Europës së Bashkuar, vizionarët e inspiruar nga paqja dhe prosperiteti ideuan dhe realizuan projektin më të madh dhe më jetëgjatë të paqes e prosperitetit, projektin e “Europës së Bashkuar”.
Vizioni se bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik do të largonin konfliktet dhe luftërat, vizioni i thellimit të integrimit nëpërmjet rritjes së lirive të tregut, vizioni i zgjerimit me sa më shumë vende europiane që pranojnë kriteret dhe standardet e Bashkimit Europian, bënë të mundur që ky projekt të sintetizojë fitoren e së ardhmes mbi të shkuarën.
Shumë shkrimtare, filozofë dhe politikanë, me inspirim dhe ide iluministe, kanë suportuar në shekuj krijimin e një Europe të Bashkuar.
Predikimi i Viktor Hygosë se do të vinte një ditë që plumbat do të zëvendësoheshin nga votat dhe luftërat do të zëvendësoheshin nga bashkëpunimi dhe integrimi,  përfaqëson sot realitetin 67-vjeçar të Europës, përfaqëson bashkimin më të madh ekonomik dhe ndër më të zhvilluarit në botë, të vlerësuar me çmimin “Nobel” të Paqes.
Çërçill, në fjalimin e tij në universitetin e Zyrihut në vitin 1946, do të mbështeste  krijimin e Shteteve të Bashkuara të Europës, duke qartësuar se në zemër të këtij projekti duhet të ishte bashkëpunimi i ngushtë dhe i sinqertë midis Francës dhe Gjermanisë.
Të gjithë edhe sot besojnë se Gjermania dhe Franca kanë një peshe dhe detyrim shumë të madh për të mbështetur thellimin e bashkëpunimit në nivel ekonomik, por edhe politik midis të gjitha vendeve anëtare të BE-së.
BE nuk do të ishte një projekt i lehtë dhe as një proces i shpejtë. Thellimi i tij ecën i lidhur ngushtë me dorëzimin e një pjese gjithnjë e më të madhe të sovranitetit të vendeve anëtare. Robert Shuman, ish-ministri i Jashtëm i Francës dhe një ndër themeluesit e BE-së, më 9 maj të vitit 1950 do të deklaronte se “Europa nuk do të krijohet menjëherë sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet me anë të arritjeve konkrete, të cilat, në radhë të parë do të krijojnë një solidaritet ‘de facto’ midis vendeve”.
Ky mesazh filozofik i Shumanit vërtetohet edhe në kulmin e krizës globale, Europës së Bashkuar i duhen suksese që të mund jo vetëm të mbijetojë, por që të vazhdojë të thellojë dhe të zgjeroje integrimin në nivelin ekonomik dhe politik.
Suksesi i kësaj krize globale që nuk ka si origjinë BE-në dhe që nuk gjendet vetëm në BE, por edhe në SHBA, Japoni dhe vende të tjera të zhvilluara, do të jetë sinergjia e re për të eliminuar vonesat apo lodhjen në thellimin e integrimit brenda BE-së dhe në zgjerimin e saj me vende të reja anëtare.
Jo vonë, por në mënyrë graduale, BE-ja do të arrijë të përputhë kufijtë e saj gjeografikë me kufijtë e vlerave dhe standardeve që do të aplikohen nga të gjitha vendet europiane.
Në një të ardhme vendet europiane do t’i jenë bashkuar Europës së Bashkuar mbi disa kritere, vlera dhe standarde të përbashkëta.
BE, duke bërë mësuar nga kriza aktuale globale, duke përmirësuar efikasitetin e bashkëveprimit ekonomik e politike, mund të jetë modeli inspirues për rajone të ndryshme të botës ku vazhdojnë konfliktet dhe luftërat.
Rritja e bashkëpunimit ekonomik po aplikohet sot edhe midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili jo shumë kohë më parë konsiderohej fitil për fuçitë e barutit të luftërave deri edhe botërore. Modeli i BE-së mbetet modeli inspirues më i mirë për të ardhmen europiane të vendeve tona.
Era e barutit të konflikteve etnike dhe fetare, dhimbjet e mijëra të vrarëve dhe të zhdukurve ndihen akoma në rajonin tonë. Ato mund të largohen vetëm nëpërmjet të ardhmes së përbashkët europiane.
“Historia e BE-së tregon se si, përmes përpjekjeve të mira dhe përmes ndërtimit të besimit të ndërsjellë, armiq historikë mund të kthehen në partnerë të ngushtë” – do të ishte një nga vlerësimet në rastin e çmimit “Nobel”.
Pavarësisht krizës që BE po përballon, me një GDP rreth 15.6 trilionë dollarë, BE-ja është ekonomia më e madhe botërore. Me vetëm 7% të popullsisë së botës, BE përfaqëson 20% të tregtisë botërore. BE është  eksportuesja numër një në botë dhe importuesja e dytë më e madhe në ekonominë globale. Me të ardhurat mesatare rreth 34.500 dollarë për frymë, BE përfaqëson një nga blloqet ekonomike me të zhvilluara dhe një fuqi ekonomike globale.
Sot bota ka nevojë për më shumë shpresë dhe më pak frikë, më shumë vizion drejt së ardhmes, sesa peng i së shkuarës. Sot bota ka nevojë të inspirohet nga modele konkrete të suksesshme. BE përfaqëson një të tillë në fushën e paqes.
Çmimi “Nobel” është ndoshta vlerësimi më i lartë që mund t’i bëhet një personaliteti apo një organizate ndërkombëtare.
Në rastin e BE-së, çmimi nuk synon të jetë një vlerësim për të kaluarën, por një inspirim për të ardhmen. Çmimi ka një vlerë të veçantë sepse erdhi në momentin kur debatet dhe dyshimet rreth këtij projekti janë rritur. Ai erdhi në kohën e duhur, kur kriza e përkohshme rrezikon arritjet e deritanishme, të cilat duhet të thellohen, dhe jo të shpërbëhen.
Zakonisht çmimet “Nobel” jepen për arritje të mëdha dhe pas një periudhe të gjatë kohe e domosdoshme për verifikimin e impaktit të tyre.
BE i ka plotësuar të dyja këto kritere. Suksesi është i jashtëzakonshëm dhe kohëzgjatja që kur paqja dhe prosperiteti zëvendësuan luftërat, konfliktet dhe varfërinë, po ashtu është shumë e gjatë, aq sa për ta bërë të besueshëm dhe inspirues suksesin e këtij projekti fisnik.

“Do të vijë një ditë kur i vetmi shesh luftimi do të jetë tregu i ideve konkurruese. Do të vijë një ditë kur plumbat dhe bombat do të zëvendësohen me vota”.
Viktor Hygo, 1849

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura