“Basha shërbeu për kapjen e shtetit”/ Meta akuza kryedemokratit: Ndihmoi Ramën për reformën në drejtësi! Bëri dopio lojë dhe për marrëveshjen e detit me Greqinë

Dec 2, 2021 | 22:12
SHPËRNDAJE

Presidenti Ilir Meta ka akuzuar kryedemokratin Lulzim Basha se ka shërbyer për kapjen e shtetit nga kryeministri Rama. Në një intervistë për ABC Neës, Meta shprehet se Basha nuk mbajti asnjë qëndrim për reformën në drejtësi.

ilirmeta

Sipas Kreut të Shtetit, Rama e ka kapur Bashën në formë antikushtetuese.

“Ai flet dhe në emër të Monës. Mona dogji mandatet. Ky është një shërbim, siç ka bërë gjithë këtë periudhë, një shërbim që ka bërë për kapjen totale të shtetit. Kjo është shumë e qartë, sidomos me reformën në drejtësi, bojkotin që e ka bërë. Qëndrimet që nuk i mori kurrë. Njëherë e shpëtova PD-në nga lojrat që bënte ky, dhe ata që donin ta ndanin në dy parti. Bënë ato lojrat kush janë pro dhe kundra reformës. Rama donte ta kapte me Kushtetutë. Ky zotëria e ka ndihmuar dhe i vetmi process që nuk ishte i thjeshtë për mua, ka qenë kur ky ka dalë pozitivë, ka qenë atë ditë që ndërpreva seancën. Ata që do votonin do quheshin pro reform, ndërsa ata që nuk donin, do ishin antireformë. Ishte premtuar që atherë kjo ndarje. Një javë para se të mbaronte mandate i prokurorit Llalla, i thërrita dhe i thashë që këtu po bëhet një lojë, dhe po bëhet fakt i kryer se do zgjidhet një prokuror dhe të kapet sistemi i drejtësisë. I thashë, bëhuni bashkë si opozitë, propozoni për çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, që të ketë një zgjedhje me standarte” – tha Meta.

Një tjetër akuzë ndaj Bashës, Meta e ka lidhur dhe me marrëveshjen me detin me Greqinë në vitin 2008 kur Basha ishte Ministër i Jashtëm.

“Është një person, nuk e kam thënë më parë, mban përgjegjësi të veçantë për lojën që bëri me marrëveshjen e detit me Greqinë. Pasi ishte Ministër i Jashtëm dhe ishte përgjegjësi e tij që ajo marrëveshje të bëhej me Kushtetutën. Dhe jo të shmangte Presidentin për të bërë dopio lojë nga njëra anë bëri sikur e firmosi, dhe nga ana tjetër… Ky qëndrim i tij në raport me Marrëveshjen e Detit ka patur implikime shumë serioze në raport me shtetin shqiptar. Këtë e them për herë të parë dhe nuk dua ta zgjas me tej. Ky zotëria (Lulzim Basha) nuk mund të justifikohet për të gjitha thikat që i ka futur shtetit shqiptar. Në kohën kur ai ishte ministër i jashtëm ai anashkaloi Kryeministrin për çështjen e detit. Dhe po e them këtë per here te pare sepse po abuzohet me këtë çështje” – tha Meta.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura