Basha, kondicionerë e dushe për kardiokirurgjinë

Dec 31, 2012 | 13:20
SHPËRNDAJE

TIRANE- Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha takimin e fundit për vitin 2012 e ka bere me mjekët dhe pacientët e kardiokirurgjisë. Kryebashkiaku i ka dhuruar këtij pavioni 10 kondicionerë dhe dushe, si kontribut sado modest, në përmirësimin e kushteve për pacientët.

Këto investime bëjnë të mundur tani në dimër, një ambient më të ngrohtë dhe kushte më të mira higjienike, ndërsa në verë ku situata është dhe më e ndërlikuar, për shkak të temperaturave të larta mundësojnë uljen e temperaturës në nivele optimale, qe është shumë e rëndësishme për shëndetin e të sapo operuarve, veçanërisht atyre që kanë pasur kirurgji të zemrës.

“Sot, erdha për një vizitë në repartin e kardio-kirurgjisë, një repart i përbërë nga profesionistë të një gjenerate të re. Shefi, dr. Prifti është i moshës 40-vjeçare, të gjithë të tjerët janë më të rinj, gjë e cila tregon për një mentalitet të ri por edhe një cilësi të re shërbimi, në këtë klinikë kaq të rëndësishme të QSUT, ku vit për vit bëhen rreth 550 operacione të ndërlikuara të zemrës. Natyrisht, Bashkia ka një mandat të kufizuar, sa i përket shëndetësisë, kryesisht për ambientet e jashtme por duke marrë shkas nga cilësia e lartë e shërbimit që ofrojnë këta mjekë profesionistë, një pjesë e mirë e të cilëve, të trajnuar në klinikat më të mira të Evropës dhe SHBA  dhe kanë sjellë atë standard këtu në Shqipëri, me një shkallë mortaliteti 2-2.5%, e krahasueshme me ato evropiane, duke marrë parasysh investimet që janë bërë në infrastrukturë, për të mundësuar këtë numër të madh operacionesh, edhe ne si Bashki pamë se çfarë nevoje mund të plotësojmë dhe me këtë rast i bëmë një donacion kësaj klinike, me 10 kondicionerë dhe 10 dushe, për fazën e rehabilitimit të pacientëve që dalin nga dhomat e operacioneve” – u shpreh z. Basha.

Ky nuk do të jetë donacioni i vetëm i Bashkisë së Tiranës. Kreu i Bashkisë premtoi se në vitin 2013, Bashkia do të kontribuojë në zëvendësimin e krevateve të këtij pavioni me 10 dhoma.

“Shoh që ky donacion nga ana e Bashkisë, jo vetëm që është mirëpritur nga pacientët e doktorët por ka sjellë me të vërtetë një ndryshim të theksuar të kushteve të pas – operacionit dhe të motivuar nga kjo, jemi të vendosur që vitin që vjen, partneritetin me këtë klinikë të rëndësishme të QSUT, ta çojmë një hap më tej, duke zëvendësuar plotësisht 35 shtretërit, me shtretër të parametrave evropianë, në mënyrë që edhe shtretërit e kësaj klinike, të kenë të njëjtin standard me shërbimin në këtë klinikë, për të cilin dua edhe një herë, si qytetar por edhe si kryetar i bashkisë më të madhe në vend, që ka edhe pacientët më të shumtë, të falënderoj nga zemra stafin e përkushtuar, profesionist dhe të ri të kardio-kirurgjisë në qytetin e Tiranës” – u shpreh z. Basha

Kryebashkiaku u ka uruar të gjithë mjekëve në Tiranë, në mënyrë të veçantë atyre që sonte do të jenë në shërbim të qytetarëve, një vit të ri sa më të mbarë.

“Ndonëse e di se shumica e tyre do të qëndrojë në krye të detyrës sot, nesër dhe në ditët në vazhdim, dua t’ju uroj edhe në emër të qytetarëve, një vit sa më të mbarë dhe një ndërrim sa më të gëzuar vitesh, një festë të gëzuar sonte!” – përfundoi Kryebashkiaku Basha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura