Baleti shqiptar për herë të parë në Serbi me “Dasmën” e Preljocajt

Apr 5, 2016 | 17:00
SHPËRNDAJE

Me një dasmë tradicionale ballkanase dhe një përballje qytetërimesh, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit udhëton për herë të parë drejt Serbisë.

Koreografi Angjelin Preljocaj me balerinët shqiptarë pas shfaqjes në Tiranë
Koreografi Angjelin Preljocaj
me balerinët shqiptarë pas
shfaqjes në Tiranë

Në datat 8, 9 dhe 10 prill, trupa e baletit të TKOB do të ndërmarrë një turne treditor në tre qytete të Serbisë: Beograd, Novi Sad e Nisë. Trupa jonë do të prezantohet me pjesët kontemporane “La Stravaganza” dhe “Noces” të koreografit me famë botërore Angjelin Preljocaj.

Dy pjesë ku thuren bashkëkohorja dhe tradita, ku përplasen e reja dhe e vjetra. Pjesëmarrja në këtë tur realizohet në kuadër të “Festivalit të 13-të të Dancit”. Bëhet fjalë për një nga aktivitetet më të rëndësishme të llojit të vet në Serbi e më gjerë dhe ky është një rast mjaft i mirë për artistët shqiptarë të përballen me trupa dhe emra të mëdhenj të dancit. Gjatë historikut të vet, në këtë festival janë performuar rreth 200 pjesë koreografike, krijuar nga koreografët më në zë ndër vite.

Programi i pasur dhe prezantimi i një estetike të re në fushën e dancit kanë bërë që numri i audiencës të jetë gjithnjë në rritje. Mësojmë se ftesa për pjesëmarrje vjen nga Drejtori i Përgjithshëm i Operës Nacionale të Beogradit, Dejan Saviç, i cili vizitoi Shqipërinë me ftesën e drejtorit të TKOB, Ilir Kerni. Saviç dirigjoi koncertin simfonik më 26 shtator 2015, në skenën e Tiranës.

dasma-preljocajPër TKOB ky turne përbën një ngjarje shumë të rëndësishme për marrëdhëniet kulturore mes dy vendeve me një fqinjëri të vështirë. Për dy vende që jetojnë kaq pranë, që ndajnë tradita të ngjashme, që historikisht kanë dhënë e kanë marrë me njëri-tjetrin, këngë, valle, mite legjenda, dasma, aq sa shpesh është e vështirë ta ndash se ku ka lindur aksh legjendë apo aksh këngë, ka më shumë gjëra ku bashkohen se sa ndahen. Ky tur do të mbyllet me nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi me Teatrin Kombëtar të Beogradit.

PSE PRELJOCAJ

Duke u mbështetur në suksesin që dy koreografitë e Angjelin Preljocajt kanë pasur në të gjitha skenat botërore ku janë ngjitur, po ashtu edhe pritjen e publikut shqiptar, Drejtori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ka vendosur që Shqipëria të përfaqësohet pikërisht me këto dy vepra.

Sipas Kernit, pjesët e Preljocajt përbëjnë nivelin më të lartë të koreografisë botërore dhe përmes tyre, trupa shqiptare do të mund të paraqitet në këtë ngjarje me shumë dinjitet. Në përpjekje për të vënë në jetë konceptin e tij mbi një teatër repertori, pasi i ka testuar në publik, Kerni i ka bërë tashmë pjesë të përhershme të kalendarit të TKOB koreografitë e Angjelin Preljocajt, Daniel Cardosos dhe Youri Vamos.

Ndërkohë që emra të rëndësishëm tashmë të skenave botërore, si Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, Inva Mula, Gëzim Myshketa, Oriana Kurteshi, Elda Laro etj., po i ngrenë prestigjin skenës së TKOB me praninë e tyre.

VEPRAT

Baleti “Noces” (Dasma) u krijua në vitin 1989 mbi muzikën e Igor Stravinskit. “Gjithmonë dasmat më janë dukur si tragjedi të çuditshme. Ndoshta, nisur nga tradita ballkanase apo thjesht prej fantazisë së gjallë të një fëmije, instinktivisht e kam ditur që kishte një mister që shoqëronte figurën e nuses, e cila asnjëherë nuk shfaqej gjatë festimeve të dasmës së saj.

nocesss1Si një lloj monedhe që kalon nga një familje në një tjetër, shfaqet nusja në momentin e fundit, kur euforia e një dite të kaluar mes zhurmës dhe festimeve shuhet. Të gjithë i kanë sytë nga ajo, një pasqyrim i mbuluar me vello i dramës që nuk mund të injorohet më. Dhe ashtu si në vargun e një marshi funebër, ajo do të ecë ngadalë, me sytë plot lot, drejt përdhunimit të ligjëruar”, do të shprehej koreografi Angjelin Preljocaj. “La Stravaganza” është krijuar në vitin 1997 mbi muzikën e Antonio Vivaldit.

“Duke qenë fëmijë prindërish emigrantë, ky qytet ka qenë gjithnjë një mit për mua. Simbol i emigrimit për ata që largohen dhe udhëtojnë për të ndërtuar diçka tjetër, kjo ide e një kontinenti të ri më është shfaqur me forcë gjatë këtij krijimi. Nga njëra anë, ishte dikush që vinte nga Lindja me kulturën e tij të lashtë, traditat e tij, dhe, nga ana tjetër, ishte Amerika, Broduej, Balanshina. Kam dashur të tregoj një histori të së shkuarës, e cila rikthehet si një bumerang. Njerëz të dalë nga balta që sjellin diçka të re. Në fillim të pjesës dëgjohet një vajzë e re që thotë: ‘Më kujtohet’. Ka një vërshim të së shkuarës në të ardhmen, njësoj sikur koha të ishte një rreth pa mbarim, një përjetësi. Zgjedhja e pjesëve muzikore është bërë në këtë kuptim. Partiturat e Vivaldit, një muzikë shumë e pasur, shumë e ndërtuar, vjen dhe përballet me tinguj më organikë”, ka shkruar Preljocaj në konceptin e tij mbi këtë vepër, ndërsa shton se te “La stravaganza” është edhe vetë historia e tij personale.

“LES NOCES”

Koreografia: Angjelin Preljocaj
As/Koreograf: Noémie Perlov, Claudia De Smet.
Asistente në prova:
Alisa Gjoni
Kostumet:
Caroline Anteski
Ndriçimi: Jacques Chatelet
Interpretojnë: Adela Mucollari,Loreta Bala, Rovena Shqevi, Odeta Dishnica,Elda Logo, Eltjon Merja, Dion Gjinika, Gerd Vaso, Kristi Dushmani,Andi Vrapi

“Stravaganza”

Koreografia: Angjelin Preljocaj
Muzika: Antonio Vivaldi
As/Koreograf: Noémie Perlov, asitente në prova: Alisa Gjoni
Skenografia: Maya Schweizer
Kostumet: Hervé Pierre
Ndriçimi: Marc Stanley

Interpretojnë: Ledia Sulaj.Odeta Dishnica,Loreta Bala, Rovena Shqevi,Adela Mucollari, Jonida Onuzi, Gerd Vaso, Ervis Nallbani, Dion Gjinika, Eltjon Merja, Kristi Dushmani, Andi Vrapi

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura