Atentati, të afërmit e vajzës: Nuk i njihnim dy djemtë që ishin me Aurorën

Oct 4, 2015 | 1:30
SHPËRNDAJE

Familja e Aurora Oskian dhe të afërmit pohojnë se nuk i njihnin dy djemtë me të cilët ajo ishte në makinë. Babai, nëna dhe i vëllai, banojnë në një apartament të thjeshtë, në katin e pestë të një prej pallateve të vjetra në krah të shkollës “Pjetër Budi”, pranë Gjykatës së Tiranës.

Nuk është e thënë që të futesh brenda në shtëpinë e saj për të kuptuar tragjedinë që po përjetojnë familjarët e 29-vjeçares.

Elvis Gaçaj/Aurora Oskian
Elvis Gaçaj/Aurora Oskian

Sapo drejtohemi te rrugica ku ndodhet pallati ku jetonte Aurora, e kuptojmë që të flasësh me të afërmit do jetë e pamundur. Përballë hyrjes së pallatit, ku ndodhet një dyqan i vogël ushqimore ndeshemi me babanë e saj, Albertin.

Na thonë që Aurora ka qenë shumë e lidhur me të. Në fakt, edhe ai me të bijën. Aq sa nuk e kishte përballuar dot ta shikonte në arkivol dhe ngushëllim kishte gjetur te gota e rakisë me fqinjin e katit të parë. Na pyet se përse kemi shkuar aty dhe me mirësjellje na kërkon që të mos e trazojmë më shumë. Ndërsa të qarat dëgjohen që nga kati i parë i pallatit.

Teksa ngjisim shkallët, një kushërirë e saj bisedon pak çaste me ne, duke na thënë se është e pamundur që në një moment të tillë të na përgjigjej nëna apo i vëllai.

“Aurora ishte vajzë e qetë. Punonte dhe ndihmonte familjen. Gjimnazin e mbaroi për gjuhë të huaja. Edhe të lartën atje e bëri, duke u diplomuar për italisht. Tani punonte në një “call center”, bashkë me shoqen e saj, Edën, që ishte dje me të. Ishin rritur bashkë, ishin të pandashme. Ndërsa për dy djemtë që ishin me të në makinë, nuk dimë asgjë. Emrat e tyre dje (të enjten) në darkë i dëgjuam për herë të parë”, shprehet kushërira e Aurorës.

Ndërsa na thotë se nuk ishte momenti i përshtatshëm, pasi po bëheshin gati për ceremoninë mortore. Makina e funeralit ishte nisur për aty dhe Aurorën do ta përcillnin për në banesën e fundit në varrezat e Sharrës. 

Etleva Delia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura