At Zef Valentini, në Shqipëri si misionar kulturor

Aug 4, 2014 | 15:58
SHPËRNDAJE

At Giuseppe Zef Valentini në vitin 1979 në fundin e jetës, në klinikë me një vazo me lule në duar, të dhuruar nga shqiptarët, që i qëndruan deri në fund pranë, në shenjë mirënjohjeje për atë që ai ka bërë për kombin shqiptar

Pas një pune kaq titanike sa ajo e jezuitit at Valentini, edhe organizmi më i fuqishëm njerëzor do të ishte ezauruar. Më në fund natyra kërkoi të drejtat e saj. Në 1970, në moshën 70- vjeçare, at Valentini dha dorëheqjen nga detyra e tij si titullar në Universitetin e Palermos, por nuk u largua prej andej, se donte të qëndronte pranë universitetit ku vazhdoi të shkonte herë pas here për të dhënë leksione deri në 1975-n. Me rastin e 70-vjetorit të lindjes mori vlerësime të merituara për punën e tij titanike. Por jo nga Shqipëria, ku tanimë konsiderohej armik i betuar.

Ndoshta më të rëndësishmet për studimin tonë janë ato vlerësime që janë bërë nga albanologët e njohur, siç ishte rasti i historianit dhe albanologut Peter Bartl, i cili në një shkrim me titull “Mbi veprën historike të Giuseppe Valentinit”, botuar në revistën “Shejzat” në 1970-n, shkruante: “Duket thuajse e pamundur që të kesh parasysh plotësisht publikimet e panumërta të Xhuzeppe Valentinit, që kanë si objekt çështjet e historisë shqiptare, prandaj dua të zgjedh më të rëndësishmet, për t’i radhitur në katër fusha temash: 1) Burimet mbi historinë shqiptare; 2) E drejta zakonore e shqiptarëvet; 3) Venediku dhe Shqipëria; Do të meritonte që të zhvillohej në një libër më vete ideja e jezuitit at Zef Valentini për ta shpjeguar mendësinë dhe shpirtin e shqiptarit, duke i parë njerëzit e shquar që ka nxjerrë kombi shqiptar si kurorëzim i këtij shpirti dhe mendësie, që i bën ata të ndihen si bashkëthemelues të qytetërimit europian. Vitet shtatëdhjetë janë vitet e shuarjes së ngadaltë të at Valentinit, vitet e muzgut të atit të albanologjisë moderne, nëse mund t’i quajmë kështu.

Megjithatë ai vazhdoi të punojë deri në ditën e fundit të jetës, siç e kam treguar në biografinë që kam shkruar për të. Në 1975 ai u largua përfundimisht nga Palermo dhe shkoi në Milano, ku u vendos në Kishën e Shën Fedeles. Vitet e Palermos, që nga 1952 deri në 1975, duhen llogaritur si vite shqiptare, për shkak se ai gjatë kësaj kohe u mor kryesisht me studime albanologjike. Palermoja u bë Shqipëria e at Valentinit, në pamundësi për të shkuar në Shqipëri, siç do të kishte dashur. Kështu që, kur llogaritet koha e qëndrimit të at Zef Valentinit në Shqipëri, duhen llogaritur edhe vitet palermitane të tij. Një pjesë të madhe të viteve palermitane at Valentini i kaloi midis arbëreshëve të Italisë, pra në një copëz Shqipërie. Kështu që duhet thënë se e kaloi në Shqipëri pjesën më të madhe të periudhës nga viti 1922 në 1975. Midis këtyre viteve ai bëri veprën e tij të madhe, pjesa më e madhe e së cilës i përket albanologjisë në të gjitha fushat e saj. Por edhe në katër vjetët e fundit të jetës së tij at Valentini vazhdoi të mendonte dhe të punonte për tema shqiptare. Megjithëse që nga viti 1976 u detyrua të bëhej banor i përhershëm i një klinike. Tanimë e ndiente se po i afrohej vdekja.

Enologu shijehollë, edhe anëtari i Akademisë Italiane të Kuzhinës, nuk kishte më oreks për të ngrënë gjellët e shijshme që i përgatisnin motrat (murgeshat) që kujdeseshin për të. Njeriu që mund të fliste për kulinarinë njëlloj si për historiografinë, ai që mund të diskutonte për përgatitjen e një salce të sofistikuar, ashtu si për nuancat e latinishtes mesjetare, ai që shijonte me të njëjtën kënaqësi letërsinë e mirë dhe kuzhinën e mirë, ishte duke humbur shijen e tij të hollë. Për të kjo ishte shenja më e sigurt se po i afronte vdekja. Por për të, pas muzgut të jetës nuk vinte nata e vdekjes, por dita e shkëlqyer e botës së përtejme, ku me jetën që kishte bërë në këtë botë, i kishte siguruar shpirtit jetën e pafundme të ndritur. Edhe ai i ishte lutur Zotit, ashtu siç thotë Nënë Tereza në poezinë e saj “Lutje e përditshme e misionarit të dashurisë”.

Kur at Valentini u nis si misionar në Shqipëri, në 1922-shin, ai iu lut Zotit që ta ndihmonte t’u shërbente atyre që ishin të varfër në kulturë, që kishin uri për kulturë, se një popull që ushqehet me kulturë të mirë nuk do të vuajë për bukë, se do të mësojë ta bëjë bukën. Njerëzit e ushqyer me kulturë të mirë do të bëheshin edhe ata misionarë apo, siç thotë Nënë Tereza, lajmëtarë të paqes së Zotit. Këta njerëz pastaj do të shpinin dashurinë atje ku sundonte urrejtja, do të shpinin pajtimin atje ku sundonte dhuna, do të shpinin bashkimin atje ku sundonte ndarja, do të shpinin të vërtetën atje ku sundonte lajthitja, do të shpinin shpresën atje ku sundonte dyshimi, do të shpinin dritën atje ku sundonin hijet, do të shpinin gëzimin atje ku sundonte trishtimi. Këta njerëz të ushqyer me kulturë të mirë do të kërkonin të ngushëllonin të tjerët para se të ngushëlloheshin vetë, do të kërkonin të kuptonin të tjerët, para se të ankoheshin pse nuk kuptohen nga të tjerët, do t’i donin të tjerët, para se të kërkonin të duheshin prej tyre. Këta do të ishin njerëz që do të fitonin nga vetëmohimi.

Ku i kemi ne njerëz të tillë sot në Shqipëri? Nuk duhet të pretendojmë që t’i kemi, nëse nuk i kemi ushqyer me kulturë të mirë. Njeriu është si ajo bima që rritet sipas llojit të ujit me të cilin ujitet. Në qoftë se i hidhet ujë i ndotur, i përzier me helme toksike, bima do të rritet e sëmurë, do të thahet. Në qoftë se i hidhet ujë i pastër, ajo do të rritet e shëndetshme. Çfarë presim ne nga brezat e rinj kur nuk jemi në gjendje t’i ushqejmë me kulturë të mirë? Dhe nuk jemi në gjendje ta bëjmë këtë gjë, se nuk duam ta pranojmë se kulturë e mirë është kultura e llojit valentinian. Në fund të fundit ky ishte dhe qëllimi i at Valentinit kur ia dedikoi jetën e tij popullit shqiptar. T’u jepte brezave të rinj të shqiptarëve ushqim të mirë kulturor. Kështu ai shpresonte se vepra e tij do të shërbente si një manual për të bërë misionarë të rinj kulturorë dhe ai kështu do të shumëfishohej në ta. Çdo lexues i Valentinit mund të bëhet një misionar kulturor si ai, që të shpërndajë ushqim të mirë kulturor në mjedisin ku jeton.

Në fund të fundit, çfarë është një misionar, përveçse një njeri i frymëzuar që mëton të përhapë fjalën e mirë? Ai që e lexon Valentinin, bëhet misionar si pa e kuptuar dhe kështu më ndodhi dhe mua. Prof. Attilio Vaccaro e përfundon kështu biografinë e tij të shkurtër për at Zef Valentinin: Që në fund të viteve ’80, at Karmelo Kapici pat dëshiruar botimin, në mos të “Opera omnia” të Valentinit, çka do të ishte një ndërmarrje kolosale, pasi mjafton të sillen ndërmend vëllimet e “Akteve shqiptare- venete”, të paktën të pjesës më të madhe të shkrimeve të tij, mbi të gjitha atyre shkrimeve minore ose të rralla e, për pasojë, të vështira për t’u konsultuar.

Shpresoj që këto pritshmëri fisnike mund të rroken nga ndonjë studiues, i ri dhe vullnetfortë, për t’iu afruar gjeneratave të ardhshme një guidë të pasur për studimin, kërkimin dhe mësimdhënien e albanologjisë. A nuk kërkon këtu Attilio Vaccaro që një njeri në Shqipëri që do të njihej me veprën e at Valentinit, të frymëzohej sa për t’u bërë misionar kulturor, që të ndërmerrte misionin e vështirë për të botuar dhe përhapur në Shqipëri veprën madhore të at Valentinit? Dikujt do t’i ndodhte një gjë e tillë dhe rasti e solli që të më ndodhte mua, madje do të ndihem vërtet i lumtur nëse edhe të tjerët do të mendonin kështu. Para një viti e gjysmë unë botova një biografi të plot për at Valentinin, që ishte dhe një paraqitje e mënyrës se si e njoha, si e kuptova unë atë nga leximi i veprës së tij, i kujtimeve të atyre që e kishin njohur etj. etj.

Në fund të fundit ky libër tregon se si dhe përse u bëra unë një misionar kulturor, ose siç më pëlqen mua të them një misionar valentinian. Kur vdiq at Valentini, muzgun në të cilin jetoi vitet e fundit të jetës do ta linte në këtë botë, dhe ky muzg qëndron ende mbi emrin e tij në Shqipëri. Prandaj dhe këtë pjesë unë po e quaj “Muzgu i Atit të Albanologjisë”, ky muzg i mbajtur qëllimisht rreth emrit të tij, duhet shpërndarë me dritën e veprës së tij. Dhe kjo është një dritë që jepet falas, ashtu si drita e diellit. E them këtë se kur njihesh me veprën e at Zef Valentinit nuk mund të mos bësh pyetjen se sa para do t’i ishin dashur shtetit shqiptar që të shpenzonte për këtë vepër, në qoftë se atë do ta kishin bërë studiues të paguar nga shteti, si akademikë, profesorë, punonjës të instituteve kërkimore shkencore shtetërore, të universiteteve.

Sa para për dieta (udhëtime, fjetje, ushqime etj., pa llogaritur rrogat dhe shpërblimet) duheshin harxhuar për kërkuesit që do të dërgoheshin në qytetet e ndryshme të Europës për të punuar në arkiva që të nxirreshin të gjitha dokumentet që ka nxjerrë at Valentini dhe që përfshihen te “Akte shqiptare-veneciane”, apo në shumë botime të tjera të tij? Sa do të ishin paguar ata studiues që do të punonin për të bërë ato studime për të drejtën zakonore, gjuhësinë etj? Se shteti paguan shumë studiues për të punuar në këto fusha, madje edhe për gradat e doktoraturat e tyre, të cilat i shoqërojnë ata deri në një pension të diferencuar. At Valentini punoi pa asnjë shpërblim, si misionar për ne shqiptarët. Me veprën e at Valentinit ndodh i njëjti proces si me përfitimin e energjisë diellore.

Duhen harxhuar para për të bërë panele diellore. Edhe në rastin e veprës së at Valentinit duhen harxhuar para për ta botuar atë, për ta promovuar me kujdes atë dhe me siguri do ndihet ndikimi shkencor i saj. Këto do të jenë para të harxhuara nga shteti shqiptar shumë më mirë se në disa veprimtari apo koncerte të bujshme që bëhen veç për berihaje, e që vetëm me muzikën nuk kanë të bëjnë. Nuk e fsheh se edhe unë, si Valentini, dikur kam pasur hezitimet e mia, ndonjëherë kam dashur edhe ta lë këtë punë, i lodhur nga pengesat e shumta që më dilnin. Por gjithmonë më vinte ndërmend ai moment në vitin 1932, kur Papa Piu XI e ndali At Valentinin në çastin që po dilte nga zyra e tij, i vendosur që të kërkonte ta transferonin nga misioni i “vështirë” shqiptar në një mision në një vend tjetër. Më ngjan sikur ata dy burra të shenjtë më vështrojnë në sy e më jepnin kurajë, që edhe unë, si at Valentini, në atë kohë, të mos i ndahem punës së nisur për botimin e plot të gjithë korpusit të veprës së tij, por gjithashtu edhe njohjes së veprës shumëdimensionale që ai ka krijuar për vendin tonë.

NDRIÇIM KULLA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura