“Asgjesimi i Gjykatës Kushtetuese, pjesë e skemës mafioze të Ramës”, Alibeaj thirrje ndërkombëtarëve në Tiranë

Jul 9, 2018 | 13:40
SHPËRNDAJE

“Asgjesimi i Gjykatës Kushtetuese është pjesë e skemës mafioze të Edi Ramës për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të 6 kullave, duke grabitur tokën publike dhe private. Deputeti Enkelejd Alibeaj, deklaratë ne selinë e Partisë Demokratike”, kështu shprehet opozita sot, përmes një deklarate të dhënë nga Enkelejd Alibeaj.

“Nëse ka një tregues që provon sesa mafioz është ligji për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin atje të 6 kullave nga Edi Rama, ky tregues është mungesa e Gjykatës Kushtetuese!”, është shprehur ai.alibeaj

“Shqipëria, vend anëtar i NATO-s dhe që pretendon nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, është një vend ku Gjykata Kushtetuese është nxjerrë jashtë funksionit sipas një skeme të qartë mafioze, të drejtuar nga kryeministri i vendit.

Skema mafioze, nëpërmjet të cilës Edi Rama asgjesoi Gjykatën Kushtetuese dhe, më pas, miratoi me urgjencë ligjin antikushtetues të Teatrit ka vetëm një qëllim:  pastrimin e parave të pista të drogës dhe korrupsionit të Edi Ramës nëpërmjet:

Shembjes së Teatrit Kombëtar

  • Grabitjes së rreth 8500 metra katrorë pronë publike dhe
  • Kërcënimit të pronarëve privatë për ta shitur tokën me çmimin qesharak të përcaktuar, sërish në mënyrë antikushtetuese, nga kryemafiozi i qeverisë.

Partia Demokratike u bën thirrje pronarëve të rezistojnë ndaj çdo kërcënimi që po u bëhët nga kompania Fusha, e cila po përdor pushtetin mafioz të Edi Ramës për t’u grabitur pronën.

Nëse Gjykata Kushtetuese do të ishte sot në funksion dhe nuk do të mbahej peng nga Edi Rama, i cili ka bllokuar prej më shumë se 1 viti emërimet e reja, opozita, artistët, pronarët, qytetarët që kundërshtojnë grabitjen, do të kishin mundësi ta ankimonin ligjin në Kushtetuese dhe Gjykata të pezullonte çdo veprim të qeverisë.

Në kushtet e asgjesimit të Gjykatës Kushtetuese nga mafia që na qeveris, ne po presim verdiktin e Presidentit të Republikës. Ne po presim që kreu i shtetit të vendosë veton e tij mbi ligjin mafioz Rama – Fusha dhe të mos bëhet pjesë e grabitjes e së paku 200 milionë eurove.

Përfitoj nga rasti, t’i bëj thirrje faktorit ndërkombëtar në Tiranë, që ka, gjithashtu, përgjegjësi pse vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, të mos heshtë!

Të mos heshtë, njësoj si për drogën!

Të mos heshtë njësoj si për bllokimin e Gjykatës Kushtetuese, por të reagojë për të ndaluar grabitjen e pasurisë publike dhe private nga kryeministri barbar dhe I korruptuar që drejton sot Shqipërinë.

Partia Demokratike, opozita, qytetarët që duan ruajtjen e vlerave kulturore, si pjesë e identitetit tonë europian, qytetarët që duan Tiranën, qytetarët që nuk  pranojnë grabitjen dhe qeverisjen nga mafia nuk do të lejojnë triumfin e së keqes!”, ka përfunduar Alibeaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura