Arti shqiptar në zi, ndahet nga jeta regjisori i shumë filmave të njohur

Jan 15, 2020 | 9:31
SHPËRNDAJE

fehmi-450x330

Ndahet nga jeta në moshën 86 vjeçare regjisori i mirënjohur shqiptar Fehmi Hoshafi.

Lajmin e ka bërë me dije për publikun Qendra Kombëtare e Kinematografisë, duke shprehur edhe ngushëllimet për familjen e regjisorit të ndjerë.

Hoshafi ka qenë regjisori i njohur i filmave ‘Kapedani’, ‘Shoku ynë Tili’, ‘Zëvëndësi i grave’, etj.

Fehmi Hoshafi lindi në Tiranë më 28 Shtator 1934. Filloi të punojë në kinematografi si asistent i regjisorëve veteranë Hakani dhe Kristaq Dhamo, në filmat e tyre Toka jonë, (1964) ; Vitet e para, (1965); Oshëtimë në bregdet, (1967); Gjurma, (1970). Në vitin 1968 realizoi vetë spektaklin “Estrada në Ekran”, i cili u xhirua nga Kinostudio në formën e një filmi artistik. Prej suksesit që pati ky film, i’u besua më vonë, në vitin 1972, regjia për kinokomedinë aq të dashur Kapedani, të cilin e realizoi së bashku me regjisorin Muharrem Fejzo. Ky film shënon lindjen e kinokomedisë në kinematografinë shqiptare e që u pasua më vonë me kinokomedi të tjera po aq të dashura nga regjisori Hoshafi: Ëndërr për një karrige, (1984) dhe Zëvendësi i grave, (1987). Në periudhën 1976 – 1990 realizon edhe filma të tjerë artistikë dhe dokumentarë, ndër të cilët, filmi “Shoku ynë Tili”, i cili nderohet me çmim në Festivalin Ndërkombëtar për Fëmijë e të Rinj, Giffoni, në Salerno, Itali. Redaksia e rtsh.al shpreh ngushëllime për këtë humbje të madhe për familjen dhe artin kinematografik shqiptar.

regjisori

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura