Arselës për 10 orë nuk iu bë asnjë analizë, u shtrua në spital edhe një vit më parë

Dec 30, 2012 | 9:54
SHPËRNDAJE
Arsela Vladi, vogëlushja që humbi jetën në QSUT

Mjekët: E mitura shkoi në spital një vit më parë.

Drejtori i Spitalit: Vdiq nga neglizhenca. As prindërit dhe as mjekët s’i shkuan deri në fund.

Arsela Vladi, vajza 7-vjeçare që ndërroi jetë të enjten, ka kërkuar ndihmën mjekësore fiks një vit më parë në Pediatrinë e Spitalit të Durrësit. Këtë e konfirmon vetë drejtori i Spitalit Rajonal, Taulant Baku, i cili pohoi gjithashtu se neglizhenca i ka marrë jetën 7-vjeçares. Ai thotë se përgjegjës janë edhe vetë prindërit, pasi kur janë paraqitur 13 muaj më parë në Pediatrinë e Durrësit, pasi vajza kishte të njëjtat shqetësime, nuk i kanë shkuar deri në fund konsultës së mjekut.
Zoti Baku, prindërit e vajzës akuzojnë bluzat e bardha për vdekjen e vajzës. Ju në ç’konkluzion keni dalë?
Për mendimin tim, duhet pak kohë që të dalim në konkluzione të sakta, por nga sa jam njohur me rastin, them se ka një sërë fajtorësh, të cilët do të marrin dënimin e merituar. Jam njohur mirë me rastin e vajzës dhe kam informacione të hollësishme mbi trajtimin që i është bërë asaj. Për mendimin tim, ishte një rast mjaft i lehtë për t’u trajtuar, por neglizhenca ka bërë që të ndodhemi në këtë situatë. Mendoj se gjithkush ka përgjegjësitë e veta për vdekjen e vogëlushes, duke nisur që nga mjeku i lagjes, prindërit, te mjeku pediatër Rasim Lusha.

Taulant Baku, drejtor i Spitalit të Durrësit

Konkretisht?
Po, ka shumë përgjegjës. Mjeku i lagjes duket të jetë në çdo kohë disponibël dhe të kujdeset për çdo person që ka në patronazh. Ai duhet ta kishte këshilluar dhe pajisur me kërkesën për të bërë analizat. Gjithashtu, rreth 13 muaj më parë, vajza është paraqitur me të njëjtat simptoma në Pediatri, por që për arsye të ndryshme nuk u është shkuar deri në fund konsultave të mjekut dhe kësisoj nuk u mësua në kohë që vuante nga diabeti. Jam informuar se vajza ka mbërritur konkretisht në muajin nëntor të vitit 2011 në Pediatri dhe me rastin është marrë mjekja neurologe. Ajo i ka kërkuar nënës së vajzës që të kryente dy diagnostikime, por nëna e saj, pasi kishte marrë përgjigjet e ezhesë dhe të skanerit, nuk ishte paraqitur më në spital.
Grupet e punës, të ngritura për të hetuar rastin në fjalë, kanë dalë në konkluzionet e para dhe akuzojnë bluzat e bardha për neglizhencë dhe mungesës së përgjegjshmërisë…
Po është e vërtetë dhe unë nuk jam kundër që fajtorët të dënohen. Mjeku ka përgjegjësi të shpëtojë jetë njerëzish dhe jo t’ua marrin atë. Prandaj edhe e thashë që duhet një hetim i imtësishëm dhe i detajuar, në mënyrë që fajtorët të marrin dënimin e merituar dhe të mos përsëriten raste të tilla. Vajza ka qëndruar për një kohë të gjatë në Pediatri dhe është e patolerueshme që të humbasësh një pacient për një rast kaq të lehtë për t’u ndjekur. Por, edhe QSUT-ja kishte mjaftueshëm kohë për të ndërhyrë, pasi vajza ka dalë nga Pediatria me këmbët e saj dhe pasi ka mbërritur në Tiranë, është përkeqësuar. Vajza nuk ka vdekur dy orë më vonë, por ka qëndruar në QSUT mbi 28 orë, kohë e mjaftueshme për të ndërhyrë.
Domethënë, priten zhvillime të reja për rastin?
Po, sigurisht. Janë ngritur strukturat e nevojshme dhe jemi gati t’u shkojmë deri në fund hetimet, me qëllim parandalimin e rasteve të tjera. Deri më tani kanë dalë vetëm detajet e para, të cilat flasin vetëm për fillimin e hetimeve. Prandaj u ngritën dy grupe pune, për të parë edhe trajtimin që i është bërë të voglës në QSUT, ku dhe ka qëndruar për një kohë relativisht të gjatë, më shumë se një ditë. Edhe ata kanë përgjegjësitë e tyre, por megjithatë, këtë duhet t’ua lëmë personave specialistë të veprojnë dhe të thonë fjalën e tyre. Ne do të respektojmë çdo konkluzion që do të nxjerrin përfundimet e hetimeve dhe zotohemi se do të marrim masa të ashpra për fajtorët.
U është komunikuar pezullimi mjekeve dhe shkarkimi i mjekut pediatër që ndoqi rastin e 7-vjeçares?
U është komunikuar formalisht, por komunikimi zyrtar do t’u bëhet ditën e hënë me shkrim. Pediatri Rasim Lusha është shkarkuar nga detyra e mjekut dhe nuk do të lejohet ta ushtrojë më këtë profesion në spitalin e Durrësit, ndërsa dy mjeket do të pezullohen nga detyrat drejtuese, por do të vijojnë të japin kontributin e tyre, vetëm në detyrën si mjeke.

Ministria shkarkon pediatrin

Ministria e shendetesise

Pipero: Diabeti u diagnostikua në mëngjes. Pediatri dha glukozë gjatë natës.
“Për 10 orë asnjë analizë. Kronologjia e trajtimit të 7-vjeçares”
Arsela Vladit, 7-vjeçarja nga Xhafzotaj i Durrësit që humbi jetën tri ditë më parë, nuk iu bë asnjë analizë gjatë 10 orëve që qëndroi në spitalin e këtij qyteti.  Sëmundja e diabetit u diagnostikua vetëm në mëngjesin e ditës tjetër, kur gjendja e vajzës ishte përkeqësuar ndjeshëm. Gjatë natës, vogëlushja kishte marrë serum me përmbajtje glukoze, çka ndalohet kategorikisht për këdo që vuan nga sëmundja e sheqerit. Gjithçka e konfirmon Ministria e Shëndetësisë, e cila pas vlerësimit të kartelës klinike, ka nxjerrë përgjegjësin e parë për ngjarjen e rëndë. Ministri Tavo urdhëroi dje pushimin nga puna të mjekut pediatër, Rasim Lusha, për shkelje të rënda në vlerësimin dhe ndjekjen e rastit, si dhe mosrespektimin e udhëzuesve dhe protokolleve respektive. Në një konferencë për shtyp, drejtori i Politikave Shëndetësore, Pëllumb Pipero, bëri një përmbledhje kronologjike të ngjarjes, duke theksuar se hetimet po vazhdojnë për nxjerrjen e përgjegjësve, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.
Kronologjia e ngjarjes
“Fëmija është paraqitur në urgjencën e Spitalit të Durrësit dhe është hospitalizuar në orën 21:00 të datës 25 dhjetor 2012, në gjendje relativisht të mirë, sipas shënimeve të kartelës klinike ditore, e cila është mbajtur nga mjeku roje, Rasim Lusha”, tha drejtori i politikave shëndetësore, Pëllumb Pipero. Ai shtoi se vajzës  nuk i është bërë asnjë analizë laboratorike deri në orën 8 të mëngjesit të datës 26 dhjetor. “Sipas mendimit tonë, fëmija nuk është ndjekur në përputhje me protokollet, nuk është marrë anamneza e plotë, nuk është bërë thellimi në diagnozë e për pasojë nuk është mjekuar në mënyrë adekuate”, tha Pipero. Ai sqaroi se në mëngjes, nga ora 8 deri në 9 e 30, pas një konsulte të gjerë, angazhimi maksimal dhe ekzaminimeve laboratorike, fëmija është diagnostikuar me diabet dhe duke marrë në konsideratë fillimin e komplikacioneve të mundshme në tru, ndonëse koshiente (e ndërgjegjshme ) është nisur me urgjencë në Spitalin Pediatrik të Tiranës. “Fillimisht është shtruar në repartin e endokrinologjisë, ku i është nënshtruar terapisë intensive, sipas protokollove, por pas komplikacioneve (veçanërisht në frymëmarrje dhe në tru) është transferuar në reanimacion, ku dhe ka ndërruar jetë në orën 14 e 30 të datës 27 dhjetor 2012, për shkak të komplikacioneve të rënda, rrjedhojë e kësaj sëmundjeje (edeme cerebrale dhe ketoacidoze e rëndë diabetike) me mortalitet shumë të lartë”, sqaroi drejtori i Politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë.
Shkarkimi i Mjekëve
Fill pas ngjarjes së rëndë, Ministria e Shëndetësisë ngriti dy grupe pune për të hetuar për ngjarjen. Vetëm pas disa orësh, ministri i Shëndetësisë urdhëroi pezullimin nga puna të shefit të shërbimit të laboratorit dhe atij pediatrik të Spitalit Rajonal të Durrësit. “Sot, pas konkluzioneve të para që lidhen me vlerësimin e kartelës klinike dhe informacioneve të marra nga drejtuesit e institucioneve respektive, ministri Tavo urdhëroi pushimin nga puna të mjekut pediatër Rasim Lusha, për shkelje të rënda në vlerësimin dhe ndjekjen e rastit dhe mosrespektimin e udhëzuesve dhe protokolleve respektive”, sqaroi Pipero. Ai theksoi se hetimet po vazhdojë për t’i shkuar përgjegjësive deri në fund, në mënyrë që të dalin përgjegjësit. “Kjo në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten më, ndërsa inkurajon organet e drejtësisë për të filluar hetimin e çështjes”, tha Tavo.

Shefi i Urgjencës Pediatrike: Diabeti, vështirë për t’u diagnostikuar
“Vetëm për rastet urgjente serumi jepet pa bërë analizat”
“Jo çdo fëmije që vjen në urgjencën e spitalit i bëhen analizat standarde, ku bën pjesë edhe matja e glicemisë, që mund zbulon nëse fëmija është me diabet apo jo. Por, në momentin që fëmija shtrohet, gjëja e parë që bëhet janë pikërisht këto analiza”. Kështu u shpreh dje për gazetën shefi i Shërbimit të urgjencës në Pediatrinë e Tiranës,  Gugash Cerga. Sipas tij, pjesa më e madhe e të vegjëlve trajtohen me fiziologjik (ujë me kripë) dhe glukozë, serume këto që jepen njëra pas tjetrës. “Reanimimi i fëmijëve bëhet sipas këtij protokolli i cili zbatohet thuajse në të gjitha rastet që paraqiten në gjendje të rëndë në spital”,tha Cerga. Ai sqaroi se fëmijët me diabet të fshehur është e vështirë të dallohen pa u bërë analizat, ndërsa paraqiten në spital me të vjella, çka mund të ngatërrohet shumë shpesh me një virozë apo sëmundje të tjera. “Nuk është e lehtë për një mjek diagnostikimi, pavarësisht se ka disa indikacione, si për shembull era e rëndë gati si açeton që mban fëmija, të cilat kapen me sy dhe në të tilla raste kërkohen direkt analizat”, tha Cerga. I pyetur për dijeninë e tij në lidhje trajtimin në Tiranë të 7-vjeçare, Cerga sqaroi se vajza është paraqitur në gjendje shumë të rëndë dhe është shtruar urgjentisht në reanimacion. “Normalisht, ngjarje të tilla nuk duhet të ndodhin dhe analizat i heqin direkt përgjegjësinë mjekut, por në një shërbim që ka fluks pacientësh si ky i yni, një gabim i tillë mund t’i kishte ndodhur edhe mjekut më të përgatitur”, tha Cerga.

Vdekja
Vajza 7-vjeçare ka shfaqur shqetësime të forta mbrëmjen e së hënës, më 24 dhjetor, për të humbur jetën mesditën e së enjtes në Spitalin e Tiranës, atëherë kur ishte shumë vonë në shpëtimin e saj. Arsela ishte nxënëse në shkollën e muzikës “Jan Kukuzeli” dhe sipas familjarëve, dëshironte të bëhej violiniste e famshme. Ajo la pas dhe një motër e vëlla, një 9 dhe 3 vjeç. Në ceremoninë e varrimit të saj morën pjesë moshatarët dhe nxënësit e klasës, të cilët nuk do e shohin më shoqen e tyre kur të nisë në janar semestri i ri.

Mjekët
Ky është rasti i tretë në harkun e një viti që mjekët e spitalit të Durrësit akuzohen për neglizhence dhe papërgjegjshmëri. Fillimisht ka qenë familjarët e volejbollistit Juxhin Guza, që denoncuan mjeket dhe i akuzuan për vdekjen e djalit të tyre. Gjithashtu bluzat e bardha, konkretisht ato të repartit të pediatrisë, u kryqëzuan pak kohë më vonë, nga prindërit e një vajze të vogël nga Spitalla. Ata bënë fajtor drejtpërdrejtë mjekët për vdekjen e foshnjës, pasi sipas tyre, mjekët kishin neglizhuar rastin. Në të dyja rastet, mjekët janë rikthyer në detyrë.

Kryeprokurori i Durrësit: Hetim për vdekjen e vajzës

Gjykata e Durresit

Hapet zyrtarisht dosja
Prokuroria e Durrësit nis zyrtarisht hetimin për rastin e vdekjes së 7-vjeçares. Prokurori i qarkut të Durrësit, Altin Binaj, konfirmoi për gazetën “Panorama” se institucioni që ai drejton ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit menjëherë sapo u bë publik. “Kemi ngritur një grup pune për të hetuar mbi ngjarjen e rëndë të humbjes së jetës së vajzës së vogël. Njerëzit tanë do të bashkëpunojnë me specialistët e fushës së mjekësisë në këtë hetim dhe më pas do të veprojmë në bazë të rezultateve”, bëri të ditur Binaj. Bazë për nisjen e hetimit u bënë dhe deklaratat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe ngritja e dy grupeve të punës nga ana e tyre për zbardhjen e ngjarjes. Ndërkohë, prindërit e 7-vjeçares Arsela Vladi, ia kanë deleguar të gjitha kompetencat Avokatit të Popullit, Igli Totozani. Me anë të Avokatit të Popullit, prindërit e vajzës 7-vjeçare nga Xhafzotaj, e cila humbi jetën tri ditë më parë, kanë kërkuar të hetohet rasti i vdekjes së fëmijës dhe shkaktarët të dënohen me dënimin maksimal. Përveçse në media, familjarët nuk kanë kryer denoncim në institucionet përgjegjëse, por për ndjekje të mëtejshme të rastit i ka garantuar vetë Totozani, i cili gjatë një vizite ngushëllimi në familjen e 7-vjeçares, u siguroi prindërve se me këtë çështje do të merret drejtpërdrejt institucioni që ai drejton. Sipas familjarëve, kjo çështje duhet ndjekur nga instancat, që të mos ndodhë një rast i ngjashëm.

Durrës, drejtoria e Spitalit: Të hënën u komunikojmë masat
DURRES – Dy mjeket e Pediatrisë së Durrësit do të vazhdojnë punën në spital, por jo si shefet e reparteve që drejtonin prej vitesh. Drejtori i Spitalit të Durrësit, Taulant Baku deklaroi dje se masa e pezullimit nga puna të Irena Lilës, shefe e Laboratorit të spitalit, si dhe Etleva Myshketës, shefe e Pediatrisë po në spitalin e Durrësit, është e vlefshme vetëm për detyrat drejtuese, deri në fund të procesit hetimor për to, në lidhje me akuzën e mjekimit të pakujdesshëm. Ndërsa për mjekun pediatër, Rasim Lusha, është marra masa finale e pushimit nga puna. Mësohet se mëngjesin e djeshëm, në spital janë paraqitur në detyrë të tre mjekët, për të cilët vendimi u është komunikuar vetëm gojarisht, gjatë një mbledhjeje me drejtorin e Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Sipas drejtorit të Spitalit, ditën e hënë do t’u komunikohet me shkrim masa e marrë nga ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, për të tre mjekët në lidhje me rastin e vdekjes së vajzës 7-vjeçare, Arsela Vladi. Drejtori konfirmon faktin se Irena Lila, si dhe Etleva Myshketa, deri në fund të hetimit do të jenë vetëm në rolin e mjekeve të thjeshta. Pas nisjes së hetimit kryesisht, për të tre mjekët do të verifikohet përgjegjësia e secilit për këtë rast dhe sa mund të luante rol angazhimi i tyre profesional për të shpëtuar nga vdekja vajzën e vogël.                           l.m

Kolegët e mjekut: Prindërit s’treguan për vajzën
Kolegët e mjekut pediatër të shkarkuar, Rasim Lusha, nuk e kanë pritur mirë shkarkimin e tij dhe pezullimin e tij dhe kanë fajësuar prindërit. Ata e kanë quajtur një ngjarje shumë të rëndë vdekjen e 7-vjeçares, por për këtë, sipas tyre, përveç mjekut, kanë faj edhe prindërit. “Vajza vuante prej më shumë se një vit nga kjo sëmundje. Prindërit duhet të ishin shprehur paraprakisht se në ç’gjendje ishte fëmija”, shprehet një prej mjekeve pediatre, ndërsa tregon se prindërit në shumicën e rasteve tregohen krejtësisht të papërgjegjshëm. “Disa minuta më parë erdhi në urgjencën e Pediatrisë një fëmijë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe nuk pranuan që fëmija të shtrohej në urgjencë për të marrë mjekimin e nevojshëm. Ndonëse kishin marrë recetë nga mjeku i lagjes për shtrim të menjëhershëm në Pediatri, prindërit, pasi kanë bërë të gjitha procedurat për shtrim, në momentin e fundit kanë ndryshuar mendje duke mos pranuar që ta shtrojnë vajzën. Po si ky rast numërohen me dhjetëra në ditë. Prandaj them se në shumicën e rasteve janë vetë prindërit, të cilët janë të pakujdesshëm dhe i drejtohen mjekut vetëm kur fëmija është në gramat e fundit”, pohoi një prej mjekeve të Pediatrisë, e cila nuk ka dashur të identifikohet.

LEONIDHA MUSAJ & ZIRINA LLAMBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura