Arkivi i CIA: Roma, qendra e operacioneve kundër Hoxhës

Jun 30, 2013 | 13:59
SHPËRNDAJE

Kol Bibë Miraka, një nga liderët e Bllokut Kombëtar Indipendent
Dokument i Shërbimit amerikan për operacionet “HTNEIGH”. Pas grushtit të shtetit për rrëzimin e Hoxhës, komiteti do të krijojë një qeveri të pranuar nga Perëndimi.

Dokumenti i sotëm që vjen nga arkivat amerikane të deklasifikuara është një dokument mjaft i rëndësishëm për historinë e mërgatës shqiptare antikomuniste. Ky dokument i hartuar nga departamenti i operacioneve klandestine të CIA-s është një dëshmi autentike për rolin e vërtetë të komitetit “Shqipëria e Lirë”. Me gjithë debatin e gjatë historik mbi rolin dhe themelimin e vërtetë të kësaj qeverie në emigracion, ky dokument është dëshmia e parë mbi themelimin e kësaj organizate.

Deri më sot, nga historiografia antikomuniste kjo organizatë e rëndësishme në emigracion është quajtur si një bashkim vullnetar i liderëve antikomunistë, të cilët u larguan nga Shqipëria në nëntor të 1944-s. Emra të shquar kanë qenë të lidhur me këtë organizatë, e cila drejtohej nga shqiptari i njohur Mit’hat Frashëri. Por, ky dokument i botuar sot për herë të parë do të hedhë më shumë dritë mbi të vërtetën historike të organizatës antikomuniste komiteti “Shqipëria e Lirë”. Duket qartë nga ky dokument se kjo organizatë është themeluar si një mbulim i operacioneve sekrete të CIA-s kundër regjimit të Enver Hoxhës.

Nuk ka asnjë dyshim se organizata, anëtarët e saj dhe e gjithë strategjia e funksionimit të saj kanë qenë të drejtuar dhe e organizuar nga specialistë të Shërbimeve Sekrete amerikane dhe britanike. Në rreshtat e këtij dokumenti shpjegohet qartë se për çfarë arsyeje amerikanët e themeluan këtë organizatë dhe çfarë roli luante ajo në të vërtetë. Ky dokument dhe të tjerë në dosjen e komitetit “Shqipëria e Lirë” hedhin dritë mbi organizatën më të famshme shqiptare të pasluftës, duke sjellë edhe një revizionim mbi rolin e vërtetë të saj.

AURON TARE

TOP SEKRET
Shefi i Degës (emri i fshirë) exct 671
Drejtoria/ SE-1 Projekti HTNEIGH Oficeri përgjegjës ( emri i fshirë) exct 8366 Objektivi: Shqipëria
Tipi i Projektit: PP 1.

OBJEKTIVAT
Komiteti “Shqipëria e Lirë” u krijua nga Shërbimet Sekrete Amerikane dhe Britanike në verën e vitit 1949 për të shërbyer si një mbulim për operacione klandestine, si dhe një pikë fokusimi për të gjithë antikomunistët në emigracionin shqiptar, si dhe brenda Shqipërisë. Objektivi i projektit HTNEIGH është që të mbajë komitetin “Shqipëria e Lirë” si një mundësi legale për të mbuluar aktivitetin e CIA-s, si dhe operacionet klandestine kundër Shqipërisë.

1. Vlerat e përfaqësuara nga projekti HTNEIGH Komiteti “Shqipëria e Lirë” përfaqëson një grupim të refugjatëve shqiptarë dhe vepron si një pikë grumbullimi për të gjithë emigrantët e interesuar në çlirimin e Shqipërisë, ndërsa është dhe një mbulim për të gjitha operacionet sekrete të CIA-s. Nëpërmjet propagandës dhe medias komiteti “Shqipëria e Lirë” publikon vuajtjet e popullit shqiptar, si dhe mundohet të ndezë rezistencën në shpirtin pasiv brenda vendit. Aktivitetet që kryhen në emër të këtij komiteti janë:

1. Publikimi i gazetës “Shqipëria” dy herë në muaj në shqip, si dhe një përmbledhje e kësaj të fundit dy herë në muaj, material i përdorur për t’u hedhur me parashutë në Shqipëri.

2. Botimi i një materiali përmbledhës në anglisht, frëngjisht dhe italisht që u shpërndahet çdo muaj agjencive më të mëdha të medias…

3. Përgatitja e tekstit për propagandën (shiko operacioni OBTUSE)

4. Përgatitja e teksteve për propagandën klandestine e përdorur në transmetimet në radio (shiko operacionin HTGRUBBY)

5. Operacioni i dërgimit të letrave “të shkruara me laps të helmuar” që u dërgohen funksionarëve të lartë komunistë.

6. Bashkëkoordinimi me grupime të tjera emigracioni, veçanërisht ato që janë të lidhura me Komitetin e Europës së Lirë, si dhe pjesëmarrje në aktivitetet e tyre, sidomos në Kongresin e Juristëve të Lirë.

7. Menaxhimi i problemeve të shqiptarëve në nevojë në Europën Juglindore dhe në Lindjen e Mesme.

8. Rekrutimi i agjentëve dhe operacioneve të infiltrimit të tyre (shiko projekti OBHUNT)

9. Marrja në pyetje e refugjatëve.

1. Dy anëtarë të komitetit “Shqipëria e Lirë” mbajnë të hapur qendrën e organizatës në New York ku janë në kontakt me organizata të tjera emigracioni, si pjesë e Komitetit Kombëtar të Europës së Lirë. Këta dy anëtarë të komitetit konsultohen nga oficerë të CIA-s. Qendra e propagandës është në Romë, ku dy oficerë, një britanik dhe një amerikan, së bashku drejtojnë mënyrën e operacioneve të propagandës.

2. Periodikët e botuar në emër të komitetit “Shqipëria e Lirë” kontrollohen nga oficeret e CIA-s dhe MI6 ( shërbimi i fshehtë britanikshënim i redaksisë) të atashuar pranë zyrave të propagandës së Komitetit në Romë.

Politika britanike dhe amerikane për Shqipërinë është si vijon: Gazeta dhe buletini që botojmë janë një zë i propagandës për të cilën ne duam të publikojmë. Ato që ne duam mund të merren dhe të botohen nga numri në numër, në varësi të informacionit. Përmbledhja “Shqipëria” mundëson një metodë të mirë për t’u dhënë shqiptarëve lajme të njëjtat në një kohë prej dy
deri në tri javë nga botimi i gazetës. Transmetimi i radios klandestine mund të
dërgojë çfarëdolloj mesazhi që ne duam te popullata shqiptare.

(Specialen e plote nga Auron Tare e lexoni sot ne Panorama)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura