Arben Mevlani fiton gjyqin me TCH pas pushimit nga puna, do dëmshpërblehet me një vit pagë

Feb 22, 2015 | 11:20
SHPËRNDAJE

Sipas TCH, Mevlani bënte gabime në leximin e lajmeve, por gjykata i konsideron thjesht lapsuse

Në foto: Arben Mevlani dhe vajza e tij, Armina
Spikeri i njohur, Arben Mevlani, ka fituar çështjen me televizionin “Top Channel”, ndaj të cilit kishte depozituar një kërkesë pas pushimit nga puna, në qershor të vitit të kaluar. Gjyqtarja Anila Ristani shqyrtoi kërkesë-padinë e 54-vjeçarit Mevlani gjatë një seance të mbajtur pranë Gjykatës disa ditë më parë. Ai kërkonte nga “TCH” që të dëmshpërblehet me pagën e një viti për zgjidhjen e kontratës së punës në mënyrë të menjëhershme dhe pa shkaqe të arsyeshme, dhe pa u njoftuar më parë. Mevlani ka sqaruar në kërkesë-padi se drejtuesit e TCH nuk i kanë dhënë shpjegime, por i kanë kërkuar që të japë dorëheqjen, edhe pasi refuzoi të bënte këtë gjë në datën 15 korrik të vitit 2014. Arsyet e pushimit janë paraqitur në Gjykatë nga pala tjetër, ku prej përfaqësuesve të këtij televizioni pretendohet se nga ana e Mevlanit janë shfaqur problematika në leximin e teksteve në disa edicione lajmesh, duke u evidentuar disa data në katër muajt e fundit: mars, prill, maj, qershor të vitit të kaluar. Sipas TCH, për këto shkelje të përsëritura nuk i është dhënë asnjëherë ndonjë masë disiplinore me shkrim dhe as i janë evidentuar në kohën në të cilën pretendohet se janë kryer. Por, sipas tyre, këto veprime të Mevlanit kanë cenuar parimin e mirëbesimit, pasi duke qenë se transmetimi i lajmeve të lexuara nga ai ka qenë në transmetim “live”, ka dëmtuar dhe imazhin e televizionit “Top-Channel”. Më tej thuhet se, me gjithë qëllimin dhe vullnetin e mirë të tyre për ta vazhduar marrëdhënien e punës, ai nuk tregoi dëshirë për të vazhduar, por vijoi me shkelje të kontratës për sa i përket kujdesit në punë. Gjatë verifikimit nga ana e gjykatës të DVD-ve me këto regjistrime nuk rezultuan të provuara pretendimet e “TCH” për gabime në lexim nga ana e spikerit, por vetëm ndonjë lapsus krejtësisht i papërfillshëm, thuhet në vendimin zyrtar të Gjykatës. Këto fakte të paraqitura si prova nga TCH nuk mund të përbëjnë shkaqe të arsyeshme për të vendosur zgjidhjen e menjëhershme të kontratës së punës. Kështu që TCH detyrohet ta dëmshpërblejë në masën e pagës së një viti dhe për vjetërsi në punë. Arben Mevlani u pushua nga puna si spiker në TCH pas 10 vitesh, që në hapjen e këtij televizioni. Tashmë ai punon si spiker në “TV Klan”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura