Anija peng/ Nëna e marinarit të lidhur me zinxhirë: Telefonata e fundit

Jun 24, 2016 | 23:26
SHPËRNDAJE

Janë në gjendje shoku familjarët e Luan Memës, 36- vjeçarit, i cili është një prej marinarëve të marrë peng nga shtetasi egjiptian që prej 18 qershorit. Ata fillimisht kanë menduar se humbja e kontakteve me djalin e tyre ndodhi për shkak të hapësirave ku nuk ka valë telefonike.

Luan Mema, marinari i mbajtur peng nga egjiptiani Salam
Luan Mema, marinari i mbajtur peng nga egjiptiani Salam

Por nga televizori dëgjuan se peshkarexha “Çelepia 2” ishte rrëmbyer nga marinari që punonte me Luanin, së bashku me kapitenin Dhimitër Malja. Më pas, fotoja e njeriut të tyre të lidhur me zinxhirë.

Shqipe Mema, nëna e Luanit, u bën thirrje autoriteteve të veprojnë sa më shpejt, se jeta e të birit dhe kapitenit është në rrezik nga momenti në moment. “Nuk ka gjë më të rëndë se ta shohësh tët bir të lidhur me zinxhirë. Të kisha mundësi, do të nisesha vetë në Egjipt ta kërkoja…”, shprehet e hidhëruar nëna e Luanit.

Prej sa ditësh nuk komunikoni me Luanin?

Që prej datës 18, kur u nisën për lundrim. Por dy-tri ditët e para ishte krejt normale, sepse ata supozoheshin se ishin në det dhe vende-vende nuk ka valë telefoni dhe nuk hyn linja. Por duke marrë parasysh edhe motin, që ishte i qetë, menduam se gjithçka ishte normale, sikurse herët e shkuara, pasi Luani është më shumë në det sesa në tokë. Ka familje për të mbajtur.

Kishit dijeni se anija me të cilën lundronin Luani, Dhimitri dhe egjiptiani Mohamed Salam, kishte shkëputur lidhjet me autoritetet shqiptare dhe nuk dihej vendndodhja e saj?

Ne kishim dijeni se anija kishte shkëputur prej shumë orësh kontaktet me autoritetet shqiptare, por këto janë gjëra që ndodhin, sidomos kur anijet peshkojnë në thellësi dhe zona në të cilat është e vështirë të ketë valë. Nuk është hera e parë që ndodhin këto fenomene, e kam fjalën për shkëputjen e kontakteve, pasi edhe anija tjetër (“Qamili”), kishte humbur kontaktet, por u gjet duke peshkuar disa milje larg bregut të Shëngjinit.

Kur e morët vesh lajmin se anija dhe ekuipazhi ishte rrëmbyer e mbahej peng nga kolegu egjiptian?

Lajmin për pengmarrjen e peshkarexhës dhe ekuipazhit e mësuam nga televizori. Ne ishim në ankth, se nuk e dinim se çfarë u kishte ndodhur, pasi, siç e thashë, i kishin shkëputur kontaktet dhe detit nuk i dihet asnjëherë. Kur mësuam se anija ishte marrë peng nga egjiptiani, nuk po e besonim. Nuk na shkonte mendja që mund të bënte një veprim të tillë. Vetëm kur na solli fotografinë e Luanit të lidhur me zinxhirë. Atëherë na u shemb toka nën këmbë. Jemi duke i humbur shpresat për djalin. Bashkëshortja e tij u sëmur kur pa foton e Luanit në atë gjendje. Të shikosh fëmijën në atë gjendje, nuk ka gjë më të keqe në botë. Nuk di çfarë të them, jemi shumë të tronditur.

Çfarë informacionesh keni në lidhje me këtë ngjarje?

Ne nuk kemi asnjë kontakt me ta, se nuk kemi as numra telefoni. Por pronari i anijes po përpiqet me të gjitha mënyrat për t’u lidhur me marinarin egjiptian. Gjatë orëve të fundit, ai nuk po përgjigjet më në telefon dhe ky fakt po na shkatërron, pasi mendojmë më të keqen. Derisa ka bërë këtë veprim, kush thotë se edhe nuk i vret për të humbur gjurmët. Jemi shumë keq dhe na shkojnë të gjitha nëpër mend. Luani ka një djalë 4 vjeç, i cili e kërkon dhe pret babain të kthehet në shtëpi. Nëse do të kisha mundësi, do të dilja ta kërkoja vetë në Egjipt dhe kudo që do të nevojitej, por jam e pafuqishme. Shteti duhet të veprojë me shpejtësi. Të përgjojnë telefonatën dhe të lokalizojnë vendndodhjen e anijes, vendin në të cilin ajo ndodhet. Nga informacionet që kemi, flitet se anijen e kanë parë në Egjipt, por ekuipazhin jo. Shteti të vihet në lëvizje se çdo minutë rrezikon jetën e Luanit e Dhimitrit.

LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura