Andis Gjoni: Ndihem shqiptar si njeri, por jo si krijues

Aug 31, 2012 | 14:45
SHPËRNDAJE

Artisti Andis Gjoni

Artisti rrëfen rritjen e tij artistike, largimin e krijimtarinë.

“Fryma e veprave të mia është revolta dhe provokimi, duke shkaktuar reaksion zinxhir te shikuesi”

Prej vitesh, piktori dhe skenografi Andis Gjoni e zhvillon karrierën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë të gjatë, ai shpjegon që nga vendimi për t’u larguar nga Shqipëria, te koncepti i tij për artin pamor e bashkëkohor, te mënyra e të punuarit dhe aktivitetet e rëndësishme ku ka marrë pjesë.
Ju jetoni jashtë Shqipërisë prej shumë kohësh. Cilat kanë qenë arsyet e largimit?
Arsyet se përse njeriu vendos të largohet janë të ndryshme, siç e thotë dhe shprehja “të largohesh është njësoj sikur të vdesësh nga pak”. Largimi në vetvete përfshin jo vetëm zhvendosjen fizike, por edhe shkëputjen mendore nga një situatë, pjesë e së cilës ke qenë për një periudhë të gjatë të jetës. Figurativisht do thosha që ndjekja e ëndrrës sime artistike më ka bërë që të largohem kaq larg. Arti është thelbi i ekzistencës së çdo artisti dhe ashtu si lundërtari që kërkon tokën e premtuar, edhe artisti kërkon të lundrojë në detra të panjohur të zbulimit artistik. Ujërat që ke pranë nganjëherë janë vetëm pellgje të vogla që nuk e përmbushin dot kërkesën artistike, e prandaj artisti gjithmonë niset në kërkim të rrugëve të reja. Pasi arrin një nivel të caktuar, ai hedh hapin për më tej. Me sa duket, hapi i radhës ishte më i madhi që m’u desh të hidhja. Ndoshta përballja me artin bashkëkohor ishte më e prekshme në hemisferën tjetër, ku qendra e influencës ka më se gjysmëshekulli që ka anuar, megjithëse në morinë e bienaleve dhe panaireve të artit që organizohen sot në botë, është e vështirë të thuhet se ku është qendra. Prapë se prapë, ideja e një përballjeje shpreh karakterin tim pak rebel, në kërkim të sfidave të reja, në kërkim të rrugëve të reja, të cilat mund të zbulohen vetëm duke u përballur me artin më të mirë të krijuar në kohën kur jeton. Dihet tashmë që bota sot është bërë shumë e vogël, në epokën e internetit dhe Facebook–ut asgjë nuk është larg. Mund të jesh me mijëra kilometra larg e njëkohësisht të ndihesh shumë më i informuar, ndoshta largësia fizike mbetet, por ajo informative vjen duke u zvogëluar dhe vjen një çast që bëhet më me peshë dhe ndoshta e zhduk fare idenë e largësisë si koncept. Pra jemi në epokën e zhdukjes së konceptit «afër dhe larg». Nga ana tjetër, për mua nuk ka rëndësi vendi se ku ndodhem. Studioja ime mund të jetë kudo, sepse unë gjithmonë e kam ndier veten qytetar i botës. Mjafton të ulem në një tavolinë dhe me mjete minimale mund të krijoj, idetë burojnë dhe kjo është më e rëndësishmja. Nga ana tjetër, nuk mund të them se realiteti i vështirë i një vendi në tranzicion nuk qe një shtysë tjetër, pjesë e një traume të përgjithshme shoqërore që bëri të largohen shumë artistë dhe intelektualë nga vendlindja.
Krijimtaria është çështja e parë e ditës për ju, apo mbijetesa?
Unë e di që artisti edhe pa bukë mund të mbetet, por përsëri pasionin e ruan që të krijojë art edhe nga asgjëja. Sigurisht, për mua krijimtaria është gjëja më e rëndësishme, siç ka thënë Gustav Floberi “Për një artist ka vetëm një parim: të sakrifikojë gjithçka për artin. Jeta duhet trajtuar si një mjet drejt një fundi, asgjë më tepër”. Çdo mëngjes kur hap sytë, mendoj: “Ç’do krijoj sot?” dhe po ashtu çdo natë para se të fle, pyes veten: “Çfarë krijova sot?”. Sa i lumtur ndihem kur qoftë edhe diçka që ka lidhje me artin e kam realizuar atë ditë, qoftë edhe thjeshtë përkthimin e një faqeje të ndonjë libri arti. Edhe ky fakt i vetëm më bën të ndjehem mirë, sepse mendoj se e kam kryer detyrën time. Keiti Kolluic e përmbledh shumë bukur këtë ndjenjë, kur shprehet se: «ditët kur krijoj, janë ditët më të bukura». Po aq e vërtetë është e kundërta, sa të trishtuar e ndiej veten kur ndonjëherë mes peripecive të ndryshme të jetës më ka ikur dita pa hedhur qoftë edhe një skicë. Hidhërohem, sepse e ndiej që ajo ditë nuk vjen më dhe ndoshta një vepër e kam humbur. Sepse frymëzimi nuk dihet se kur të vjen, ti duhet të jesh gati, kjo është detyra jote si artist. Dhe ne artistët nuk kemi nevojë shumë për komoditete.
Cili qe momenti i parë i angazhimit tuaj në ekspozimet në vendin ku jetoni dhe në konkurset ndërkombëtare?
Unë kam marrë pjesë në pak ekspozita, dhe kjo për arsye të zgjedhjes sime të vetëdijshme për të qëndruar larg komercialitetit. P.sh., vlera e një artisti sot matet me numrin e madh të pjesëmarrjeve në ekspozita të ndryshme. Sa më shumë të jesh i ftuar, aq më i «zoti» je. Qoftë edhe nëse e ke realizuar këtë me një video të vetme, të cilën e ke çuar në të gjitha aktivitete ku ke marrë pjesë. Pra e shikoni, që në këtë çast kemi të bëjmë me një mashtrim, me një zhvlerësim. Kjo logjikë ka sjellë edhe zhvlerësimin e artit në përgjithësi. Shijet artistike shkatërrohen edhe në bazë të modës artistike që krijohet artificialisht, artistit i duhet të ndjekë një ritëm të imponuar. Si rrjedhojë, biografitë zgjaten si gjarpërinj të suksesit që konfirmojnë prirjen drejt një konsumizmi pamor, dhe shtyjnë në zvetënimin e vlerave më thelbësore të artit. E ç’vlerë ka kjo rendje drejt konfirmimit? Në morinë e miliona artistëve, a ka vlerë ky vrap për të marrë një dekoratë të pavlerësisë? Motoja ime faktikisht është e njëjtë me artistët DaDa, “Poshtë galeristët!” sepse janë shumica e tyre që e kanë shkatërruar dhe deformuar artin, duke krijuar këtë sistem të tejngopur vlerash që kontrollon gjithë venat e krijimit dhe dikton shijet, duke shkatërruar në të njëjtën kohë spontanitetin e një arti të krijuar vetëm për kënaqësi, e jo për sukses. Nga njëra anë, ky lloj pozicionimi e ka kufizuar në mënyrë të vetëdijshme mundësinë time për t’u shfaqur, nga ana tjetër më ka lënë fushë të lirë veprimi për të krijuar atë që dua, duke i ndenjur konstant vetvetes në kërkesën për përsosmëri, sipas botëkuptimit tim.
Cila ka qenë pjesëmarrja juaj më e fundit në një veprimtari të rëndësishme?
Një nga veprimtaritë, ku kam marrë pjesë së fundi, ka qenë ekspozita në «Tempullin e Rinisë» në Nju Xhersi. Jam paraqitur me disa punime, ndër të cilat do veçoja një punim në fotografi të alternuar me teknikën e temperas. Në të paraqitet një pjatë e vendosur mbi një tavolinë gati për t’u konsumuar, e cila është e mbushur me fishekë, bomba dhe armë, me një fjalë e mbushur me dhunë. Simbolizon shoqërinë në përgjithësi, të mbushur me dhunën që ka përfshirë çdo aspekt të jetës sonë. Ideja është që ne ushqehemi me dhunë përmes TV, librave, revistave, filmave, video-lojërave. E kemi dhunën ushqimin tonë të përditshëm, prandaj u shtyva të krijoj këtë foto – pikturë. Teknika që kam përdorur e bën ironikisht më “artistike” logjikën e të palogjikshmes, duke vënë përballë faktin e instrumentalizimit të dhunës në një art më vete. Ne jemi pjesë e saj dhe po ashtu shkaktarë dhe pësimtarë të shkallëzimit të fantazisë së luftës që po na ndjek për fat të keq në çdo etapë të zhvillimit shoqëror, duke neutralizuar me sukses deri më sot të gjitha përpjekjet e njerëzve të arsyeshëm e me vizion për një botë pozitive ku të mbizotërojnë paqja dhe prosperiteti, pa egërsi, pa luftë dhe pa arrogancë. Unë përpiqem ta vë në dukje këtë dështim të shoqërisë në këtë drejtim, duke theksuar atë manipulim që pëson qenia jonë e bombarduar pa pushim dhe gjithë kohës me negativitet dhe dhunë.
Jam gjithmonë në kërkim. Mundohem t’i largohem frymës fetishe, që nxit stanjacionin tek artisti. Fryma e veprave të mia është ajo e revoltës dhe provokimit, duke shkaktuar një reaksion zinxhir te shikuesi në mënyrë që impakti të jetë sa më i fortë dhe të shkundë nga themelet qenien njerëzore, synoj të arrij deri në nënvetëdijen e shikuesit dhe ideja të veprojë atje si ato mendimet me shpërthim të vonuar në brendësi të trurit. Kjo do bëjë që reagimi të jetë edhe më i fortë.
Çfarë ju nxit që të mbani gjallë vrullin e krijimit në gjininë dhe formën që keni zgjedhur?
Artisti ka një nevojë të brendshme që të shprehet, dhe nëpërmjet punës krijuese të influencojë me veprën e tij njerëzit, shoqërinë. Është një shtytje e pashpjegueshme. Unë thjesht kam nevojë të krijoj dhe kjo nuk mund të kushtëzohet nga asgjë. Madje, edhe sikur të mos e publikoj fare veprën time, përsëri unë e krijoj, sepse kjo kthehet në një lloj zbrazjeje të emocioneve, një valvul shpëtimi për qenien time, që me sa duket është e tejmbushur me ide. Sigurisht që nuk ka rëndësi vendi ose koha, është sarkazma, të cilën unë shpesh e shfrytëzoj për të vënë në lojë realitetin, dhe është ky i vetmi element që shpesh i bën veprat që të kenë një përqasje me vendin dhe kohën, por kjo mbetet e parëndësishme, unë krijoj për të shprehur unin tim. Shumë njerëz e vrasin mendjen se si të fitojnë sa më shumë para, ndërsa unë e vras mendjen se si të krijoj vepra sa më interesante, të veçanta, domethënëse, me sa më shumë vlera shpirtërore. Ndoshta jam shumë egoist, sepse kjo tregon që nuk dua që të jap qoftë edhe një minutë të jetës sime për diçka tjetër veç artit. Ky është misteri i personalitetit artistik.
Subjektet apo temat tuaja janë burim i njohjes së asaj që na rrethon, i lidhjes me to, i qenies suaj brenda tyre apo burim improvizimi i çastit prej ndikimit të asaj që na rrethon në një moment të caktuar e të menjëhershëm?
Krijimi është një gjë aq sublime, të cilin thellë –thellë vetëm gruaja, së cilës natyra me bujari i ka dhënë të drejtën e mbajtjes dhe lindjes së frytit të dashurisë, e me një fjalë edhe ndjeshmërinë më të madhe në drejtim të krijimit të njeriut, afërsinë që ajo si qenie ka me krijimin, vetëm femra me përsosurinë e saj mund ta kuptojë. Rrugët që të shpien në labirintet e krijimit janë të ndryshme, por rezultati është gjithnjë i njëjtë – mesazhi që përçon vepra te njeriu, efekti që ky mesazh bart duke bërë që perceptuesi të reflektojë dhe të reagojë. Në fillimet e mia kam tentuar të prek kufijtë e surrealizmit, do thosha më tepër të mbireales, një pikturë ndoshta jashtë reales. Ky do ishte termi më i saktë, sepse temat e tablove të mia kanë qenë në sinkron me absurdin e një shoqërie të deformuar deri në ekstrem, dhe ky deformim në mënyrë të pavetëdijshme shfaqet edhe në punën time. Për këtë arsye, edhe paraqitja jashtë reale e figurave në artin tim ka marrë një dozë të mirë ëndrre, e cila si situatë e mendjes tenton shpesh të jetë jo vetëm jashtë asaj që ndodh, por edhe të tentojë që të shpjegojë atë që në të vërtetë nuk po ndodh, pra duke e vendosur vetëdijen jashtë arbitraritetit të kufizimit tonë intelektual, dhe perceptimit tonë. Me kalimin e kohës, vëmendja ime u drejtua nga arti konceptual.
Sa shqiptar ndjehesh në ekspozimet e tua në botën e artit dhe sa e ndiejnë të tjerët këtë?
Arti ka arritur një stad që ka humbur kombësinë. Unë mund të ndjehem shqiptar si njeri, por jo si krijues. Vepra u takon të gjithëve, pa dallime. Në raste të veçanta, mendoj se ka më tepër rezonancë një vepër te publiku shqiptar, por jo për arsye se unë e kam krijuar në atë mënyrë, por për faktin që disa aspekte janë më të prekshme dhe kuptohen më lehtë nga shikuesi shqiptar.
Ju keni realizuar disa veprimtari në Tiranë, disa shumë më të gjera se një ekspozitë e artit pamor…
Po, është e vërtetë, unë kam pasion edhe skenën e teatrin dhe kam realizuar shumë veprimtari në këtë fushë. Kjo ka ardhur si pasojë e formimit tim në një familje artistësh, prandaj mund të them se jam rritur pranë skenës së Teatrit të Operës, duke ndjekur prindërit e mi dhe shfaqjet që jepeshin aty. Me kalimin e viteve e ndjeva që doja të shprehesha edhe në këtë fushë dhe kam punuar me shumë pasion, duke realizuar shfaqje të bukura. Kam realizuar për herë të parë në Shqipëri skenografinë e një muzikali, dhe kjo ka qenë një arritje që është vlerësuar. Me dhjetëra shfaqje që unë kam bërë këtu dhe në botë janë vlerësuar maksimalisht si nga publiku, ashtu edhe nga kritika. Emocioni që të jep skena është shumë i veçantë, është ndryshe nga ekspozitat. Megjithatë edhe kjo gjini e artit është pjesë e krijimit dhe për mua gjithçka që ka lidhje me artin, qoftë ai skenik apo pamor, është një mrekulli që ia vlen t’i përkushtohesh. Është e vërtetë që arti do shumë punë dhe sakrifica, por në fund emocionet që merr nga vlerësimi i publikut nuk krahasohen me asgjë, ato janë shpërblimi më i mirë.

Suzana Varvarica Kuka

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura