Analiza/ Zheji: Tahiri është kërcënuar dhe detyruar të dorëzojë mandatin, tani jetën ia mbron…

SHPËRNDAJE

Analisti Artur Zheji në një shkrim botuar në “360gradë”, pas vendimit të papritur të ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, për heqjen dorë nga mandati i deputetit, vendim që e njoftoi paraditen e kësaj të enjte nga ambientet e Kryesisë së Kuvendit.

Sipas Zhejit, “vetëm një budalla mund ta besojë se dorëheqja e Sajmes, është thjesht një rastësi dhe që ska lidhje me Berlinin, Krichbaumin dhe bisedën kokë më kokë, Merkel-Rama. Ose Sajmja është një aktor nga më të mirët në Europë ose ai, sot dukshëm dhe hapur e ka mbyllur përfundimisht çdo pakt të mundshëm me Ramën.

Mund të thuhet pra se ai, Saimir Tahiri, e ka fituar tashmë “lirinë” e vet nga Rama, sepse ndërmjet të dyve ka vetëm një marrëdhënie të fortë Mosbesimi”.

zheji

Analiza e plotë e Artur Zheji:

Shumica e njerëzve dhe e opozitarëve gjykojnë se dorëheqja që bëri Saimir Tahiri nga mandati i deputetit, është një favor që ish ministri, po i bën Ramës, për të lehtësuar katastrofën e pësuar në Berlin.

Madje kësaj i shtohet edhe një tezë, që lidhet me një tjetër marrëveshje të panjohur, sipas të cilës Saimirit, do ti pushohet brenda një kohe të shkurtër krejt çështja e ngritur dhe ai do të marrë pafajësinë.

Mbi këto kushte dhe garancira, ish ministri elokuent, plot emocione dhe emocionues i publikut, deklaroi dorëheqjen duke prerë me shpatë, sa majtas edhe djathtas, ndaj të gjithëve, përjashtuar Ramën.

Madje Tahiri na kujtoi se “shitja e Ramës”, ishte një nga “rrugët e shpëtimit”, që i është parashtruar, për të shkarkuar mëkatet tek më i “madhi”.

Në të vërtetë, vetëm një budalla mund ta besojë se dorëheqja e Sajmes, është thjesht një rastësi dhe që ska lidhje me Berlinin, Krichbaumin dhe bisedën kokë më kokë, Merkel-Rama.

Pra dukshëm ka pasur një kërkesë, të cilën ndërmjetësit e Ramës, kundrejt “garancive”, ja kanë parashtruar ish ministrit në hall.

Ndoshta kjo është hera më e fundit që Sajmja i beson kryeministrit, ose bën sikur ende i beson sadopak.

Pra, ose Sajmja është një aktor nga më të mirët në Europë ose ai, sot dukshëm dhe hapur e ka mbyllur përfundimisht çdo pakt të mundshëm me Ramën.

Mund të thuhet pra se ai, Saimir Tahiri, e ka fituar tashmë “lirinë” e vet nga Rama, sepse ndërmjet të dyve ka vetëm një marrëdhënie të fortë Mosbesimi.

Por mbetet enigmë se, përtej fjalëve, kush e shtrëngoi ish ministrin të dorëzojë mandatin e deputetit?

Është ky një veprim kalorsiak?

Është ky një vendim i këshilluar me avokatët, apo është një veprim nën trysninë e një kërcënimi?

Nëse ka kërcënim, nga kush vjen ky, kërcënim?

Duke komunikuar personalisht si gazetar me Tahirin, ai e mohon rreptësisht këtë gjë, madje nënvizon se “u ka shpallur betejë të gjithë atyre që nuk besojnë te ai dhe te e drejta e tij…”

Është kjo e mundur? Sigurisht që po, por është ende dhe në të njëjtën kohë po aq e dyshueshme, sepse del krejtësisht jashtë logjikës së manovrave politike shqiptare dhe jo vetëm.

Një gjë është e qartë, Tahiri është kërcënuar dhe është detyruar të dorëzojë mandatin parlamentar që e mbronte deri tani, prej arrestimit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe kjo është në disfavorin e tij.

Por, a i ka depozituar dhe ruajtur në një vend të sigurt dhe ndër njerëz të sigurt e besnikë, ish ministri Tahiri, përgjimet, dosjet, faktet e mbledhura gjatë ushtrimit të detyrës së tij të lartë dhe më afër se gjithkush me burimet sekrete të informacionit?

Kjo edhe është Kryegarancia, që i mbron atij jetën dhe padyshim themeli i imunitetit të tij të sotëm, si jo parlamentar.

Por sidoqoftë përplasja e madhe Rama-Tahiri është thjesht çështje kohe… /360grade.al/

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprak500 femra të veshura me bikini në malin e mbuluar me dëborë (FOTO)
Artikulli tjetërKOKSH: Peshëngritësit dhunuan zyrat, do të njoftojmë organizmat ndërkombëtarë

S'KA KOMENTE

Comments are closed.