Analiza satirike/ “Në shtetin ideal të Kryeministrit, ku edhe Presidenti ka kafshuar gjuhën. Nga Bardhyl Londo në sallon që duket si sulltan Bajaziti te Bushati që pyet Ahmetajn e Gjiknurin a kanë miell në magje”

| 10:25
SHPËRNDAJE
 

gjekmarkajAGRON GJEKMARKAJ

Jemi mbyllur brenda si shejtani në shishe ! Qënka mallkimi vetë ky virus ! Pos halleve që na  vertiti persiper  ndjejmë mall për fjalimet e ministrave e të ministreshave ! Pale më per njëren që  na leçiste bejtat e Nolit plot trandje për të fshikulluar  zullumqaret  në tempull! Na ndau për se gjalli jeziti, plasja zo sytë ! Jeta jonë pa to e ta  është  një shkretetirë, një ranishtë plot shkurre e çufrra !  Pa ato zukama, pa atë emfazë, pa atë sqimë mendimi e dinjiteti pa atë demostrim dashurie ndaj liderit edhe kur ai i debon dhe u thotë “mu hiq syshë more firaun”  ndihesh i braktisur nga flladi që perkedhel kopshtin e Edenit !

Pastaj si lanet na gerryen meraku a kanë ndonjë lek menjanë për harxhe në kohë të errëta ?!  Zoti që i di punet e veta po kaq jetim na la pa të mbrothtat e të vyerat sentenca e persiatje të Opozites së re !  Bardhyl Londo në sallon duket si sulltan Bajaziti në kafaz, tek shfryn e gjemon ! Del në dritare po as zog as sorrë nuk pipetin , putiri i  duket  i  rëndë  sa  vetmia po në dorë e mban ama për sfidë ,  mermerit me vete kjo botë shkoi në esfel,  vetem poezia mbetet  !

Miku im hebre që nuk i thotë kujt shendet as per qejf e as për hall ka blerë kundragaz , pelerinë e çizme ushtrie e ashtu veshur  tebdil është rrasur brenda një fuçie në bodrumin e tij në Petrelë  ! I thonim ne të shkretet , harxho, prish, darovit, qeras, gezo e gezohu se po vjen ditë e gjykimit  po ai hiç, i dukeshim lakmitarë  e zhvates dhe për muaj të tërë behej erë  si rojtar i paeupur i milionave të tij  që i do si sytë ! Bernard Banushi ai që  rrugeve të Kryeqytetit shfaqej me shikim të vrenjtur mynxyrë e doren në alltinë dy grykeshe gati për të shtënë ndaj kujtëdo që llafe të liga nxirrte ndaj Lulzim Bashes është bërë firar ! Thonë që është fshehur në një senduk dhe që andejmi vrojton boten me dylbi e maraz ! Thashetheme janë se zor që një xheverxhili si ai një  pizeveng virus ti kallë datën si ne të tjerve !

Gojet e liga nuk hynë në karantinë ! Ditmir Bushati herë pas herë pyet Damian Gjiknurin e Ahmetajn  në telefon  në kanë  miell në magje për çilimiqerit e ndoca fasule ?   Ai po mendon të shkruajë një leter si Bushtlinjtë motit për   sulltanin kalif ,  të cilet ai i falte më pas ! Keshtu  ata ngarkuar me mall e gjë  me  mhyrin e pushtetit në gisht  ngjiteshin në Rozafat, gjerbnin salep e meditonin për misteret e Allahut kembëturqisht mbi postiqe ! Thuhet që çdo paragraf i asaj të deshperuar fillon me frazen “mu thafshin krahet si të zhgenjeva ty o drite e gaz i botes” e mbaron me “ me litarin që bleva me sestercet e tradhetisë po tundohem të lidh brenga e xhanit tim që digjet “ !

Një muaj më parë disa  shqipo  nopranë e trimoshë  rrëzë trageteve , ndanë  aeroportit  , në sokaqe e miletbahçe sokellinin me kercenime ndaj koronavirusit,prej të cilit jo vetem që nuk ndiheshin të frikur po ishin gati ti bënin nënën si hasmit  në mejdan ! Ndermend vinin si aromë jasemini, vargjet e Bajronit “të rreptë bijtë e Shqipes, kurrizin kush jua pa ndonjëherë” ! Të tjerë  mendjehollë  si petë lakrori  predikonin  raki ballë kazani, hudhra , djath me erë  e salcë kosi  e ferkim me lesh dhie  si terbiet ndaj çdo sulmi të pabesë virusal.

Po keshtu edhe Qeveria e cila e zë me qerre çdo të ligë, të gjithë ata që frigeshin, që kerkonin mbyllje kufijsh, linjash ajrore e detare perkohesisht me vendin fqinj, masa mbrojtese, potencializim të sistemit shendetësor leçiteshin si armiq të Kryeministrit që i di të gjitha, si cmirezinj e zemër katran që ndillnin ardhjen e korones për ikjen e Edit tonë pa të cilin jeta s’do të kishte më kuptim ! Tani ai po na thotë nami e gazepi sapo ja kanë behur mes nesh ! Loja me terrorin e panikut mund të mendojë ndonjë haram i papunë (tani janë shumë) është llogari politike që nese del me pak kosto ai do  të thotë ju shpetova unë, në daltë me shumë, ja u thashë u dola borxhit, nuk më degjuat  ! Po zor ta besosh se nuk bën nga keto , është esnaf i madh!

Tani virusi erdhi dhe ne ikem ! Mirë bëmë , trima  me tupe  e frikacakë me damkë ju nenshtruam arsyes ! U   strukem nxitimthi  kush nën lavaman, vetë futem nën shtrat  herë pas here,  kush në dollap të rrobave , kush nën jorgan ,   kush në biblioteke e cila në çdo shfaqje skype  të atyre që krypin mend   qysh do bënet  me këtë të uruar vatan , pervijohet madheshtore duke e demostruar librin e dijen si aleate të shoqërisë sonë në ditë të qametit ! Libra libra kudo libra , aferim more te uruar aferim , lexoni sa t’ju bëhen sytë filxhan !

Virusi krijoji shtetin e deshiruar nga Kryeministri thotë ndonjë  cinik teksa rrotullohet sa në bark po aq në shpinë mbi divan ndersa atij (Kryeministrit) po i del gjuha pas shpine tu u lutë dynjasë herë si Krishti e herë si Muhameti  rrëze hijes që leshon Binaja me libra në Surrel, me ja kercite vrapit për në shpi !  Dje doli vetë rrugeve si rrufe që shkon tuj diegë , iknin njerzia si kesulkuqja nga ujku! Nuk ka të dhëna që na nxjerin në atë shteg ku mund te shikosh e thuash se ky është mendimi i Mark  Markut!

Një shtet ideal për Kryeministrin , të cilin e kemi lodhur e plakur me gjynahet tona kapicë, ku të gjithë mbyllen, ku ai cakton orare hyrje daljeje, gjoba e ndeshkime, pa gazeta, me televizione që nuk bëjnë më debate politike,  me Presidentin i cili nga pikellimi që i shkakton pandemia ndryshon gjuhen duke e kafshuar , ku terma  “gruaja e Bilalit” të para një muaj duken të para një shekulli e  flet  për marshallah krejt si minister i qeverisë, si Ahmetaj apo Manastirliu ! Kjo vetem për unitet se asnjë pazar s’ka në horizont, se burrat tanë të shtetit nuk bëjnë nga ato, ata janë parimor e qelibar që për kauza bëhën fli , interesi personal për ta është një pesë me hiç ! Në altarin e atdheut ata qerratenj piqen në hell si cjeperit për festë  të pa lyer më yndyrë  !  Atyre mund tu besohet symbyllurazi !  Për gjykaten kushtetuese as për ndoca të tjera punë ska tregti në keto ditë qameti !

Hap televizorin dhe shoh që numri i të infektuarve me koronavirus ka shkuar 174, ditët bëhen gjithnjë e me të trishta por nese nuk mendojmë , nëse nuk reagojmë  madje nëse nuk gjejme forcen për të qeshur e bërë sarkazem me veten dhe të tjerët pos mushkerive  virusi na rrezikon trurin  nga mpirja e karantina e  të cilit fitojnë vetem demagoget dhe pandemia e tyre e gjatë ! Tani siç thotë Bodler “ është momenti për  tu “dehur”  ! Për të mos u bërë skllevër të martirizuar  të kohes, dehuni, dehuni gjithmonë me verë , me poezi, me virtyt, si të doni ….” ! Jemi në momentin e duhur për të marrë vendimin se me çfarë duhet të “dehemi” pas kesaj prove  që na keshillon që ta latojmë pak egoizmin tonë të përditshëm!

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

1 KOMENT

Comments are closed.