Heshtja e ambasadorëve perëndimorë ndaj banditizmit policor

Jan 14, 2019 | 21:00
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ gjekmarkaj

Teshtimat e fatit nuk kanë të sosur. Qurravitjet tona po ashtu. I madh e i vogël plotëson fjalëkryqet me konstatime dhe pastaj ia këput gjumit melankolik. Çdo ditë e lyejmë bukën e përditshme me kremin e banalitetit. E këllasim atë në stomak pa pikën e turpit. Tolerojmë si shumicë, çdo gjë dhe depersonalizohemi. Asgjë rastësore. Gjithçka e merituar aktualisht. Nesër të shohim!

Paraja publike, taksat tona vidhen. Hajduti është heroi ynë. Kryeministri, heroi i tyre. Liritë kufizohen nga autocensura e interesave dhe frikës. Propaganda rreh me shkop dhe lidh si qen të vërtetën. Pushteti herë pas here tenton ta bëjë edhe me ligj kundër shpifjes, teksa shpif vetë ndaj çdokujt e për çdo gjë. Bota e krimit lubrifikon me vajin e vet bio, mekanizmat shoqërorë. Krimineli është etaloni i politikëbërjes. Kryeministri, syshkelësi i tyre.

Në çdo vend normal, mbi fatin e banditëve do të pyeteshin intelektualët, ndërsa mes nesh janë banditët që vendosin për fatin e intelektualëve. Fuqia e tyre sugjestionuese ndaj lidershipit është rast sui generis saç është i tillë reagimi kërcënues i Baton Haxhiut ndaj Presidentit Meta. Nejse, kjo e fundit duhet marrë me aq seriozitet sa ç’meriton një pordhë çajtoresh tona. Thjesht të hapen dritaret sa të dalë era.

Frota e stramastikëve dominon të gjitha pikat kyçe. Protesta e studentëve të universiteteve publike trazoi lëmashkun e qelbur të kënetës kombëtare duke reaguar. Ata, vajza e djem, na dhanë një leksion e mundësi unike për të ndryshuar. Po kaq, lëvizja e tyre është një ftesë për të gjetur trimërinë e humbur kaq të domosdoshme për të reaguar ndaj arrogancës. Së pari, kjo ftesë vlen për pedagogët e tyre.

Qeveria është në panik. Në frikë e sipër, Edi Rama bëri zëvendësimet më tragjikomike të mundshme, duke nëpërkëmbur të vetët dhe të tjerët. Sinorët e krizave i rrethojnë shikimin e si pasojë, arsyen. Në një kohë të dytë, në dekikun e jermit e si askush më parë, bëri me apostujt e vet atë që Ramiz Alia me Hekuran Isain nuk guxuan. Ata duan që me çdo kusht studentët ta ndiejnë “dhimbjen” e kamxhikut si dhe të gjuhës së tyre të përdalë plot urrejtje e frustrim për profesoratin dhe ata vetë. Po sillen krejt si junta, duke mos u lejuar as ngrohje e as ushqim. Me gjasë, kush u trondit karrigen, nuk e meriton bukën. Për ta çdo ndëshkim qenka i denjë.

Ata sulmuan fakultetet dhe studentët e ngujuar me urdi policore duke shkelur haptas ligjin dhe standardet e arritura në këto 29 vite pas rënies së sistemit diktatorial. Nëse policët do të harxhonin kaq energji për të kërkuarit e mëdhenj të trafikut apo për grabitësit që terrorizojnë qytetarët si pardje në Durrës, do kishim një panoramë tjetër sigurie.

Do të mbaheni mend për këtë. Gishti drejtues nuk do ju mungojë. Koha në Shqipëri ha vetveten me uri të madhe. Mos e harroni aksiomën si dhe fabulën e rrotullimit të dikushit që shndërrohet në askush me të njëjtën rastësi bujare si në fatlumësi, ashtu edhe në fatkeqësi.

Kastat e korruptuara të universitetit, të cilët rrinë me dorë në zemër mos ndonjë prokuror iu troket te dera në muzg, vrapuan të shisnin studentët siç shitën interesat e universitetit publik kur miratohej ligji për arsimin e lartë. Kjo trokitje një ditë do të ndodhë. VKM-të e Edi Ramës, dhuna e policisë, vetofrimi i kastës po ekzekutojnë autonominë universitare.

Llogari e gabuar! Do të na kenë përballë Kryeministri dhe ata! Do të na kenë në ndjekje, akt pas akti, dite pas dite në mbrojtje të interesave, ideve dhe dinjitetit të studentëve si dhe të universitetit në tërësi. Jo të gjithë janë shpirtvdekur e të kapur, jo të gjithë i err nata dhe i çel drita me frikë. Te studentët dhe pedagogët është e strukturuar elita e sotme dhe e nesërme e Shqipërisë, ku e ku më e ndershme, ku e ku më dinjitoze se politikanët aktualë. Një ditë ballafaqimi me ta do të ndodhë e ai moment po afrohet.

Qëkur ambasadori Lu na la peshkun në det e tiganin në zjarr, teksa mori rrugën e Azisë duke rendur si “marri”, ngjan sikur Shqipërisë i ka dekë nana e baba! Ishim mësuar që çdo ditë të lume të merrnim mësime si të mbanim pastërti, sa herë në javë të prisnim thonjtë, si t’i shtinim këmbët në ujë të valë në kohë gripi, si të arnonim të mbathurat nën dritën e hënës, si të admirohej relievi me hashash, si t’i hiqej veshi me ledhati qeverisë kur teprohej e si gjuhej me grusht opozita kur ankohej.

Pritshmëritë që shqiptarët kanë pasur ndaj ambasadorëve perëndimorë jo pak herë janë shndërruar në iluzion. Ata jo pak kanë pranuar me hipokrizi çmendjen e pushtetit ndër vite. Shpesh kanë reaguar vetëm kur muri ka shkuar dhe është zatetur vetë te shpatullat e shqiptarëve, duke cenuar sigurinë e shtetasve të tyre.

Të gjithë ëndërrojmë që ambasadorët të sjellin parimet e Perëndimit e të bëhen garant të tyre në Shqipëri. Në fakt, jo rrallë joshen nga veset e Lindjes duke marrë trajta konkubinash në ndonjë rast. Dhuna policore ndaj studentëve, agresiviteti banditesk për t’i lënë pa ngrënë e pa ngrohje e ekspozon heshtjen e tyre si një shëmti të madhe etike, si kompromis në kurriz të demokracive që përfaqësojnë. Sidomos atë (heshtjen) të ambasadorit italian, francez e gjerman. Pse pikërisht të atyre? Këto vende kanë një eksperiencë të madhe me lëvizjet studentore emancipuese për krejt kontinentin europian.

Ato (protestat) zgjohen herë pas here, me karakter ekonomik, politik, kulturor e çka t’u vijë në mend. Universiteti “La Sapienza” në Romë, ai i “Sorbonës” në Paris e shumë të tjerë “pushtohen” me javë sot e kësaj dite nga studentët, por nuk ka Kryeministër, ministër apo politikan, i cili të ketë kurajë për të menduar se ata nxirren jashtë me policë, aq më tepër t’i dhunojnë e fyejnë! Kaq, a mund ta thonë ambasadorët e nderuar? Goja e tyre e mbyllur është metamorfozë dëshpëruese sepse qysh nga Rilindja (jo kjo e Edi Ramës) kemi besuar se dielli lind nga perëndon. Ata po na thonë se, dielli ka hallet e veta dhe për ca kohë nuk del nga ambasadat. Bëni derman vetë, ndriçohuni si t’ju vijë për mbarë! Tanimë e dimë këtë. Kur nuk shpreheni në të tilla realitete ku e drejta me abuzimin janë përballë njëra-tjetrës, si studentët ndaj policëve, na i kurseni këshillat e vitrinës kinse demokratike, të dashur ambasadorë.

Hajt, gëzuar e vit të mbarë!

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura