ANALIZA/ Preç Zogaj: Protagonizmi i kryeministrit është detyrë, përulësia virtyt

| 13:25
SHPËRNDAJE

zogajPreç Zogaj/ Kryeministri Rama ka paralajmëruar, duke filluar nga e hëna, forcimin e regjimit të lëvizjeve së qytetarëve, kur çdokush që do të kërkojë të dalë nga shtëpia duhet të marrë leje digjitale me e-mail ose telefon. Nga e hëna karantina do të jetë më e rreptë se është. Që do të thotë se piku i pandemisë në vendin tonë është akoma përtej parashikimit.

Është fakt që Shqipëria, qëkur OBSH deklaroi zyrtarisht gjendjen e pandemisë botërore, ka qenë në pararojë sa i takon marrjes së masave shtërnguese. Në fund të historisë do të kemi një vlerësim real të efektit të këtyre masave. Ndërkohë zoti Rama do të vijojë të kritikohet e sulmohet për protagonizëm të tepruar e të kërkuar, sikur i shijon të dirigjojë nga zyra lëvizjet në karantinën e madhe.

Nga një anë, kritika apo sulme të tillla ngjisin. Rama, si natyrë, ka treguar përgjatë viteve se e pëlqen, e kërkon dhe e shërben protagonizmin, të qenit në qendër të vëmendjes, rënien në sy, orkestrimin e turmave.

Kur të gjitha këto nuk ia ka mundësuar në masën e dëshirueshme posti dhe shtatlartësia, ai ka përdorur forma atipike të paraqitjes dhe veshjes ekstravagante, arkaike, casual deri në takime ndërkombëtare.

E maskuar me shkujdesjen prej dendi, artisti dhe njeriu të lirë, që rasti e ka katapultuar në politikë, shijet apo manitë e tij skenike kundërshtojnë shprehjen “ jo dukja, por mosdukja ka qenë problemi im”, të cilën e tha këto ditë në replikë me ata që e akuzojnë se po përdor koronavisurin për të pushtuar deri në centimentin e fundit hapësirën publike. E bukur si shprehje, e vërtetë dhe e besueshme në aspektin e marrëdhënies së qënies me fizikun dhe materialen kur i përjeton si barrë. Për të kuptuar këtë ndjenjë të thellë e të ndërlikuar na ndihmon një varg i mrekullueshëm i poetit nobelist polak, Çesllav Milosh, i cili duke kënduar shpërthimiin e magjishëm të natyrës në një lendinë, thotë papritur “kujtoja se isha zhdukur dhe qaja prej gëzimit”.

Jemi në artin e kulluar, në psikologji, në teologji. Politikani me lidhje të ngushta me artin nuk mbetet i huaj për ketë botë, kemi plot shembuj që s’po i permendim. Për t’u kthyer në “fshatin tonë” apo te delet tona, siç thotë një fjalë, Rama mund ta ketë patur e mund të vizitohet sërish nga ndjesia e vetflijimit artistik, por si politikan ka dëshmuar shumë më tepër tundime protagonizmi dhe dëshirë për t’u dhënë publikisht autorësinë e tij deri shërbimeve të zakonshme të shtetit dhe qeverisë për qytetarët. Mund të përmendim sa për ilustrim dhënien në ceremoni publike të lejeve të legalizimit, të cilat normalisht mund t’u dërgohen qytetarëve edhe me postë.

Eh! Në fund të fundit qoftë mania për të qenë në qendër, qoftë mosdashja për të rënë në sy i përgjigjen një formimi dhe udhëtimi të caktuar të njeriut në jetë. Nga ana tjetër, akuzat dhe sulmet se Rama po shfrytëzon pandeminë për forcuar pushtetin e tij e deri për të vendosur diktaturën kanë edhe fatin e shpërbërjes kuptimore nga përdorimi i tepërt, vend e pa vend dhe pa logjikë politike. Shqipëria, vend anëtar i NATO-s që ka hapur negociatat për anëtarësim në BE, mund të qeveriset mirë ose keq, por nuk mund të bjerë në diktaturë. Shqipëria, po, mund të bjerë nën diktaturë dhe madje të jetë diktatura më mizore në botë, nëse një pjesë e vendeve të Perendimit dhe Lindjes vendosin të anullojnë pluralizmin, liritë dhe të drejtat njerëzore.

Ata që barazojnë diktaturën me fenomenet e korrupsionit dhe krimit në qeverisjen e një vendi të hapur, kanë një kuptim shumë të shtrembëruar për diktaturën, në fakt dashje pa dashje e relativizojnë të keqen e saj të njohur dhe akoma të freskët në Shqipëri. Të tillë, të shtrembëruar ua përcjellin të rinjve që u besojnë.

Ka plot arsye dhe argumente për t’i bërë opozitë të fortë qeverisë se Ramës. Armiku i opozicionit dhe kriticizmit efikas në ketë rrafsh është irracionalizimi. Budallallëku po se po. Në rastin e pandemisë është edhe ngecja në pozicionet e ngurta të së djeshmes, që nuk merr parasysh rrethanat e rrezikut të përbashkët; është inercia e gjuhës së llogoreve, që siç e dimë bëhet parajonake kur subjekti nuk arrin të dalë në hapesirën e argumenteve të shkëmbyeshëm me ata që mendojnë ndryshe.

Nejse. Po ndalem këtu për ketë temë kaq të gjerë. Ato çfarë dua të theksoj sot kur vendi është në rrethimin real të coronavirusit janë dy fjali:

Protagonizmi i kryeministrit është detyrë.

Përulësia pastaj është virtut. E ke ose nuk e ke. Nuk aktrohet.

Mjekët dhe specialistët janë në vijën e parë të betejës për të shpëtuar jetë. Fjala e tyre është kryefjalë për të gjithë qytetarët. Por nuk mund të ketë një republikë apo qeverisje të mjekëve. Sikush në frontin e vet. Qeveria ka barrën e vendimeve dhe shërbimeve të vështira, që lidhen me marrjen e masave mbrojtëse në shkallë të gjerë për çdo individ veç e veç dhe komunitetin.

Nëse Rama e kalon masën paguan ai.

Nëse e le mangut paguajmë ne të gjithë. /Gazeta Liberale

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

2 KOMENTET

Comments are closed.