ANALIZA/ Kathimerini: Pse Shqipëria mund të zgjidhë krizën e refugjatëve

Mar 2, 2016 | 13:02
SHPËRNDAJE

Studiuesi dhe eksperti i çështjeve të emigracionit në Greqi, dr. Evangelos Venetis, në një analizë të tij për gazetën greke “Kathimerini” vlerëson se kriza e emigrantëve mund të zgjidhet përmes Shqipërisë.

RefugeesSipas tij, politikat që do të ndjekë Shqipëria për krizën e emigrantëve do të shtyjnë Austrinë dhe vendet e tjera të BE-së që të anulojnë masat anti-emigracion, çka do të sjellë si efekt domino bisedime të tjera për zgjidhjen e krizës. Por si mund të luajë Shqipëria një rol kaq kyç? Ja si e argumenton eksperti.

Shipëria, rol kyç në krizën e emigrantëve

Dr Evangelos Venetis

Në një artikull të mëparshëm “Ballkani dhe fluksi i emigrimit”, botuar në CNN, ne përforcuam idenë se masat shtrënguese të Austrisë ndaj emigrantëve, kanë sjellë akumulim të refugjatëve të luftës në territorin grek, dhe në Ballkan, duke rrezikuar pasoja të rënda të stabilitetit dhe sigurisë gjeopolitike.

Me mbylljen e kufirit mes Greqisë dhe Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, vendi ynë duket i izoluar nga fqinjët dhe Europa për këtë problem.

Ndërkohë që problemet sa vijnë dhe zgjerohen, qeveria e Aleksis Ciprasit është duke u përpjekur për të paraqitur një zgjidhje për këtë çështje.

Sa i përket masave shtrënguese kundër refugjatëve, siç janë ndërtimet e mureve apo gardheve përgjatë kufijve, vetëm kufiri shqiptaro-grek nuk mund të kontrollohet në këtë mënyrë.

Kjo për shkak se ai është i gjatë dhe tepër malor dhe thuajse i pashkelur. Nga ana tjetër, qeveria e Edi Ramës, ndoshta verbalisht mund të kundërshtojë hapjen e kufijve për refugjatët, mirëpo nuk ka infrastrukturën e duhur për ta bërë realitet atë kundërshti.

Duke parë politikat e Shkupit, që ua mbylli kufijtë emigrantëve që vinin nga Greqia, është e qartë që pjesa më e madhe e tyre do të mblidhen në territorin grek.

Të gjendur pa rrugëdalje në Europë përmes Veriut, këta emigrantë, me ngrohjen e motit do të tentojnë padyshim të futen në Shqipëri përmes kufirit malor. Çfarë do të ndodhë?

Shqipëria do të tentojë që ta frenojë fluksin e emigrantëve drejt territorit të saj. Mirëpo këtë mund ta bëjë vetëm përmes tri pikave kufitare, Kakavijës, Kapshticës dhe Qafë-Botës.

Por nuk mjafton kjo. I gjithë kufiri i gjelbër mbetet i hapur dhe nuk mund të ndërtosh dot mure. Praktikisht është e pamundur edhe të patrullohet.

Në këtë mënyrë, autoritetet shqiptare do ta kenë të pamundur që ta ndalojnë fluksin e emigrantëve paqësisht.

Dhe këtë, Shqipëria e di mirë. Edhe pse kryeministri Rama ka thënë se nuk i hap kufijtë për refugjatët, ai gjithsesi ka urdhëruar ndërtimin e dy kampeve për pritjen e refugjatëve në Korçë dhe Gjirokastër, me një kapacitet prej 10 mijë refugjatësh.

Ky zhvillim do të thotë anulim të masave shtrënguese të Austrisë ndaj emigrantëve, pasi këta emigrantë që do të hyjnë në Shqipëri do të kenë mundësi të lëvizin më pas drejt Veriut.

Dhe, sigurisht, që kur të grumbullohen në dyert e Austrisë, problemi do të ndërkombëtarizohen sërish dhe do të ketë më shumë presion mbi Brukselin për një zgjidhje të shpejtë.

Muri që kërkon të ngrejë Austria do të shembet sërish, pasi jo vetëm Greqia, por i gjithë Ballkani do ta shkundë atë, sapo t’i mblidhen refugjatët.

Korridori shqiptar i jep një mundësi Greqisë për të fituar kohë të mjaftueshme që të zgjidhë çështjen e refugjatëve që vijnë nga Turqia, të ringrejë kufirin me FYROM-in dhe në fund, t’i provojë BE-së, se ky është një bashkim mes miqsh dhe jo armiqsh.

*Dr Envangelos Venetis është ekspert i çështjeve të refugjatëve dhe emigracionit. Ai është koordinator i Projektit për Kërkimet në Lindjen e Mesme në Fondacionin Helen për Europën dhe Politikat e Jashtme.

Përgatiti: E.Deliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura