Analiza e pagave të administratës publike

Aug 11, 2022 | 10:03
SHPËRNDAJE

PETRAQ MILO

PROF. DR. PETRAQ MILO

Rritja e fundit e pagave të administratës publike është bërë në muajin mars të vitit 2017. Niveli i pagës sipas kategorive për punonjësit e rregulluar sipas statusit të nëpunësit civil dhe të klasave për punonjësit të rregulluar me Kodin Civil nuk kanë ndryshuar në periudhën 2018-2022. Një analizë e ecurisë së pagave dhe marrjes së masave për të mbrojtur nivelin e jetesës së punonjësve veçanërisht në situatën aktuale të rritjes së çmimeve është e nevojshme.

Të dhënat e INSTAT

Sipas të dhënave të INSTAT, për periudhën 2018-2022 (deri në tremujorin e parë të vitit), paga mesatare bruto nominale ka një rritje mesatare vjetore në 2.4 për qind. Të dhënat reflektojnë pagën mesatare deri në tremujorin e parë të vitit 2022. Paga mesatare reale bruto është rritur mesatarisht në 0.6 për qind në vit, përfshi dhe tremujorin e parë të vitit 2022. Kjo rritje mesatare mbart: (i) rritjen e grupe të caktuara të punonjësve si p.sh., arsimi apo shëndetësia, (ii) rritjen për secilin vit të vjetërsisë në punë në masën 2 për qind për çdo vit pune, (iii) ndryshimet e pozicioneve të punës, (iv) ndryshimin e numrit të punonjësve etj. Por nuk shpjegon se çfarë ka ndodhur realisht me nivelin e pagës bazë sipas kategorive apo klasave, të pjesës dërmuese të punonjësve të administratës shtetërore.

TË DHËNAT E MINISTRISË SË FINANCËS

Nga të dhënat e botuara të Ministrisë së Financave, është analizuar ecuria e fondit të pagave. Fondi i pagave në vlerë nominale është rritur mesatarisht në 3.6 për qind në vit. Ndërsa rritja reale e fondit është 0.96 për qind. Një tregues i tërthortë i mosrritjes së pagave është ulja e ndjeshme e raportit të pagave ndaj totalit të shpenzimeve buxhetore. Mosrritja e pagave për administratën shtetërore reflektohet në zvogëlimin e raportit të fondit të pagave ndaj shpenzimeve gjithsej. Ky raport ka rënë nga 13.1 për qind që ishte në vitin 2018, në 11.4 për qind në vitin 2022. Tabela e mëposhtme tregon se ka një rritje të diferencuar të fondit të pagave në raport me kategoritë e tjera të shpenzimeve. Kjo tregon që prioritet për qeverinë kanë qenë rritja e shpenzimeve për investime klienteliste, pagesat PPP, interesat e borxhit në rritje etj. dhe jo rritja e fondit të pagave për indeksim.

Në qoftë se shpenzimet e personelit për periudhën 2017-2022 janë rritur në vlerë nominale mesatarisht për secilin vit në 4.6%, shpenzimet operative janë rritur 7.4 për qind ose rreth dy herë më shumë; shpenzimet për fondet speciale 6.2 për qind ose 1.4 herë më shumë; shpenzimet për transfertat e tjera janë rritur 3.7 për qind dhe shpenzimet kapitale (përfshirë fondet e rindërtimit) janë rritur 12.0 për qind ose 2.6 herë më shumë. Dhe së fundmi, shpenzimet buxhetore gjithsej janë rritur mesatarisht 8.1 për qind ose 1.8 herë më shumë se fondi i pagave. Kjo diferencë në rritje ndërmjet shpenzimeve gjithsej dhe fondit të pagave tregon se në periudhën e mësipërme, nga pikëpamja e mundësive fiskale, ka qenë plotësisht e mundur rritja e fondit të pagave me qëllimin e rritjes së pagës apo indeksimit të saj për të gjithë administratën shtetërore.

Nga analiza rezulton se rritja e fondeve për personelin ka qenë më e ulët se mesatarja e rritjes së shpenzimeve buxhetore. Në raport me kategoritë e tjera të shpenzimeve dhe në veçanti të shpenzimeve klienteliste kapitale, ky raport është më i përkeqësuar duke prishur ekuilibrin e raporteve ndërmjet kategorive të shpenzimeve.

TË DHËNAT NGA TABELAT E PAGAVE SIPAS KATEGORIVE DHE KLASAVE

Nga të dhënat e pagave sipas kategorive dhe klasave (tabela si më poshtë) tregohet se ndryshimi i fundit i pagave ka ndodhur me VKM nr. 187, datë 08.03.2017 për punonjësit me status të punonjësve civilë dhe me VKM nr. 202, datë 15.03.2017 për punonjësit me status sipas Kodit të Punës. Për periudhën 2018–2022 nuk ka ndryshime të pagave sipas kategorive apo klasave. Për të dyja kategoritë e punonjësve dhe të gjitha klasat, paga reale është ulur në -12.6 për qind për shkak të mosrritjes së pagës apo edhe indeksimit të saj.

Pagat sipas klasave dhe kategorive të administratës publike nuk kanë ndryshuar. Përfitues në rritjen e pagave mbeten arsimi dhe shëndetësia për vitet 2019 dhe 2022. Për vitin 2022 është planifikuar rritje e pagës edhe për punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa pjesa tjetër e administratës publike është e penalizuar, duke mos u indeksuar dhe as rritur niveli i pagës.

Qëndrimi i politikës në rritjen apo indeksimin e pagës duhet të jetë gjithëpërfshirës. Nuk mund të ketë një politikë të diferencuar për sa i përket rritjes së pagës bazë sipas pozicionit apo klasave. Të gjithë punonjësit kanë të njëjtën të drejtë të indeksimit të pagës. Kjo politikë ka deformuar dhe vetë piramidën e pagave.

Gjithashtu nuk mund të ketë një qëndrim të diferencuar për indeksim në kushtet e rritjes galopante të çmimeve për sa i përket indeksimit. Në të kundërt, ka një angazhim të plotë të qeverisë për të kryer pagesat e projekteve PPP, përfshi dhe inceneratorët, ndërsa nuk ndjen përgjegjësi për indeksimin e pagave të administratës publike. Po ashtu, qeveria nuk kompenson punonjësit në kushtet e rritjes galopante të çmimeve, por është vetëm e angazhuar për kompensim financiar të rritjes së çmimit të lëndëve të para si hekur, çimento etj. për investitorët në kontratat publike, të financuara me fonde të buxhetit të shtetit.

Duke mos indeksuar pagat për të gjithë punonjësit e administratës, shkelet haptazi parimi i përfitimit dhe i detyrimit, që duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Të gjithë paguajnë detyrimet tatimore, por dhe të gjithë duhet që të përfitojnë nga rritja e të ardhurave publike dhe e buxhetit. Të ardhurat publike janë rritur në vite, por administrata nuk ka përfituar indeksim apo rritje të pagës. Rritja ekonomike reale ka qenë e lartë, por punonjësit nuk kanë përfituar aspak nga kjo rritje ekonomike, përkundrazi, paga e tyre reale është ulur vazhdimisht duke ulur ndjeshëm nivelin e jetesës.

Për të mos lejuar më tej këto diferencime si dhe për të mbrojtur nivelin e jetesës dhe rritjes së mirëqenies së punonjësve duhet që:

1. Të vendoset me ligj indeksimi i pagës së punonjësve të administratës shtetërore dhe të pagës minimale.

2. Të vendoset një rregull fiskal që të ketë rritje reale të pagës përveç indeksimit në përputhje me parashikimin e rritjes reale të ekonomisë.

3. Të mos veprohet me rritje të diferencuara të pagave për qëllime politike dhe elektorale

4. Të rishikohet piramida e pagave për të vendosur raporte të drejta ndërmjet kategorive të ndryshme të punonjësve.

pagat instat2 pagat instat

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura