Amnistia fiskale/ Ish-ministri i PS-së: Goditet biznesi i ndershëm, i vret shpirtin investues! Ndërkombëtarët nuk i kanë dhënë miratimin, Rama duhet të…

Mar 29, 2023 | 20:05
SHPËRNDAJE

Ish-Ministri i Financave, Arben Malaj shprehet kundër amnistisë fiskale, duke deklaruar se ajo godet biznesin e ndershëm.

Në një intervistë për “Panorama TV”, Malaj deklaroi se ata që duan të deklarojnë paratë përmes amnistisë, kanë një detyrim ligjor vetëm 8%, ndërsa biznesit të ndershëm i shkon deri në 27%.

Ndër të tjera Malaj shtoi se edhe ndërkombëtarët nuk i kanë dhënë miratimin paraprak amnistisë fiskale, ndaj dhe Rama duhet t’i përmbahet këshillave të tyre.

Pyetje: Tërheqja e kryeministrit Edi Rama nga pasaportat e arta. Ishte një proces i vonuar dhe nga ana tjetër a duhet të bëjë të njëjtën gjë edhe me amnistinë fiskale?

Malaj: Ju e patë deklarimin që bëri Presidenti austriak, njëkohësisht edhe ne që në fillim kundër, si ish-ministër i financave nuk mund të shprehem dakord me amnistinë sepse godet biznesin e ndershëm që paguan taksat. Aq më tepër që në amnisti, falja e detyrimeve për ata që do amnistoheshin deri në 2 milionë euro ishte me një taksë minimale 8%, ku biznesi i ndershëm paguan 15%. Biznesi i ndershëm paguan edhe sigurime shoqërore ndërsa ata që duan të legalizojnë paratë nuk duhet të paguajnë asnjë detyrim tjetër.

Po të bashkojmë detyrimin 15% me detyrimet shoqërore mund të bëhen rreth 27-28%. Pra biznesi vendas paguan 27% ndërsa atij që do i legalizohen paratë, që mund t’i ketë në ekonominë gri, por ekspertë kanë frikë se mund të jenë nga ekonomia kriminale, ai paguan vetëm 8%. Kjo është ta vrasësh shpirtin investues të biznesit të ndershëm. Kam thënë dhe e përsëris, si për amnistinë ashtu edhe për pasaportat e arta. Shqipëria si vend sovran miraton ligjet e saj, por shqiptarët janë orientuar drejt integrimit euro-atlantik. Rama në një takim ndërkombëtar deklaroi se shqiptarët janë 100%  pro amerikan dhe 99% pro europian.

Të kesh një popull me këtë inspirim dhe nga ana tjetër të mos dëgjosh këshillat dashamirëse të BE-së dhe Parlamentit, FMN-së, ka një kontradiktë të madhe. Ose do jesh i pari i fshatit, ose do të jesh pjesë i një të ardhme europiane. Amnistia dhe pasaportat e arta mund të kalonin vetëm nëse do të merrte një miratim paraprak që mesa duket nuk ka gjasa të jepet nga BE.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura