Amfiteatri i Durrësit, 1 nga 7 sitet më të rrezikuara në Europë

Jun 13, 2013 | 14:12
SHPËRNDAJE


Amfiteatri Romak i Durrësit është shpallur nga Organizata Europiane e Trashëgimisë “Europa Nostra” si një nga 7 monumentet më të rrezikuara në Europë. Plani kaotik urbanistik, mungesa e fondeve, shkaqet natyrore dhe neglizhenca renditen si shkaqet që e kanë çuar këtë monument drejt rrezikut. Bashkë me Amfiteatrin e Durrësit renditen edhe zona tampon në qendrën historike të Nikosias në Qipro; fortifikimet e shek. XVII të Vauban-it në Briançon në Francë; manastiri i Rilindjes i San Benedetto Po në Itali; manastiri i shek. XV në Setúbal në Portugali, peizazhi historik i minierave të Rosia Montana në Rumani dhe kisha armene e Shën Gjergjit në Mardin në Turqi, janë shpallur si 7 monumentet më të kërcënuara në Europë. Njoftimi u bë dje nga drejtuesit e Organizatës Europiane të Trashëgimisë “Europa Nostra”, së bashku me European Investment Bank Institute, në një konferencë shtypi të mbajtur në Athinë. Sipas organizatorëve, këto perla të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Europës janë në rrezik, disa për shkak të mungesës së fondeve apo ekspertizës, të tjerët për shkak të planifikimit joadekuat, neglizhencës, fatkeqësive natyrore apo konflikteve politike. Kjo është edhe arsyeja pse kërkohet një veprim urgjent.

Nga konferenca mbajtur dje në Athinë, ku u shpallën 7 monumentet më të rrezikuara në Europë
“Këto monumente dhe site janë përzgjedhur jo vetëm për shkak se ato tregojnë një histori mahnitëse në lidhje me të kaluarën tonë të përbashkët, duke ngulitur ndjenjën e përkatësisë në familjen europiane, por edhe për shkak se ato janë shumë të vlefshme për komunitetet lokale, të cilat janë të angazhuara fuqimisht në shpëtimin e tyre. Shpëtimi i këtyre qendrave do të veprojë gjithashtu si një katalizator për rivitalizimin ekonomik dhe social të qyteteve apo zonave të tëra. Kjo është arsyeja pse “Europa Nostra” fton shumë partnerë publikë dhe private, në nivel lokal, rajonal, kombëtar dhe europian, për të bashkuar forcat për të siguruar një të ardhme premtuese për këto monumente të zgjedhura”, deklaroi Plácido Domingo, Presidenti i “Europa Nostra”-s.
Projekti
“Investimet në ruajtjen e trashëgimisë kontribuojnë  në zhvillimin e qëndrueshëm dhe në fund të fundit për zhvillimin dhe punësimin. Instituti BEI, së bashku me “Europa Nostra” dhe partnerët e tjerë, do të ndërmarrin përpjekjet e nevojshme për të vlerësuar qendrat e zgjedhura dhe për të kontribuar në zhvillimin e planeve reale të veprimit, në bashkëpunim të ngushtë me subjektet kombëtare dhe lokale, publike dhe private”, shtoi Rémy Jacob, drejtori i Përgjithshëm i BEI dhe dekan i Institutit BEI. Mësohet se “Europa Nostra” dhe European Investment Bank Institute, themelues të programit “7 më të rrezikuarat”, pas verës, do të ndërmarrë misione shpëtimi për këto vende të trashëgimisë. Më konkretisht, ekspertët e caktuar nga BEI dhe Këshilli i Bankës Europiane për Zhvillim (CEB) do të sigurojnë analiza dhe këshilla se si mund të merret financimi, për shembull, përmes fondeve të Bashkimit Europian, ose në rastet e duhura, të kredive. Planet fillestare të veprimit të shpëtimit do të prezantohen në Konferencën e Politikave Europiane të Trashëgimisë, organizuar nga “Europa Nostra”, në Bruksel më 5 dhjetor vitin 2013.
“Për 50 vjet, ‘Europa Nostra’ ka qenë aktive në ruajtjen e trashëgimisë së rrezikuar në të gjithë Europën, nga siti i lashtë i Delfit në Greqi në fillim të viteve 1980 në qytetin historik të Akuilas në Itali, në 2010-n. Ne jemi krenarë që këtë vit, për herë të parë, kemi nisur një skemë mbrojtjeje dhe një skemë operacionale në partneritet me një institucion të tillë prestigjioz financiar, si Banka Europiane e Investimeve. Aleanca jonë demonstron njohjen nga institucionet e BE të përgjegjësisë së saj kundrejt ruajtjes së trashëgimisë kulturore të Europës, siç theksohet në Traktatin e Lisbonës (neni 3.3). Ne presim që programi ‘7 më të rrezikuarat’ të inkurajojë të tjerët për të mbështetur përpjekjet tona për të shpëtuar dhe për të promovuar trashëgiminë unike të Europës”, përfundoi Denis de Kergorlay, president ekzekutiv i “Europa Nostra”.
Shtatë monumentet më të rrezikuara janë përzgjedhur nga bordi i “Europa Nostra”-s mes 14 siteve të përfshira në një listë të ngushtë nga një panel këshillimor i përbërë nga ekspertë ndërkombëtarë. Këtë vit, organizatat e shoqërisë civile dhe organet publike nga 21 vende europiane dorëzuan 40 kandidatura.

Motivimi për Amfiteatrin Romak të Durrësit
Ky amfiteatër romak i shek. II mbeti i panjohur për botën deri në vitin 1960. I vendosur në qendër të qytetit, i njohur në antikitet me emrin Epidamn ose Dyrrakium, dhe me një kapacitet prej 15-20 mijë spektatorësh, ai është një nga sitet më të shquara të trashëgimisë, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin e Ballkanit. Për shkak të zbulimit të tij të vonuar, monumenti është përballur me planifikimin kaotik urban, i cili ka prekur strukturën e tij dhe ka vuajtur nga dëmtimet e vazhdueshme. Sfida më e madhe lidhet me integrimin e suksesshëm në strukturën urbane të Durrësit. Kjo perlë e trashëgimisë është e kërcënuar edhe nga mungesa e burimeve financiare, shkaqet natyrore dhe shpërfillja. Inkurajimi me projektet aktuale kërkimore dhe ndërgjegjësimin e publikut në lidhje me vlerën e jashtëzakonshme të këtij amfiteatri janë hapat që do të ndërmerren urgjentisht. Restaurimi i plotë i mëvonshëm, jo vetëm do ta vendosë qytetin e lashtë të Durrësit sërish në hartën e vendeve historike në Europë, por edhe të sjellë rivitalizimin ekonomik dhe social të qytetit të dytë më të madh në Shqipëri.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura