Ambasadorja britanike:Policia,rol pozitiv në 8 maj

Apr 26, 2011 | 16:14
SHPËRNDAJE

TIRANË- Ambasadorja Britanike në Shqipëri, Fiona Mcllwham, duke vlerësuar shumë të rëndësishëm procesin zgjedhor dhe mjedisin e qetë që u duhet qytetarëve për të votuar  ka kërkuar nga policia të vazhdojë të luajë rol pozitiv në zgjedhje.

Gjatë një takimi të zhvilluar sot me kreun e policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ajo ka vlerësuar punën e bërë nga policia në zgjidhjen e situatës për incidentet e vogla që kanë shoqëruar fushatën zgjedhore.

“Është një gjë e mirë që policia bën punën dhe e prezanton veten si një shërbim në mbrojtje të interesave të publikut. Gjëja më e rëndësishme është krijimi i një mjedisi të qetë që qytetarët të votojnë të qetë dhe kjo është përgjegjësi e të gjithëve, përfshirë partitë politike, që të krijojnë një klimë të qetë. Besoj që policia e shtetit do të ketë një rol pozitiv gjatë gjithë procesit” tha ajo.

Ndërkaq, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nënvizoi trajnimin e efektivëve për mbarëvajtjen e procesit. Sipas tij, janë hartuar gjithashtu listat për KQZ-në për të gjithë punonjësit e policisë që do të angazhohen për ruajtjen e qendrave të votimit, për të cilët janë përgatitur dhe dokumentet e identifikimit sipas akteve ligjore.

“Fakti që deri në këto momente nuk ka pasur asnjë denoncim, qoftë dhe për një punonjës policie për shkelje të rregullave për sa i përket procesit zgjedhor, është treguesi më domethënës për rolin mjaft të rëndësishëm të masave të marra, në ruajtjen e pozicionit ligjor të punonjësve të policisë” tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura