Ali Soue i ofrohet Partizanit, zbardhen prapaskenat

Jul 29, 2018 | 11:56
SHPËRNDAJE

 

Ali Soue, fituesi i “Këpucës së Artë” me Skënderbeun sezonin që shkoi, i është ofruar edhe Partizanit. Sulmuesi nga Gambia shënoi 21 gola në kampionat dhe fitoi kampionatin dhe Kupën në Korçë. Në fund të majit i përfundoi kontrata e huazimit dhe më pas u rikthye te Kievo, klubi që zotëron kartonin e tij.

Soue

PRAPASKENAT Kievo ka edhe një vit kontratë me 24-vjeçarin dhe po përpiqet me çdo kusht që ta shesë kartonin e tij. Kjo, edhe për faktin që të shmangë largimin me parametra zero, por edhe sepse klubi veronez nuk është në ditët e tij më të mira në aspektin financiar. Plani nuk ka ecur siç duhet dhe së fundmi menaxherët ia kanë propozuar edhe Partizanit lojtarin. Këtu ka disa probleme të tjera dhe Partizani heziton të japë një përgjigje përfundimtare.

KËRKESAT Soue është një dëshirë e vjetër e klubit të kuq, pasi ishte vetë ish-trajner Starova që pati pohuar publikisht se e kish kërkuar atë vitin e kaluar. Soue mund t’i bëjë shumë punë Gegës në sulm, por problemi është që drejtuesit nuk dëshirojnë të përsëritet rasti i Ekubanit. Mësohet se Partizani kërkon të drejtën e një përqindjeje të kartonit nëse lojtari shitet jashtë dhe po ashtu kërkon që Soue të reduktojë rrogën prej 12 mijë eurosh që merrte te korçarët. Deri tani palët duken larg. Goxha larg. Edhe për faktin që në mes është futur një klub rus, që kërkon gjithashtu huazimin, por që i plotëson kërkesat e lojtarit për rrogën.

soue-470x364

MESFUSHORI EGHAN Shadrah Eghan është një tjetër futbollist që i është ofruar Partizanit në orët e fundit. Burime nga menaxherët bëjnë me dije se dosja dhe të dhënat e mesfushorit 24- vjeçar nga Gana ka mbërritur në zyrat e klubit të kuq. Eghan është me tipare sulmuese, por arrin edhe të mbrojë mirë. Nga 2013 deri në 2017, ai ka qenë pjesë e holandezëve të Tuentes, me të cilët ka luajtur 41 ndeshje dhe ka shënuar 7 gola. Gjatë kësaj kohe ai është huazuar në disa ekipe, por nuk ka mundur të lërë gjurmë. Momentalisht është pa skuadër.

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura