Alarmi nga koronavirusi/ Trefishohen thirrjet te 127, ja të dhënat që kërkohen

Mar 11, 2020 | 11:00
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Çdo ditë, qytetarë të shqetësuar, herë me shenja të një gripi të zakonshëm e herë jo, telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare për të marrë më shumë informacion mbi koronavirusin.maska, virusi, tirane

Duke dashur të besojnë një të vërtetë ndryshe nga ajo që kanë dëgjuar këto ditë në media, qytetarë të shumtë i drejtohen urgjencës për të hequr merakun. Vetëm përgjatë 24 orëve të fundit, numri i telefonatave është trefishuar, këtë e tregojnë edhe të dhënat që vijnë nga shërbimi i Urgjencës Kombëtare.

“Në 24 orët e fundit janë pritur 3027 thirrje, prej të cilave 1128 janë vlerësuar për COVID-19”, bëhet me dije nga Instituti i Shëndetit Publik. URDHRI Në fillim të javës, ministrja e Shëndetësisë firmosi urdhrin për hapat që duhet të ndiqen nga punonjësit e Urgjencës Kombëtare, nga pritja e telefonatës deri te mbërritja te rasti i dyshuar. Fillimisht, qytetarëve iu kërkohet informacion nëse kanë udhëtuar së fundmi në një nga zonat e prekura. Më pas, bëhet plotësimi i të dhënave bazë: emër, mbiemër, mosha, gjinia, adresa ku banon dhe një numër kontakti. Nëse ka shqetësime, atëherë plotësohet skeda sipas rastit.

Gjithçka që infermierët kanë nevojë të dinë nga ana tjetër e telefonit është nëse keni temperaturë, ethe, djersitje, të vjella, diarre, vështirësi në frymëmarrje, kollë, sekrecione, teshtimë, dhimbje koke dhe lodhje. Informacion i detajuar kërkohet edhe mbi historinë e udhëtimit, vendin dhe kohën e qëndrimit. Për rastet e dyshimta, urdhri parashikon që pas intervistës, infermieri të njoftojë menjëherë mjekun primar, i cili aktivizon misionin dhe njofton Spitalin Infektiv për hospitalizimin e rastit të dyshuar. Praktika të ndryshme janë përcaktuar për ata që janë në moshë madhore dhe për fëmijët.maska tirane7

“Në rastet kur pacienti është në gjendje kritike për jetën, ai do të transportohet në terapi intensive ose në urgjencën e spitalit përkatës. Nëse pacienti nuk është në gjendje kritike për jetën, do të hospitalizohet në urgjencën e spitalit përkatës ose në Spitalin Infektiv në QSUT. Të gjitha rastet që nuk janë kritike për jetën, do të referohen dhe transportohen për në QSUT, në Spitalin Infektiv”, thuhet në urdhrin e ministres Manastirliu.

PËR FËMIJËT

Edhe për fëmijët, nëse do të jenë në gjendje kritike, transporti do të bëhet në urgjencën e spitalit përkatës. Nëse gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar, atëherë hospitalizimi i tyre do të bëhet në spitalin përkatës nëse janë nga rrethet ose në Spitalin Infektiv të QSUT-së. Urdhri përcakton që lëvizjet të bëhen rast pas rastit duke u konsultuar me mjekun primar, por njëkohësisht edhe me Spitalin Infektiv në Tiranë dhe spitalin rajonal.

MASAT

Masa do të ndërmerren edhe nga ekipet e urgjencës, të cilët do të jenë të pajisur me maska mbrojtëse, dorashka, xhaketë mbrojtëse sterile. Veshjet do të jenë njëpërdorimshme dhe do të asgjësohen në spital pas çdo rasti të transportuar. Kërkohet, po ashtu, që të dizinfektohen ambientet e brendshme të ambulancës, të ajrohen herë pas herë dhe çfarë është më e rëndësishme të ruhet kontakti një metër nga personi i prekur.

TË DHËNAT QË KËRKOHEN NGA URGJENCA

Triazhi telefonik për rastet e dyshimta me 2019-nCoV në aeroport, porte dhe pikat kufitare në Republikën e Shqipërisë aeroporti/porti/pika kufitare
Vendi i origjinës së udhëtimit
Vendi tranzit
Numri i udhëtarëve në bord avioni/autobusi/makinë me personin/at e sëmurë
• TË DHËNAT PERSONALE
Emri/ Mbiemri/ Datëlindja/ Gjinia/ Adresa Rezidenca
Vendqëndrimi (bashkia, komuna, adresa) në Shqipëri
Motivi i udhëtimit/ Nr. i telefonit
• TRIAZHI TELEFONIK PËR RASTET
E DYSHIMTA ME 2019-NCOV
Temperaturë Po Jo Nuk dihet
Ethe Po Jo Nuk dihet
Djersitje Po Jo Nuk dihet
Të vjella Po Jo Nuk dihet
Diarre Po Jo Nuk dihet
Vështirësi në frymëmarrje Po Jo Nuk dihet
Kollë Po Jo Nuk dihet
Rinit (sekrecione) Po Jo Nuk dihet
Teshtimë Po Jo Nuk dihet
Dhembje koke Po Jo Nuk dihet
Lodhje Po Jo Nuk dihet Të tjera

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura